2012-05-29 16:47:53

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: arti marian në Lindje, ikona


Ikonat1 duken që në shekullin III–IV, ndërsa zhduken në gjysmën e dytë të shekullit XX. Zhduken së bashku me kishat, për të hyrë në kishën e nëndheshme, të katakombeve, gjatë epokës sovjetike, që i ndaloi rreptësisht. Po kjo nuk i pengoi shumë piktorë ta rroknin përsëri penelin, për krjimin e ikonave të reja, e edhe për restaurimin e ruajtjen me kujdes të ikonave të lashta, me vlera të pallogaritshme artistike. Fenomeni u shtri në të gjitha shtetet satelite të Moskës, e edhe në Shqipërinë e vogël, me një pasuri shumë të madhe ikonash.
Kështu ikonat, që u dukën në shekujt III-IV e u zhdukën disa herë në rrjedhë shekujsh, posaçërisht në gjysmën e parë të shekullit XX, dolën përsëri në dritë në gjysmën e dytë të këtij shekulli.
Prej këndej, nuk mund të mos na lindë pyetja: ç’ e bën ikonën kaq të çmuar, sa t’i shtyjë njerëzit, murgjër e laikë, të vënë në rrezik jetën, për ta krijuar e për ta ruajtur?
“Krishti - thotë Shën Pali - është figura e dukshme e Hyjit të padukshëm” (Kol. 1,15). Me fjalë të tjera, ikonografia e krishterë kumton me figura, të njëjtin Lajm të Mirë, që Shkrimet Shenjte e kumtojnë me fjalë. Figura e fjalë ndriçojnë njëra-tjetrën. (cfr Katekizmi i Kishës Katolike, Pjesa II, seksioni 1160).
Për të arritur në formën e sotme, ikonat përshkuan një rrugë të gjatë, e cila nisi që në lashtësinë e krishterë, për të kaluar nëpër rrethana të ndërlikuara e kultura të ndryshme, duke përballuar disa herë edhe tërbimin e ikonathyersve të të gjitha ngjyrave, që rrënuan një numër të madh ikonash me vlera të shquara fetare e artistike.

Ikonat e para i gjejmë në katakombet e shekullit III. Paraqesin Nënën e Zotit në çastin e adhurimit të Mbretërve Dijetarë. Kristologjike, këto ikona, sepse ikonografia mariane, ashtu si Mariologjia, varet pikërisht nga Kristologjia e nga ikonografia e Krishtit.
Por ikonat e katakombeve nuk janë figure kulti: mbeten në sferën e simbolit e nuk mund t’i kapërcejnë këto kufij, sepse kur u pikturuan, Kisha nuk i kishte përcaktuar ende përmasat e misterit të Mishërimit, që do të duken me Koncilet e para.
Lulëzimi i ikonës arriti një nga kulmet duke u nisur nga shekulli IV, kur Kostandini e shpalli krishterimin fe të shtetit (380), e për Kishën nisi epoka e paqes. Atëherë u krijuan vepra, që ndikuan fuqimisht edhe mbi shekujt e mëpasëm, sidomos pas Koncilit III Ekumenik të Efezit (432), që e shpalli Marinë Nënë e Zotit. Atëherë Nëna e Zotit, Kyriotissa nisi të pikturohej, me teknikën e afreskut e të mozaikut, e ulur solemnisht mbi fron, pranë Krishtit Mbret, siç e shikojmë në Bazilikën romake të Shën Marisë në Trastevere.
Lulëzimi i ikonës u ndëpre përkohësisht nga dueli ndërmjet mbrojtësve e kundërshtarëve të ikonave, ndërmjet ortodoksëve e heretikëve. Nisën vitet e errëta të thyerjes së ikonave (730-780). Ikonat u ndaluan e u konsideruan idhujtari. Po kjo nuk ishte thjesht çështje fetare: ishte fundi i një epoke, që i vuri në dyshim vlerat në të gjitha fushat.
Kur dyshimi u davarit, ikonat dolën përsëri në dritë (780-813), për t’u thyer përsëri, gjatë periudhës së re ikonathyerse(818-842). Në vitin 843 u mblodh një Koncil i ri, që siguroi përsëri ngadhënjimin e ikonave, mbi bazën e ripohimit të Mishërimit të Zotit, me shprehjen “Fjala e papërshkrueshme e Atit, u bë e përshkrueshme, duke u mishëruar në ty, Mari”.
E ikona e Marisë u riduk me triumf në muret e të gjitha kishave e në këndet më të nderuara të shtëpive, rrethuar me dritën e qirinjve e të zemrave.
Ikona më e lashtë, që njihet deri më sot, është ajo e “Virgjërës mbi fron”, ruajtur në manastirin e Shën Katerinës, në Sinai. E lashtë është edhe ikona e Marisë ‘shpëtimi i popujve romakë’ shumë e nderuar në Romë (shek VII-VIII) si dhe Sancta Maria Antiqua, që ruhej në kishën me të njëjtin emër, sot e mbyllur. Ndërsa ikona mahnitëse, ardhur nga Palestina, mund të soditet në sakrestinë e Kishës së Shën Françeskës Romake.
E kryevepra ikonash dolën edhe nga peneli i artistëve shqiptarë, shpërndarë në Kishat e Voskopojës, Beratit, Korçës, Ardenicës e deri në Malin e Shenjtë, ndonëse dhe në këto vise iu desh të përballonin furinë e ikonoklastisë e re të shekullit XX. Janë vepra të mjeshtërve shqiptarë, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Kostandin e Athanas Zografi e, sidomos, të kryepiktorit të ikonave, Onufrit, që vënë gjithnjë në krye të vendit, Krishtin e Nënën e tij, Marinë.

1 Fjala ikonë vjen nga greqishtja e ka kuptimin ‘figurë’, ‘portet’. Prej fjalës ikonë, rrjedhin fjalët ‘ikonografi’, ‘ikonologji’, ‘ikonostas’, ‘ikonograf’ etj. me ndikime të ndjeshme bizantine.







All the contents on this site are copyrighted ©.