2012-05-31 10:45:22

Devocioni i muajit maj ndaj Zojës së Bekuar


Në Vatikan muaji kushtuar Zojës së Bekuar do të përfundojë edhe sivjet me procesionin tradicional që do të fillojë në orën 20. 00, nga Kisha e Shën Shtjefnit të Abisinëve për të përshkuar rrugëzat e Kopshteve të Vatikanit, deri tek Shpella e Lurdës. Në përfundim Papa do t’u drejtojë fjalën besimtarëve dhe do t’u japë bekimin e tij apostolik.

Por, si lindi devocioni i muajit të Zojës?
Devocioni i muajit të Zojës, muajit të majit, filloi në vitet 1700, përmes veprimtarisë së tre jezuitëve, që kryenin misionin e tyre në veri, në qendër e në jug të Italisë. Më i njohuri është atë Alfons Muxareli. Etërit jezuitë zgjodhën pikërisht muajin më të bukur të vitit, kur natyra është në kulmin e lulëzimit, që t’i ftonin të gjithë besimtarët për ta nderuar Nënën e Zotit, lulen më të bukur të njerëzimit.

Çka përfaqëson Maria për gratë e kohëve tona?

Gruaja e ditëve tona frymëzohet nga Maria, por sipas figurës biblike, e jo sipas disa klisheve tradicionale, që e paraqesin si grua pasive, që pëson pa bëzajt. Papa Pali VI në ‘Marialis Cultus”, e kundërshton këtë mënyrë paraqitjeje, duke i ftuar besimtarët të shfletojnë Ungjillin për ta njohur Marinë, grua aktive, që e kupton mirëfilli përgjegjësinë e vet, që merr vendime e ‘Madhëron Zotin’, sipas kritereve të dijes hyjnore e jo të dijes njerëzore.

Urata e Rruzares së Shenjtë që lutet posaçërisht gjatë këtij muaji maj, nuk është praktikë që i përket së kaluarës, e aq më pak lutje mekanike, siç na kujton shpesh Papa, po ç’vlerë ka sot kjo lutje mariane?

Rruzarja duhet konsideruar si mënyrë për të vënë në jetë atë që kremtojmë në liturgji e që e shpallim në Shkrimin Shenjt. Është e qartë se Rruzarja Shenjte nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë Kishës. Megjithatë urata e Rruzares lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, edhe Rruzarja ushqehet nga Shkrimi Shenjt e zhvillohet rreth misterit të Krishtit.
Madje cikli i mistereve të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik.
Me kohën liturgjike të Ardhjes e të Krishtlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi.
Me kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq.
Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve pasqyrojnë misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë mbi Kishën.
Festat e të Ngjiturit të Zojës në qiell dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë me dy misteret e fundit.
Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti. Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë e tri serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u ngjall për lumturinë tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.