2012-05-29 18:01:03

Hetimet në Vatikan. Atë Lombardi: provë e vështirë, që përballohet me fuqinë e fesë


Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, mbajti sot një takim të shkurtër me gazetarët, kushtuar hetimeve, që vijojnë në Vatikan, lidhur me problemin e përhapjes së dokumenteve të rezervuara.
Ripohoi shqetësimin e Kishës për lajmet dramatike, që arrijë nga Siria, por edhe dhimbjen e pjesëmarrjen e Atit të Shenjtë për lëkundjet e reja të tërmetit në modeneze të Italisë:
“Është e drejtë t’u shprehim gjithë pjesëmarrjen e dhimbjen tonë këtyre popullsive si dhe dëshirën që të gjinden sa më shpejt rrugëzgjidhje paqësore. Edhe për tërmetin e sotëm shprehim dhimbjen tonë të thellë, sepse na preku e na emocionoi shumë. Prej këndej, pjesëmarrja e Atit të Shenjtë dhe e ne të gjithëve”.
Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit nënvizoi se Papa u trondit shumë nga këto ngjarje. Tërmeti, sqaroi atë Lombardi, nuk do të sjellë asnjë ndryshim në programin e shtegtimit të afërt të Papës në Milano me rastin e Takimit VII të Familjeve.

Ndërsa për çështjen e dokumenteve të Vatikanit, të marra nga Paolo Gabriele, Atë Lombardi sqaroi se Ati i Shenjtë po e ndjek me vëmendjen më të madhe këtë ngjarje, që e prek thellë e nga afër. Ripohoi vullnetin e Gabrieles për të bashkëpunuar me magjistaturën vatikanase, ndërsa përgënjeshtroi lajmin, sipas të cilit në shtëpinë e kontrolluar u gjetën pliko të gatshme për t’u nisur në adresat përkatëse. Përgënjeshtroi edhe lajmin e marrjes në pyetje të pesë kardinajve.
Papa e Kuria Romake, përfundoi Atë Lombardi, vërtet po e jetojnë këtë ngjarje si provë të vështirë, por duke e përballuar me fuqinë e frymen e fesë e të së vërtetës:
“Përpiqemi të reagojmë në mënyrë korrekte, duke bërë me vërtetësi një udhë edhe të vështirë, për të rivendosur besimin dhe funksionimin e mirë të qeverisjes së Kishës e të institucioneve të saj. Është, pa dyshim, një provë impenjative për Papën e për Kurien Romake. Urojmë që të kapërcehet me rrugë sa më të drejta”.







All the contents on this site are copyrighted ©.