2012-06-01 15:10:01

Në Vjenë mbahet Kongresi i Caritas Internationalis kundër urisë në botë.


Çdo dymbëdhjetë minuta, një fëmijë vdes nga uria: e kujton këtë presidenti i Caritas Internationalis, kardinali Oskar Rodriguez Maradiaga, me rastin e kongresit kushtuar luftës kundër urisë në botë dhe sigurimit të ushqimit, që u hap sot në Vjenë, për të përfunduar nesër.
“Uria nuk është e pashmangëshme, sepse me shkaqe shoqërore, ekonomike e politike”, pohoi Hirësia e Tij, organizator i nismës. Së bashku me Caritas Europa, kardinali Maradiaga mblodhi në Vjenë autoritete publike, udhëheqës politikë, akademikë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile, ardhur nga mbarë bota. Për objektivat e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, Thorfinnur Omarson, përfaqësues i Caritas Europa:RealAudioMP3

Përgjigje: - Objektivi është të informojmë sa më shumë lidhur me problemin e urisë në botë. Siç dihet, në botë ka më se një miliard njerëz, që vuajnë nga uria, ndërsa një e treta e ushqimit shpërdorohet, shkon kot. Ky është fenomen global e edhe problem global, që duhet përballuar. E është edhe një nga elementet bazë të të gjithë punës së Karitasit, i cili synon të luftojë kundër urisë me të gjitha mjetet e mundësitë.

Pyetje: - Flasim shumë për krizën ekonomike, por ndoshta, duke harruar varfërinë...

Përgjigje: - Po. Këtë e provojmë edhe ne. Në Bruksel, për shembull, organizojmë takime, diskutojmë për krizën ekonomike e, sidomos, për rrugët në të cilat duhet të ecim, që të dalim prej saj, për t’i dhënë hov të ri zhvillimit ekonomik e për të zgjidhur problemet më të mprehta të kohës, që rëndojnë fort mbi jetën e njerëzve. Por e kemi krejt të qartë edhe se zhvillimi i mundshën ekonomik, nuk do ta zgjidhë menjëherë problemin e urisë; duhen përballuar çrregullime të tjera e, prej këndej, ne nuk mund e nuk duhet ta harrojmë këtë problem serioz.

Pyetje: - E ç’mund të bëhet, a, më mirë të themi, ç’mund të bëni?

Përgjigje: - Karitasi u bëri, përmes këtij Kongresi, disa kërkesa atyre, që marrin vendime si në nivel global, ashtu edhe në nivel evropian e kombëtar. Në radhë të parë, ka shumë rëndësi që të gjithë ta pranojnë se çdo njeri ka të drejtë të hajë. Pra, të njihet e drejta e ushqimit për të gjithë. Një e drejtë e tillë duhet njohur e respektuar në nivel global. Është e rëndësishme edhe ndihma, që u duhet dhënë veprimtarive bujqësore në nivel familjar. Duhet ta shmangim rrezikun e mungesës së ushqimeve për shkak të ndryshimeve klimaterike, shqetësim i ri ky, çdo vit më i thellë. Kështu, pra, problemet që duhet të zgjidhim janë të shumta e të ndërlikuara.

Pyetje: - Ç’ mund të na thoni për shkaqet strukturore të urisë?

Përgjigje: - Shkaqet janë nga më të ndryshmet. Karitasi mirëpriti adoptimin e vijave udhëheqëse të Fao-s lidhur me pronat tokësore, në mënyrë që popullsive lokale t’u sigurohen të drejtat mbi tokën, të mbrohen nga ‘land grabbing”, tashmë i njohur në shumë zona të botës. E kemi fjalën për shfrytëzimin e tokave të marra me qira. Karitasi kërkon një strukturë të posaçme, që të përgjigjet për këto probleme, duke ndjekur drejtpërdrejt protestat, që kanë të bëjnë me vendimet mbi tokën, në mënyrë që, në rast shkeljesh, t’u rikthehet, sipas ligjit, pronarëve të tyre. Ky është një problem i mprehtë në shumë vende të botës. E, të mos harrojmë kurrë: toka e ushqimi lidhen në mënyrë të pandashme.







All the contents on this site are copyrighted ©.