Më 31 maj kalendari kishtar kremton festën e Pasisë së Zojës së Bekuar
Kur Engjëlli i Zotit u largua prej Virgjërës Mari, pasi i kishte kumtuar lajmin e
madh të Mishërimit të Hyjit, dhe kishte marrë pohimin e saj, Maria e dinte se kishte
ndodhur diçka e jashtëzakonshme, se kishte filluar kapitulli i fundit i historisë
së shëlbimit të botës. E megjithatë gjithçka rreth saj kishte mbetur fare e pandryshuar
dhe fshati i humbur i Nazaretit nuk e dinte fare se çka i kishte ndodhur vajzës së
panjohur, e cila do të bëhej më e njohura mbi të gjitha gratë, që kanë ecur në shtigjet
e kësaj bote. E Maria, pa menduar fare për vetveten, u vu me ngut për udhë, për
të arritur në shtëpinë e së kushërirës, Elizabetës, ku ndodhi një ngjarje që asnjë
piktor nuk mund ta realizojë me gjithë bukurinë dhe thellësinë e saj të pakapshme,
sepse të dyja gratë ishin rrethuar nga drita e Shpirtit Shenjt Zot. E Elizabeta, e
ndriçuar nga Lart, brohoret fjalët, që më pas do të shqiptohen në shekuj në të gjitha
gjuhët e botës: “E bekuar je mbi të gjitha gratë, e i bekuar, fryti i kraharorit tënd!
Nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim? Ja se, sapo zëri i përshëndetjes
sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje, kërceu në kraharorin tim. E lumja
ti, që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit”. Këto fjalë mund të
na duken të tepruara në rrethanat e sotme. Elizabeta ishte një grua në moshë e Maria,
një vajzë e panjohur prej një fshati të humbur të Galilesë. Çka mund të bënin, në
një botë ku vlerësohen njerëz të tjerë e peshojnë pushtete të tjera? Gjithsesi
Maria, në Pasinë e Saj, na mahnit përsëri: zemra e saj është e kulluar, krejtësisht
e hapur për dritën e Hyjit; shpirti i saj është pa mëkat, mbi të nuk peshojnë mburrja
e egoizmi. Prandaj i buçet nga zemra kënga e lavdërimit, lexim i vërtetë dhe i thellë
i gjithë historisë së njerëzimit: “Shpirti im madhëron Zotin”. Maria pranon madhështinë
e Hyjit. E kjo është ndjenja e parë dhe e domosdoshme e fesë. Ndjenjë që i jep siguri,
e çliron nga frika dhe e bën ta shikojë me sytë e fesë veprën e Zotit në histori.
Prandaj është e lume, sepse e pranoi Fjalën e Zotit, që u mishërua në kraharor të
saj. Feja e saj e bëri të shikonte se fronet e njerëzve të pushtetshëm në këtë botë
janë të përkohshme, ndërsa froni i Hyjit është i vetmi shkëmb që nuk lëkundet as nuk
shembet në jetë të jetëve. E kështu himni i Marisë i ‘Madhërimit’ - ‘Magnificat’ mbetet
në shekuj shpjegimi më i vërtetë e më i thellë i historisë. Ta jetojmë ditën e
fundit të majit, kushtuar Pasisë së Zojës me ‘Madhërimin’ - ‘Magnificat’ në zemër,
t’i ngjasim Asaj, duke qenë gjithnjë të gatshëm për t’i ndihmuar vëllezërit, që të
mundemi kështu, t’i lartojmë edhe ne Hyjit këngën e gëzimit e të mirënjohjes pa kufi. Në
ditën e fundit të majit, në të cilën kremtohet festa e Pasisë së Zojës, Kisha na paraqet
Marinë si ikonë mahnitëse e shkollë të fesë së krishterë, me rininë e saj të përhershme,
që buron nga Shpirti Shenjt Zot, e na kujton misionin tonë të dëshmimit të Fjalës
së Mishëruar Hyjnore në jetën e përditshme.