2012-05-28 18:09:50

Shën Gjoni i Avilës, meshtar, predikatar e mistik i madh.


I lindur në Almodovar del Kampo, më 6 janar 1499, vdekur në Montila, më 10 maj 1569, Gjoni ishte meshtar spanjoll, predikatar e mistik i madh. I shpallur shenjt nga Papa Pali VI më 1970, njihet si Apostull i Andaluzisë.
Lindi në gjirin e një familjeje fisnike kastiliane, ku mori mësimet e para të fesë e nisi edhe rrugën e dijes. Në moshën e pjekurisë, vijoi studimet për drejtësi në universitetin e famshëm të Salamankës, për të kaluar, më pas, në Universitetin e Alkalá de Henares, ku u diplomua në filozofi e teologji. Mbeti jetim kur ishte ende student e, kur u shugurua meshtar, në vitin 1525, Meshën e parë e kremtoi në Kishën, ku ishin varrosur prindërit, për t’ua shpërndarë, më pas, të gjitha pasuritë të varfërve.
Më 1527 deshi të nisej për në Meksikë, por zelli e gojtaria, që e bënë shumë të famshëm, shkuan në vesh të ipeshkvit të Seviljes, që e ngarkoi të organizonte misionet popullore në të gjithë Andaluzinë, për t’i dhënë gjallëri të re fesë në këto troje. Fama e Gjonit si gojtar u përhap me shpejtësi në të gjitha shtresat shoqërore të popullsisë, aq sa të bëhej legjendare. Prej këndej, u caktua të mbante predikimin me rastin e salikimeve të Mbretëreshës Izabela e Portugalisë, bashkëshorte e Karlit V, kremtuar më 17 maj 1538.
Mik i Shën Injacit të Lojolës, ndihmoi shumë për përhapjen e jezuitëve në Spanjë; mbështeti Shën Terezën e Avilës në veprimtarinë për reformimin e Urdhërit Karmelitan dhe Shën Gjonin e Zotit, për themelimin e Urdhërit Fatebenefratelli. E ishte pikërisht homelia e mbajtur prej tij në salikimet e Izabelës së Portugalisë, që shkaktoi kthimin e Shën Françeskut Borxhia, i cili braktisi detyrën e mëkëmbësit të mbretit të Katalonjës, për t’u bërë meshtar jezuit.
Shën Gjoni i Avilës njihet si autor i shumë veprave me karakter devocinal. Ndërmjet tyre, “Epistolari shpirtëror”, që pati sukses të madh në gjysmën e shekullit XVII, u përkthye në shumë gjuhë e u përhap në mbarë Evropën.
Kulti i tij u miratua nën papninë e Klementit XII. U shpall ‘Venerabile’(i Nderuar) më 8 shkurt 1759; Leoni XIII e lumnoi më 4 prill 1894 e Pali VI e shenjtëroi më 31 maj 1970.
Kisha katolike e përkujton festën e Shën Gjonit të Avilës më 10 maj.
Më 20 gusht 2011, gjatë Ditës XXVI Botërore të Rinisë në Madrid, Papa Benedikti XVI njoftoi se së shpejti do ta shpallte Doktor të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.