2012-06-01 12:25:19

Milano pret Papën, rreth të cilit do të shtrëngohen familje nga pesë kontinentet


Erdhi dita, në të cilën Papa Benedikti XVI do të shkojë në Milano. Sot pasdite, në orën 16.00, avioni papnor do të niset nga aeroporti i Çampinos në Romë për të mbërritur në aeroportin milanez të Linates, një orë më vonë. Ndërkaq, në qytetin verior italian po përfundojnë takimet e Kongresit ndërkombëtar për t’u lënë vendin ngjarjeve të Takimit VII Botëror të Familjeve.
Udhëtimi i Papës, i cili do të qëndrojë në Milano nga ora 17 e ditës së sotme deri në orën 17 të së dielës, mund të shihet si vizitë baritore në qytet, por edhe si “shtegtim” ndërkombëtar për t’u takuar me familjet e të gjithë botës. Dy parrulla të mëdha mbi Bulevardin Buenos Aires dhe ekrani gjigant prej 12 metrash katrorë në Sheshin e Shën Fedelit janë shenja se Ati i Shenjtë pritet me padurim.
Prefekti i Milanos deklaroi se për sigurinë do të angazhohen 10 mijë vetë. Të pranishme në Milano edhe 40 televizione, të gatshme për të informuar mbi veprimtarinë e parë të Benediktit XVI, i cili do të takojë familjet në Sheshin e Duomos. Në orën 19.30, Papa do të dëgjojë nga platea e Teatrit të famshëm “La Scala”, notat e simfonisë së nëntë të Beethovenit, kushtuar viktimave të tërmetit në Emilia Romanja. Më pas, notat do të shuhen në lutjet e organizuara në katedrale e në famulli.







All the contents on this site are copyrighted ©.