2012-05-28 13:37:29

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: Bukuria e Marisë


Bukuria e Marisë? Ungjijtë nuk flasin fare për bukurinë e Nënës së Krishtit. Kujtojnë vetëm përvujtërinë e Saj të madhe e pastrinë e plotë virgjërore, bukuri këto, morale e shpirtërore. Për bukurinë fizike, në vështrimin e parë, asgjë. Megjithatë për Zojën është shkruar: “Duke ardhur në botë, Jezusi kishte në ballë pasqyrimet e bukurisë së Virgjërës, kthjelltësinë, shikimin e saj të dlirë, e, ja që tani, në gjithë qenien e Nënës, pasqyrohet bukuria e Krishtit Shëlbues”.
Bukuria e Marisë? Është, në radhë të parë, shkëlqim, që buron nga hiri. Prej këndej edhe Kryeengjëlli Gabriel e përshëndeti me fjalën “Hirëplote”.
Ndërsa Shën Luigji Maria Grinjon de Monfort e përshkruan me këto fjalë: “Hyji Atë i mblodhi bashkë të gjitha ujërat, e i quajti det; mblodhi të gjitha hiret e veta, e i quajti Mari”.
“Pikërisht përsosuria e hireve e bën Virgjërën Mari edhe fizikisht, më të bukur nga të gjitha gratë, që kam njohur ndonjë herë”, pohonte Bernardetë Subirù në vitin 1854, duke iu përgjigjur pyetjes së komisarit Zhakomé, ashtu si u përgjigjën të gjithë ata, që patën fatin e padëgjuar ta shohin “Zonjën e Bukur”.
Bukuria e Marisë? Në të vërtetë Shkrimet Shenjte nuk na thonë, asgjë të drejtpërdrejtë për bukurinë e Saj. Por tërthorazi na e thonë e në njëmijë mënyra. E shpjegojnë këtë etërit, dijetarët e Kishës e ekzegjetët e Biblës, sipas të cilëve Kënga e Këngëve flet pikërisht për Marinë, për bukurinë e Asaj, që quhet “E shumëdashur”, pa asnjë njollë?

1. Sa e bukur je, mikesha ime, sa e bukur je!
Sytë e tu janë pëllumba
fshehur pas degërmisë.
Flokët e tu porsi tufë dhish
që zbresin brinjash të Galaadit.
2. Dhëmbët e tu, porsi grigjë delesh pas të qethurit
që dalin jashtë prej ujit;
ecin dy e nga dy e kurrnjë s’ është pa shoqe.
3. Buzët tua janë si një shirit purpuri,
e goja jote e mbushur është me hir,
këto faqet tua - kuq si kokrra e shegës
vetojnë nëpër velin tënd.
4. Qafa jote, si pirgu i Davidit
luginën që sundon.
Njëmijë mburoja varur janë në tê,
si të ishin armatime për kreshnikë.
5. E gjiri yt është porsi dy drenusha
binjake të një dreri
që gjejnë kullotë ndër lila.
7. S’ka gjë më të mirë se ti, mikesha ime
në ty s’ka kurrnjë njollë.
9. Ti zemrën krejt ma rrëmbeve,
o motër, vashë e nuse,
ti zemrën ma grabite
vetëm me një shikim,
vetëm me një stolí të gjerdanit tënd!
12. Je kopsht i thurur ti,
o motra ime, ti vasha-nuse,
je kopsht i thurrur e krua i kyçur.
15. Krua që lag kopshtijet,
një krua me ujë të gjallë
që gurgullon prej Libanit.

Kënga e Këngëve 4,1-5.7.9-12-15

Në të gjitha fushat e artit, në të gjitha kulturat e universit e në të gjitha epokat, një numër i pallogaritshëm artistësh, të njohur e të panjohur, të tërhequr e të pushtuar nga shkëlqimi marian, u përpoqën ta pasqyrojnë në artin njerëzor, bukurinë hyjnore e njerëzore të Marisë. Kështu, duke u nisur nga Bija e Sionit, te Zoja e Këshillit të Mirë, te Maria meksikane, Zoja e Gudalupes, e Fatimës, te Zojat afrikane, japoneze e tek ikonat sllave, në botë mund ta sodisim bukurinë e Marisë në aq shumë figura, sa racat njerëzore nën qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.