Botohen normat për gjykimin e dukjeve të supozuara
Dhënia e gjykimit për dukjet e supozuara, të cilave u është atribuar një zanafillë
e mbinatyrshme, është detyrë e rëndësishme e Kishës: e pohon këtë Kongregata për Doktrinën
e Fesë, e cila këto ditë botoi në kanalin “Normat për vijimin e gjykimit të
dukjeve e të zbulesave të supozuara", shpallur që më 1978 nga vetë dikasteri. Përveç
tekstit në latinisht, janë përkthyer në pesë gjuhë. Botimin e normave e shoqëron një
parathënie e prefektit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinalit Uiljam Levada. Është
aktuale problematika e përvojave, që lidhen me fenomene të mbinatyrshme në jetën e
në misionin e Kishës: kështu shkruan kardinali Levada në hyrjen e Normave që kanë
të bëjnë me dhënien e gjykimit në rastet e dukjeve e të zbulesave të supozuara. Kjo
normativë u hartua më 1978, nën papninë e Palit VI, për t’u përdorur vetëm nga ipeshkvijtë,
por më pas, u duk, pa autorizimin përkatës, në disa vepra. Prandaj tani botohet zyrtarisht
nga vetë Kongregata. Kardinali Levada kujton disa fragmente nga “Verbum Domini”,
Nxitje Apostolike pas-sinodale, nënshkruar nga Benedikti XVI në vitin 2010, në të
cilën Papa nënvizon ndryshimin ndërmjet zbulesës unike publike, domethënë Fjalës së
Zotit, që kërkon feja jonë, e zbulesave private, që janë të vërteta e të besueshme
vetëm në se orientohen nga Krishti e na kujtojnë Zbulesën e Tij. Një zbulesë private,
prandaj, e ndihmon fenë. Miratimi kishtar i saj tregon qartë se nuk i kundërvihet
fesë e se mund të pranohet, me kujdes, edhe nga besimtarët. Ajo mund të ndihmojë për
ta jetuar e për ta kuptuar më mirë Ungjillin në epokën aktuale, prandaj nuk duhet
shpërfillur, por nuk është e detyrueshme të përdoret e, në çdo rast, duhet parë si
ushqim i fesë, i shpresës e i dashurisë së krishterë. Prandaj Kongregata i boton
zyrtarisht Normat, përfundon kardinali Levada: që t’i ndihmojë barinjtë e Kishës katolike
në detyrën e vështirë të dhënies së gjykimit për dukjet e zbulesat, mesazhet apo fenomenet
me zanafillë që thuhet se janë të mbinatyrshme. Urohet që teksti të jetë i dobishëm
edhe për teologët e specialistët e sektorit, në një fushë, e cila sot ka nevojë për
reflektim gjithnjë më të thellë. Lidhur me përmbajtjen e vetë Normave, po kujtojmë
përmbledhtas se kanë të bëjnë me kriteret mbi bazën e të cilave mund të gjykohet,
me një farë probabiliteti, karakteri i dukjeve e i zbulesave të supozuara. Këto kritere
ndahen në “pozitive” - për shembull siguria morale ose së paku, mundësia e madhe e
ekzistencës së faktit, pas një sërë hetimesh, ekuilibri fizik e psikik i subjektit
dhe ndershmëria e jetës; ndërsa kritere negative janë gabimet doktrinore që i atribuohen
Zotit, këkimi i fitimit, sëmundjet psikike të subjektit ose aktet imorale të kryera
prej tij.Së fundi, përcaktohen kompetencat e ndërhyrjes, duke ripohuar se i përket
ipeshkvit të vendit detyra të informohet me shpejtësi e të përpiqet me kujdes për
ta sqaruar ngjarjen, ndërsa Konferenca lokale dhe Kongregata për Doktrinën e Fesë
do të ndërhyjnë më vonë, me kërkesën e vetë ipeshkvit dioqezan ose të një grupi cilësor
besimtarësh, që nuk nxiten nga asnjë arsye e dyshimtë.