2012-06-01 18:30:52

Familjet e gjithë botës e besimtarët italianë takohen me Papën në Milano: Impenjohuni për t’u përçuar brezave të rinj, traditën e lavdishme të Kishës ambroziane


Purpuri i kardinajve e ngjyrat e forta të familjeve afrikane, ipeshkvijtë gjermanë me libra në duar e nënat meksikane me një turrë fëmijësh, teologë e demografë, reklama për karroca bebesh e seminare për martesën, rreth 50 mijë vetë, që presin një milionëshin e parashikuar për të dielën: kjo atmosferë e mbështolli sot Papën Benedikti XVI, i cili shkoi në Milano të Italisë për Takimin VII Botëror të Familjeve me temë “Familja: puna dhe festa”. Ati i Shenjtë do të qëndrojë atje deri të dielën, tri ditë, që e bëjnë këtë udhëtim, unik për Italinë, pasi asnjëherë Papa nuk ka qëndruar kaq gjatë në një vend italian.RealAudioMP3
Programi i vizitës është kaq i ngjeshur, sa vërtet u jep mundësinë besimtarëve t’i dëshmojnë afërsinë e tyre Benediktit XVI, thjesht duke marrë pjesë në veprimtaritë e organizuara: nga mbërritja në Sheshin e Duomos në koncertin në Teatrin e famshëm “La Scala”, nga takimi me rininë në stadiumin San Siro në tribunën e yjeve të rokut në aeroportin e Bresos. Për meshën e së dielës, organizatorët i këshillojnë besimtarët të lëvizin që në orët e para të mëngjesit. Parashikimet thonë se do të bjerë shi, por njerëzit shpresojnë në një mrekulli.
Ndërkaq, sot pasdite, Papa u takua me familjet e pranishme e me qytetarët e Milanos në Sheshin e njohur ku ngrihet katedralja e qytetit, kushtuar Zojës që Lind, kisha e katërt në Evropë, pas Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, të Shën Palit në Londër dhe katedrales së Seviljes. Majat e saj, që çojnë drejt qiellit, drejt Zotit, Ati i Shenjtë i përmendi në fjalën që u drejtoi besimtarëve, të mbledhur para Duomos, në një qytet-udhëkryq ndërmjet popujve e kulturave, siç vuri në dukje Benedikti XVI. Duke u kërkuar milanezëve të vazhdojnë ta luajnë këtë rol pozitiv në takimin ndërmjet kulturave, Papa, pasi përshëndeti autoritetet kishtare e civile, familjet e të gjithë botës, u tha fjalë ngushëlluese edhe nevojtarëve, njerëzve që kanë mbetur vetëm e janë në vështirësi, të papunëve, të sëmurëve, të burgosurve, të pastrehëve:
“Të mos i mungojë askujt prej këtyre vëllezërve e motrave tona, interesimi solidar dhe i vazhdueshëm i bashkësisë”.
Më pas, Ati i Shenjtë kujtoi njerëzit e shenjtorët, që e kanë bërë të madhe, kishën e Milanos. Kujtoi Shën Ambrozin, themeluesin e saj, riti i të cilit ndiqet edhe sot nga milanezët. Me prejardhje nga një familje romake, urtia dhe ortodoksia e Shën Ambrozit lanë gjurmë të pashlyeshme në fenë e në jetën e krishterë jo vetëm të qytetit verior italian, por të të gjithë Kishës universale. Pasuria e Kishës ambroziane karakterizohet nga bashkimi me Pasardhësin e Shën Pjetrit e nga besnikëria e jashtëzakonshme ndaj Kishës universale. Benedikti XVI kujtoi shprehjen e famshme të shën Ambrozit: “Ku është Pjetri, aty është Kisha”. Por përmendi edhe figurat e barinjve të tjerë të mëdhenj të kësaj zone, si shën Karl Borromeu, i cili zbatoi reformat tridentine, duke ngritur institucione të reja e seminare; pastaj barinjtë e tjerë të Kishës më të afërt në kohë, si kardinali i lum Andrea Karlo Ferrari, apostull i katekizmit dhe i punës me të rinjtë; i lumi Alfredo Ildefonso Shuster, kardinali i lutjes, siç quhej; dy kryeipeshkvij të Milanos që u bënë papë, Piu XI dhe Pali VI, nismëtar i Koncilit II të Vatikanit; por edhe shën Xhana Bereta Mola, nënë e grua e impenjuar në Kishë, që refuzoi abortin, duke e ditur se do të vdiste.
Historia e milanezëve, e pasur me kulturë e fe, theksoi Papa, përshkon edhe artin, muzikën, letërsinë, kulturën, politikën e sportin e sidomos, nismat e solidaritetit të Milanos e të Kishës:
“Ju takon tani juve, trashëgimtarë të një të kaluare të lavdishme e të një pasurie shpirtërore me vlerë të pallogaritshme, të impenjoheni për t’u përçuar brezave të ardhshëm pishtarin e një tradite kaq të ndritur. E dini mirë sa urgjente është brumosja e kontekstit aktual kulturor me tharmin ungjillor”.
Feja e Jezu Krishtit, vazhdoi Papa, duhet të gjallërojë jetën personale e atë të bashkësisë, jetën private e publike, për të realizuar mirëqënien e vërtetë, duke filluar nga familja, e cila duhet rizbuluar si pasuri kryesore e njerëzimit:
“Identiteti i veçantë i Milanos nuk duhet ta izolojë e as ta mbyllë në vetvete. Përkundrazi, duke ruajtur limfën e rrënjëve të veta dhe tiparet karakteristike të historisë së saj, familja është e thirrur ta shikojë të ardhmen me shpresë, duke mbrojtur lidhjen intime me jetën e gjithë Italisë e të Evropës. Në ndarjen e qartë të roleve e të qëllimeve, Milano pozitivisht ‘laike’ dhe Milano e fesë janë të thirrura të kontribuojnë për të mirën e përbashkët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.