2012-05-30 16:08:23

Zoti ngushëllon në vuajtje e trazime. Gjatë audiencës së përgjithshme Papa foli për lutjen si takim ndërmjet “po-së” së Zotit e “amen” të njeriut.


Të jetosh çdo situatë të bashkuar me Krishtin është mënyra e vetme për të kapërcyer shkurajimin para vuajtjeve e mundimeve. Kështu tha Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Sot, gjatë audiencës së përgjithshme, Papa Benedikti XVI, thellësisht i prekur, foli qartë për ngjarjet aktuale në Vatikan. Kisha, udhëhiqet nga Shpirit Shenjt, pavarësisht nga ligështia e njeriut, kam besim në bashkëpunëtorët e mi. Ndërsa reflektimin katekizmit e përqendroi mbi kuptimin e lutjes dhe ngushëllimin e Zotit në çaste të vështira.
Pasi shprehu trishtimin për përhapjen e dokumenteve të rezervuara vatikanase, që këto ditë ngjallen shumë diskutime, Papa Benedikti XVI pohoi me bindje të thellë se Zoti nuk e lëshon kurrë dore Kishën e vet. Por, t’i dëgjojmë vetë fjalët e Papës:
“Ngjarjet, që ndodhën këto ditë lidhur me Kurien e bashkëpunëtorët e mi, e trishtuan shumë zemrën time, por nuk e errësuan kurrë bindjen se, pavarësisht nga ligështia e njeriut, vështirësitë e provat, Kisha udhëhiqet nga Shpirti Shenjt e Zoti do t’i japë gjithnjë ndihmën e do ta mbështesë në udhën e saj. Gjithsesi duhet kujtuar se disa mjete komunikimi arritën në përfundime, të cilat shkojnë shumë më larg se faktet, duke e paraqitur Selinë e Shenjtë në një mënyrë, që nuk përkon me realitetin. Dëshiroj, prandaj, t’u përsëris besimin dhe inkurajimin tim bashkëpunëtorëve të mi më të ngushtë dhe të gjithë atyre që, ditë për ditë, me besnikëri, shpirt flijimi e në heshtje, më ndihmojnë në kryerjen e shërbimit tim”.
Nga ana tjetër, kujtoi Ati i Shenjtë, i duartrokitur stuhishëm disa herë nga besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Zoti na ngushëllon në çastet kur vuajmë, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë ata, që kalojnë vështirësi e trazira nga më të ndryshmet.
Edhe sot audienca e Papës u frymëzua nga fjalët e Shën Palit, posaçërisht nga lutja e bekimit dhe e falënderimit drejtuar Zotit, me të cilën Apostulli i Popujve e hap Letrën e dytë drejtuar Korintianëve:
“Të rrëmben, njëherësh me temën e shqetësimit, tema e ngushëllimit, që nuk shikohet thjesht si lehtësim i shpirtit, por mbi të gjitha, si inkurajim e nxitje për të mos iu nënshtruar dëshpërimit e vështirësive. Është ftesë për ta jetuar çdo situatë në bashkim me Krishtin, që merr mbi vete gjithë vuajtjen e mëkatin e botës, për t’i sjellë dritë, shpresë e shpërblim. E kështu Jezusi na bën të aftë t’i ngushëllojmë edhe ata, që kalojnë vështirësi nga më të ndryshmet. Bashkimi i thellë me Krishtin në lutje e besimi në praninë e tij, na bëjnë të gatshëm t’i ndajmë vuajtjet e mjerimet tona me vëllezërit”.
Vetë Pali e di mirë ç’do të thotë vuajtje, jeton mes vuajtjesh. Të shumta janë vështirësitë e trazirat, që iu desh t’i kapërcejë, pa rënë kurrë në dëshpërim, pa e humbur për asnjë çast guximin, i mbështetur nga hiri e nga prania e Zotit Jezu Krisht, të cilit ia kishte dhuruar gjithë vetveten, pa asnjë kusht. Në jetën e Apostullit nuk gjejmë asnjë çast, në të cilin t’i ketë munguar ndihma e Atit të mëshirshëm, Hyjit të të gjitha ngushëllimeve. As atëherë kur, vijoi Papa, për të kumtuar Krishtin, iu desh të provonte të gjitha llojet e persekutimit, nga rrahja, tek mbyllja në burg:
Jeta jonë e udha jonë e krishterë shpesh herë janë plot vështirësi, keqkuptime, vuajtje. Në lidhjen besnike me Zotin, në lutjen e përhershme ditë për ditë, edhe ne mund ta ndjejmë konkretisht ngushëllimin, që vjen nga Hyji. E kjo e forcon fenë tonë, sepse na bën të dëgjojmë zërin e Hyjit që na thotë “po’ në Krishtin, duke na bërë ta provojmë besnikërinë e dashurisë së Tij, e cila arrin deri në dhurimin e të Birit mbi Kryq”.
Pasi u ndalua posaçërisht tek ndihma e patundshme që vjen nga lart, e jo nga ne, Ati i Shenjtë shpjegoi se feja nuk është thjesht vepër njerëzore; në radhë të parë, është dhuratë e Zotit, që na jepet pa asnjë interes e na bën të kuptojmë se jetën tonë duhet ta jetojmë duke e dashur Atë e vëllezërit. E gjithë historia e shëlbimit, vijoi Papa, është zbulesë progresive e kësaj besnikërie të Zotit, pavarësisht nga pabesitë e mohimet tona:
Përballë kontrasteve të marrëdhënieve njerëzore, shpesh edhe familjare, ne nuk tregojmë kujdesin e duhur për ta ruajtur dashurinë pa interes, sepse kjo kërkon impenjim e flijime. Ndërsa Zoti nuk lodhet kurrë me ne, vijon të na durojë e me mëshirën e tij të pakufishme, na e shtrin dorën i pari, vijon të na përsërisë “po’-në, të na pohojë dashurinë e tij të pakufishme. Në ngjarjen e Kryqit, na ofron masën e dashurisë së tij të pallogaritshme, që nuk njeh kurrfarë mase”.
Përmes Shpirtit Shenjt, që e bën vazhdimisht të pranishme e të gjallë ‘po’-në e Zotit në Jezu Krishtin, në zemrën tonë rritet dëshira për ta ndjekur, që të mund të hyjmë, një ditë, plotësisht në dashurinë e tij. Asnjë njeri nuk përjashtohet nga kjo dashuri besnike, e aftë për të pritur me durim, edhe ata, që vijojnë t’i përgjigjen me një ‘jo’ të prerë, duke i mbyllur zemrat, kur dëgjojnë se Ai po troket. E pra, Zoti vijon të trokasë. Sepse e kërkon gjithnjë njeriun, çdo njeri, për t’i dhuruar përsosurinë e jetës, shpresën e paqes.
Në takimin me Atin qiellor, dialogojnë “po’-ja besnike e Zotit e ‘amen” plot bindje nga ana e besimtarit, domethënë, përgjigjja e fesë, me të cilën e përfundojmë gjithnjë lutjen tonë personale e komunitare. Është një ‘po’ e vendosur, me të cilën i përgjigjemi nismës së Zotit. Papa i ftoi besimtarët ta kuptojnë thellësisht termin ‘amen’, që nganjëherë thuhet për forcë zakoni. Në hebraisht e në aramajkisht ‘amen’ ka kuptimin ‘ta bësh diçka të patundshme’, ‘ta forcosh’ e, për pasojë, ‘të jesh i bindur’, ose ‘të thuash të vërtetën’. Kështu ‘amen’ i traditës judaike, u bë ‘amen’ i bashkësive të para të krishtera:
Lutja është takim me një person, që duhet dëgjuar, me të cilin duhet dialoguar; është takim me Zotin, i cili përsërit besnikërinë e tij të patundshme, ‘po’-në, që ia thotë çdo njeriu, edhe ne, për të na dhuruar ngushëllimin e tij në mes të stuhive të jetës e për të na bërë të jetojmë të bashkuar me Të, një jetë plot gëzim e mirësi, që përkryhet në amshim”.
Duke shqiptuar “amen”, që na bashkon me të, kuptojmë edhe se këtë besnikëri nuk mund ta fitojmë kurrë me forcat tona: ajo vjen nga Zoti, nga Krishti vetë, që jeton në ne.
Duke përshëndetur në gjuhë të ndryshme besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa iu drejtua posaçërisht shtegtarëve vietnamezë të kryedioqezës së Hoshimin City, besuar kardinalit Zhan-Baptist Pham Minh Man; pjesëmarrësve në simpoziumin budisto-kristian, që po mbahet në Kastel Gandolfo si dhe të rinjve polakë, që përgatiten për takimin e Lednicës.







All the contents on this site are copyrighted ©.