2012-05-31 16:24:20

Papa mbyll muajin marian në Kopshtet e Vatikanit.


Sot, më 31 maj, në festën e Pasisë së Zojës së Bekuar, përfundon muaji kushtuar Virgjërës Mari Kremtime u mbajtën në të gjithë botën katolike, posaçërisht në Kishat kushtuar Virgjërës Mari, shoqëruar edhe me procesione.
Në Kopshtet e Vatikanit, maji u mbyll me procesionin tradicional, në përfundim të të cilit besimtarët i përshëndeti Papa Benedikti XVI. Procesioni fillon në orë 20. 00. Qindra besimtarë me qirinj të ndezur ndër duar lusin Rruzaren Shenjte duke u nisur nga Kisha e Shën Shtjefnit, për t’u ndaluar pastaj para riprodhimit të Shpellës së famshme të Lurdës.
Procesionet e ditës së fundit të majit që kremtohen në mbarë botën katolike, na kujtojnë se të gjithë kemi nevojë të mësojmë nga feja e Zojës së Bekuar. Pse?
Gjon Pali II, në Letrën “Kisha jeton nga Eukaristia”, e ka quajtur Zojën e Bekuar “grua eukaristike”, sepse Zoja është ajo që besoi në fjalët e thëna nga Zoti i cili, sa herë marrim Kungimin shenjt, na flet edhe ne e na thotë: “Ky është Korpi im, ky është Gjaku im!”. Ne kemi nevojë të mësojmë nga feja e Marisë, në mënyrë që t’i afrohemi Eukaristisë me zemër të hapur e kështu Eukaristia të sjellë në ne frytet që solli Jezusi në jetën e Marisë.
Maji përfundoi, por kjo s’ do të thotë se nuk do të lutemi më: nuk duhet të pushojmë kurrë s’u luturi së bashku me Virgjërën Mari, duke thënë sidomos Rruzaren, një lutje e thjeshtë e tepër e pasur, një “përmbledhje e vërtetë e Ungjillit”…
Besoj se Rruzarja për familjen e krishterë është një nga takimet më të bukura. Është urata që bashkon, është lutja që shëron shpirtrat.
E tani diçka për kremtimin e sotëm në Vatikan?
Kremtohet Rruzarja. Besimtarët janë nisur nga Kisha e Shën Shtjefnit e, duke thënë Rruzaren, kanë përshkuar udhëzat e Qytetit të Vatikanit. Edhe kjo ecje së bashku, gjatë Kopshtijeve të Vatikanit, është një dëshmi e bukur e fesë dhe një lloj metafore e jetës, sepse jeta është ecje, shtegtim. Dita e sotme, 31 maj, është dita në të cilën Kisha kujton Marinë, e cila shkon nga shtëpia e Nazarethit në shtëpinë e Elizabetës. Pasi i ka thënë “po” Zotit dhe e ka pranuar Jezusin në zemrën e vet, Maria nuk mund të rrijë në shtëpinë e saj, ndjen nevojën të shkojë në shtëpinë e një tjetre, për t’iu gjendur pranë, për t’i shërbyer. Në përfundim të majit ne dëshirojmë t’ia ngulim sytë Virgjërës Mari, që del nga shtëpia e Nazarethit, për të dalë edhe ne nga shtëpitë tona, për të ecur në rrugët tona, me zemrën plot dashuri, në mënyrë që kush të na takojë e të na pyesë – siç e patën pyetur Nënë Terezën: “Pse i bën këto gjëra?” - të mund të përgjigjemi: “Sepse m’i ka mësuar Zoti im, që quhet dashuri”.
Po pse është bërë traditë, në fund të majit, organizimi i procesioneve kushtuar Zojës së Bekuar? Ç’kuptim kanë?
Procesioni na nxit të meditojmë për misterin e Vizitës së Virgjërës Mari tek Shën Elizabeta, në sa mbante në kraharor Jezusin. Ajo është vajzë e re, por nuk ka frikë, sepse Zoti është me të, brenda saj. E ne, në një farë mënyre, mund të themi se ky udhëtim i saj qe procesioni i parë i historisë. Tabernakull i vërtetë i Zotit të mishëruar, Maria është arka e Besëlidhjes, në të cilën Zoti e vizitoi dhe e shpërbleu popullin e vet.
Procesioni na kujton edhe çastin kur Zoja hyri në shtëpinë e Elizabetës e Gjoni kërceu prej hareje në kraharorin e s’ëmës, gati sikur të donte të paralajmëronte ardhjen e Atij, që në një të nesërme do t’ia kumtonte Izraelit. Galdojnë foshnjat, galdojnë nënat. E ky takim përplot me gëzimin e Shpirtit Shenjt gjen shprehjen e vet tek Magnificat, që vijon të jehojë në zemrat e besimtarëve, për të shprehur gëzimin e Kishës, e cila e mirëpret gjithnjë Krishtin në Eukaristinë shenjte dhe e çon në botë, me dëshminë e bamirësisë vepruese plot fe e shpresë. Po, gëzimi i vërtetë i të krishterit është pikërisht ta mirëpresë Jezusin e t’ua çojë edhe të tjerëve. Prandaj mund të themi me plot gojën se dita e fundit e Muajit të Zojës tingëllon si ftesë drejtuar gjithë të krishterëve për ta ndjekur e për ta imituar Virgjërën Mari, gruan me shpirt eukaristik, që jeta e secilit të bëhet një Magnificat – një këngë e vërtetë lavdërimi lartuar Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.