2012-05-31 16:22:25

Hetimet në Vatikan. Atë Lombardi: po shqyrtohen dokumentet e gjetura, kërkojmë të vërtetën duke respektuar njerëzit


Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi sqaroi disa nga deklaratat, që kanë dalë në shtypin italian, përsa i përket arrestimit të mazhordomit të Papës, Paolo Gabrieli, i akuzuar se ka nxjerrë jashtë dokumenta të rezervuara nga apartamenti i Benediktit XVI. Pasi sqaroi se nuk është kërkuar bashkëpunimi me autoritetet italiane, theksoi se marrja në pyetje e të pandehurit po bëhet në territorin e Vatikanit nga Xhandarmëria e shtetit papnor. Veprimet e mëtejshme do të vendosen në çastin e duhur. Ndërkaq, po shqyrtohen të gjitha dokumentet e gjetura në shtëpinë e mazhordomit. Paolo Gabrieli ndodhet në një dhomë sigurie në Kazermën e Xhandarmërisë e nuk është e thënë t’i japin arrestin shtëpiak, siç kanë kërkuar avokatët e tij. Pyetja e kamerierit, në praninë e avokatëve të vet, mund të bëhet të hënën e ardhshme:
“Më duket se po bën hapa përpara vullneti për të gjetur të vërtetën, për të sqaruar e për të qenë transparentë, megjithëse gradualisht, prandaj, ndershmërisht, mendoj se po përpiqemi ta zgjidhim këtë çështje të re: kërkojmë të vërtetën, përpiqemi të kuptojmë ç’ka ndodhur objektivisht. Por, më parë duhet të jemi të sigurtë, sepse duhen respektuar njerëzit dhe e vërteta”.
Gjithashtu, atë Lombardi përgënjeshtroi lajmin e publikuar në shtyp, sipas të cilit kardinali Kamilo Ruini, ish-vikar i dioqezës së Romës, ka folur me Sekretarin aktual të Shtetit të Vatikanit, kardinalin Bertone përsa i përket letrave të imzot Viganò-së, ku denoncoheshin veprime të dyshimta në Institutin për Veprat Fetare (Banka e Vatikanit). Gjithashtu, Ruini nuk ka folur as për çështjen e Mexhugorjes, për të cilën është ngarkuar nga Papa të studiojë fenomenin e dukjeve të Zojës. E në fund, edhe hipoteza për dorëheqjen e Papës, që është krejtësisht fantazi, theksoi atë Federiko Lombardi:
“Është pikërisht çasti e situata, për t’i treguar vlerësim Atit të Shenjtë për shërbimin e tij, për të qenë krejtësisht solidarë me të e për t’i treguar edhe botës bashkimin, unitetin e koherencën në përballimin e kësaj çështjeje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.