2012-05-29 11:23:52

Më 29 maj kalendari kujton shën Ursulen Ledohovska


Më 29 maj kalendari Kishtar përkujton shën Ursulen Ledohovska, rregulltare. Julia Maria Ledohovska, me emrin rregulltar Ursula, lindi në Losdorf të Austrisë më 17 prill 1865. Ishte bijë e një familjeje të bekuar nga Zoti, që i dhuroi Kishës të Lumen Maria Tereza Ledohovska, motër e Ursulës, dhe eprorin 26-të të përgjithshëm të Shoqërisë së Jezuitëve, Vladimir Ledohovski, lindur më 17 prill 1865 në një familje fisnike polake me banim në Austrinë e poshtër.
Vajza e re, si pati ndjekur shkollën në Sankt Polten, shkoi në fermën e Lipnica Murovanës, blerë nga i ati. Ferma, ku u transferuan prindërit, ndodhej pranë Krakovisë. Ursula 21 vjeçare hyri në kuvendin e motrave orsoline të Krakovisë, ku në prill të vitit 1899 bëri kushtet e përjetshme. Edukatore dhe mësuese aktive, themeloi një konvikt për vajza, të cilat i organizoi në Shoqatën e Bijave të Zojës. Qe edhe eprore e kuvendit nga viti 1904 deri në vitin 1907.
U thirr, më pas në Shën Peterburg, nga famullitari i kishës së Shën Katerinës, i cili i besoi drejtimin e një konvikti për studentet polake në mërgim. Ishte një mision jo i lehtë, për shkak të persekutimit të saj si shtetase austriake. Për ta kryer këtë detyrë, iu desh të vishej me rroba civile. Po rregulltarja nuk ishte nga ato që tremben lehtë.
Më 1909 themeloi një shtëpi të re orsolinesh në Finlandë, ku hapi dhe një shkollë në ajër të pastër për vajzat shëndetliga, duke ndjekur modelin anglez. Më pas themeloi edhe një shtëpi tjetër rregulltare për simotrat në Shën Peterburg. Shkriu gjithë jetën për nevojtarët, duke shtegtuar vazhdimisht nga Rusia, në Suedi, në Danimarkë, Finlandë e Poloni.
Në vitin 1920, duke ndjekur dëshirën më të fshehtë të zemrës, u shkëput nga Kongregata e saj e themeloi Kongregatën e re: ‘Orsolinet e Zemrës së Krishtit në grahmat e vdekjes’. Në Poloni motrat e para të Kongregatës së re u mbiquajtën ‘orsolinet ngjyrë hiri’, për shkak të veshjeve, ndërsa në Itali nisën të thirren ‘motrat polake’.
U miratuan më 1930, ndërsa Ursula vdiq në Romë në vitin 1939, duke lënë pas një Kongregatë të lulëzuar, që numëronte 35 shtëpi me më se 1000 motra si dhe një mori shkrimesh për meditime, të gjitha në gjuhën polake. Ursula u shpall e Lume në Poznan të Polonisë më 20 qershor 1983 e shenjte, në Romë, më 18 maj 2003. Të dyja kremtimet solemne i kryesoi vetë Papa Gjon Pali II.







All the contents on this site are copyrighted ©.