Në fillim
të shkurtit të vitit 2011, eshtrat e priftit e të atdhetarit të madh shqiptar, dom
Nikollë Kaçorrit, u kthyen në vendlindje. Me atë rast, në Kishën e shën Luçisë në
Durrës, u kremtua Mesha e dritës, udhëhequr nga kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot
Rrok Mirdita. Në homelinë e kësaj Meshe përkujtimore, imzot Rrok Mirdita e kujtoi
gjigantin e fesë e të kombit shqiptar, imzot Nikollë Kaçorrin, duke nënvizuar kontributin
e tij për Fe e Atdhè, si prift dhe si nënkryetar i Qeverisë së Vlorës. Ja homelia
e imzot Rrok Mirditës mbajtur me atë rast. Mbi lumenjtë e Babilonisë, Atje rrinim e vajtonim, E nëpër mend shkonim Sionin. Atje, shpërngulësit tanë na kërkonin këngë: “Na këndoni këngët e Sionit!” Po si mund t’i këndojmë këngët
e Zotit në dhe të huaj? Të
nderuar Zonja dhe zotërinj, Të
dashur vëllezër e motra, Psalmi
137 përshkruan me nota melankolie të thellë gjendjen e hebrenjve larg tokës së tyre
të pushtuar e të shkretuar nga babilonezët para 2500 vjetësh. “Si mund t’i këndojmë
këngët e Zotit në dhe të huaj?”, thotë psalmisti. Historia biblike e shpërnguljes
së hebrenjve është paradigmë e një populli që kërkon një atdhe ku të jetë i lirë,
sepse vetëm në liri mund të këndohen këngët e Zotit. Sot kemi para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të
kombit tonë, që gjatë tërë jetës ka kërkuar një atdhe të lirë dhe ka vdekur tokë të
huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet
e fjalës themel. Së pari, sepse ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të
prisnin më për t’u çliruar nga sundimi i gjatë osman, dhe kjo bindje e ka shtyrë të
angazhohet për të përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht popullin shqiptar
për shpalljen e pavarësisë. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur
nga Trieste për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja
e pavarësisë në Durrës vihej në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar
nga pretendimet serbe dhe greke, bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni
drejt Vlorës. Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit
dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së
pavarur, por u bë edhe zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron
në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të
këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur
dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu
edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e
tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë
godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të
banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot
Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që në Shqipëri
të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi i historisë
sonë të hershme dhe të vonë, me motivin e vetëm, që kujtesa historike kombëtare të
bëhet një thesar i çmueshëm nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe
të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj
shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e
shpirtit të kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari,
të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde. Këtë ndihmesë e kanë dhënë të gjithë ata që janë kujdesur
për kthimin në atdhe të eshtrave të Imzot Kaçorrit, prandaj atyre u drejtoj me gëzim
dhe kënaqësi mirënjohjen time më të thellë. Le të kthehemi edhe një herë tek psalmisti i sotëm. “Si t’i këndojmë këngët
e Hyjit në tokë të huaj?” Përvoja e tokës së huaj ka qenë përvoja e gati gjithë jetës
së Imzot Kaçorrit. Ai lindi në një fshat të Lurës në atë periudhë të historisë kur
toka e shqiptarëve ishte si të ishte e huaj, sepse gjendej nën zotërimin e Portës
së Lartë të Stambollit. Pas studimeve teologjike bazë në Shkodër, që do ta përgatisnin
për meshtari, njohu të tjera toka të huaja, sepse kaloi disa vite studimi në Zvicër,
për t’u kthyer në Shqipëri me prerjen mendore të njeriut evropian, për t’iu kushtuar
bashkësive katolike të kurbinit dhe të Durrësit. Përkushtimi baritor përfshinte realitetin
njerëzor në tërë përmasat e tij, prandaj famullitari i Durrësit jo vetëm që nuk la
pas dore lëngatën në të cilën gjendej popullsia shqiptare nën sundimin turk, por u
vendos në krye të lëvizjes për pavarësi. Pas shpalljes së pavarësisë, gëzoi vetëm
për dy vjet shijen aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi
Qamilit jo vetëm që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvendëskryeministër, por i dogji
shtëpinë në Durrës, duke kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura
të Shqipërisë së asaj kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë
së Ismali Qemalit, largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh,
për t’u lënë në harresë. Harresa,
megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë. Nëse Psalmisti nuk i këndonte dot këngët e Zotit mbi lumenjtë
e Babilonisë, sepse e digjte malli për Jerusalemin, sikurse malli digjte edhe Imzot
Kaçorrin për Shqipërinë kur gjendej pranë brigjeve të lumit Danub në Vjenë, famullitari
i Durrësit mund t’i këndonte këngët e Zotit edhe në dhe të huaj, sepse kishte bërë
gjithçka që kishte qenë e mundur për dheun e vet. Në Ungjillin e sotëm kemi dëgjuar tregimin e takimit të Jezusit me farisenjtë,
që duan të dinë prej tij a duhet t’i paguhet taksa Çezarit apo jo. Para se të japë
përgjigjen, Jezusi kërkon një monedhë dhe, duke parë mbi të shëmbëllimin e Çezarit,
thotë fjalinë e famshme: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit dhe Zotit çfarë i takon
Zotit!”. I gjithë angazhimi politik
i Imzot Bumçit nuk ka qenë tjetër, përveçse përpjekje e sinqertë për t’i dhënë Çezarit
çfarë i takon Çezarit. Sa herë që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në
politikë hyhet për të fituar, ose, edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia
e shtetit tonë, që, pas pak më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur
me shembuj të një politike të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht,
jo vetëm forcat e Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe
tranzicioni i stërzgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës
së kuptuar si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në
politikë hyhet jo për të marrë, por për të dhënë: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit!”
Imzot Kaçorri, i mbrujtur
me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë jo për të marrë,
por për të dhënë, dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe famën e emrit të
vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë famë, që të jetë
model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët që kërkojnë frymëzim
për vizionin e tyre politik. Duke
u kthyer tek Ungjilli i sotëm, në gjestin e Jezusit, që kërkon të shohë shëmbëllimin
e Çezarit në monedhën e perandorisë, duhet të lexojmë edhe diçka më shumë. Nëse në
monedhë gjendet shëmbëllimi i Çezarit, brenda njeriut gjendet shëmbëllimi i Hyjit.
Libri i Zanafillës, kur tregon krijimin e njeriut, na bën me dije se Zoti tha: “Ta
bëjmë njeriun në shëmbëllimin tonë”. Brenda njeriut, brenda çdo njeriu, Jezusi shikon
shëmbëllimin e Hyjit, prandaj ai ka ardhur për t’i kthyer njerëzit tek Hyji. Këtu gjejmë edhe përmasën tjetër të Zëvëndëskryeministrit
të parë të Shqipërisë së pavarur. Ai, imzot Nikollë Kaçorri ishte njeri i Zotit, prandaj,
sikurse ka jetuar politikën si mundësinë për t’i dhënë Çezarit çfarë i takon Çezarit,
pra si shërbim dhe jo si pushtet, poashtu ka jetuar edhe besimin se thirrjen më të
lartë të njeriut për t’iu kushtuar tërësisht Zotit. Madje në këtë thirrje të Zotit,
për të realizuar brenda nesh ngjashmërinë me të, qëndron edhe çelësi i thirrjes sonë
për t’u angazhuar në jetën sociale dhe politike. Është pikërisht forca e kësaj thirrjeje që na nxjerr nga përtacia jonë dhe
na angazhon për të mirën e të gjithëve, sikurse na porosit shën Pali në leximin e
dytë të kësaj liturgjie nga Letra e Dytë drejtuar Selanikasve: “Po ju porosisim, o
vëllezër, në emrin e Zotit Jezu Krisht, të largohemi nga çdo vëlla që jeton në përtaci
dhe jo sipas traditës që morët prej nesh” (2Sel 3,6). E më tej përsëri: “Po dëgjojmë
se disa nga ju jetojnë në përtaci, nuk bëjnë asnjë punë dhe merret me gjëra të kota.
Këta i porosisim dhe i lusim në emër të Zotit Jezu Krisht që t’i shtrohen punës për
të nxjerrë bukën e gojës” (2Sel 3,11-12). Gjatë tërë jetës së tij Imzot Kaçorri ka
punuar pa u lodhur për të mirën e vendit të vet, prandaj sot, fjalët e Apostullit
Palë duket sikur na i thotë edhe ai neve, duke na lënë një shembull të mirë të jetës
së krishterë: “Ju e dini se si duhet të ndiqni shembullin tonë, sepse ne nuk jetuam
në përtaci kur ishim mes jush e as nuk kemi ngrënë falas nga ndonjëri prej jush, por
jemi lodhur e munduar duke punuar ditë e natë për të mos iu bërë barrë ndokujt” (2Sel
3,7-8). Deri më sot historia
e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë që ai i ka
dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu në emrin
e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që Zoti të shpërblejë
me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet e tij. Amen. Imzot Rrok Mirdita |
All the contents on this site are copyrighted ©. |