2012-05-30 16:33:51

Shqipëri: Presidenti, votimi dytë më 4 qershor


Sot paradite Kuvendi i Shqipërisë e kaloi raundin e parë pa votim, pasi në konkurrimin për garën presidenciale të Vendit nuk u paraqit asnjë kandidat zyrtar.
Më herët maxhoranca propozoi kandidaturën e gjyqtarit Xhezair Zaganjori për postin e Kreut të Shtetit, por pa e depozituar zyrtarisht në komisionin e Ligjeve, ndërkohë që opozita u shpreh kundër saj.
Ndërkohë, Konferenca e Kryetarëve e grupeve parlamentare vendosi të mërkurën, që më datën 4 qershor ora 10:00 të zhvillohet raundi i dytë i votimit në Kuvend të kandidaturave për Presidentin e ri të Republikës.
Kështu, pas mbylljes pa votim të raundit të parë në seancën e sotme parlamentare, kryetarja Jozefina Topalli thirri menjëherë konferencën e Kryetarëve për të caktuar datën e votimit të dytë për Kreun e shtetit.
Rregullorja parlamentare (neni 109) përcakton se Presidenti i Republikës zgjidhet në përputhje me nenet 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës, me votim të fshehtë dhe pa debat.
Konferenca e Kryetarëve cakton datën e kryerjes së votimit për çdo raund votimi të përcaktuar në Kushtetutë. Sekretariati për Procedurat dhe Votimet është komisioni i votimit, i cili në këtë rast organizon dhe shpall publikisht rezultatin e votimit.
Ndërkohë, komisioni i Ligjeve shqyrton nëse kandidatët për president i plotësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe i paraqesin raportin seancës plenare, sipas afatit të përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.