2012-05-31 10:53:00

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: Citime nga Maria, në festën e Pasisë së Zojës


Duke shfletuar Ungjijtë sinoptikë, ndalemi sot tek fjalët e Marisë. Janë të pakta, sepse Zoja ishte fjalëpaktë, por tashmë të kthyera në fjalë të arta, që kujtohen shpesh e në situata të ndryshme.
Kujtojmë së pari fjalët që i tha Maria Engjëllit: “Si është e mundur? Unë nuk njoh burrë!”.
E përgjigjen që i dha kumtit të madh të Shëlbimit: “Ja, unë jam shërbëtorja e TënZot, u bëftë mbi mua si është fjala jote!”.
E në dasmën e Kanës, porosia që vijon t’i drejtohet në shekuj njerëzimit të vuajtur. U tha nëna e tij shërbëtorëve: “Bëni gjithçka t’ju thotë ai!”. (Gjn 2, 1-12)
Vjen pastaj skena e kërkimit të Jezusit, ende fëmijë dhe e gjetjes së tij në tempull. Zoja e Jozefi, na rrëfen Ungjilli, porsa e panë, mbetën pa mend. E nëna e tij i tha: “Bir, ç’na bëre kështu? Shih: babai yt e unë, me ankth në zemër, të kemi kërkuar gjithkund!”.
Por ndërmjet këtyre fjalëve të pakta, gjithsesi proverbiale, të Zojës, kumbon në shekuj “Magnificat”- “Zemra ime madhëron Zotin”, sintezë e vërtetë e gjithë historisë së njerëzimit:

Në atë kohë Maria tha:
“Zemra ime madhëron Zotin
e shpirti im galdon në Hyun, Shëlbuesin tim,
pse sytë i priri mbi përvujtëri të shërbëtores së vet.
Sot e mbrapa të gjitha breznitë
do të më thërrasin të lume.
Punë të mëdha kreu i Gjithëpushtetshmi në mua,
e emri i tij është i Shenjtë:
prej breznie në brezní mëshira e tij
shtrihet mbi ata që ia kanë frikën.
Shfaqi fuqinë e krahut të vet,
i humbi madhështorët në dëshira të zemrave të tyre;
përmbysi të pushtetshmit nga fronet
lartoi t’përvuajturit.
Me të mira përplot i mbushi të uriturit,
duar thatë të pasurit i nisi.
Izraelit, shërbëtorit të tij, i doli zot
duke pasur parasysh mëshirën e vet,
ashtu si u pat premtuar etërve tanë,
Abrahamit e pasardhësve të tij,
për jetë të jetës.
(LK. 1, 46-55)

Magnificat na kujton versetet e fundit të Psalmit: prej 1 Sam. 2, 1. 4-8
Zemra ime galdon në Zotin
e ballëhapur rri për hir të Hyjit tim.
Kundra armiqve të mi goja më çelet,
shpëtimin gëzoj, o Zot, që më vjen nga ti.

Zoti ka në dorë vdekje e jetë.
Ai të zbret nën dhe e në qiell të ngre përpjetë!
Zoti të bën të varfër e të pasuron.
Është ai që ulë e ai që larton!







All the contents on this site are copyrighted ©.