2012-05-28 14:54:10

Benedikti XVI uron që bashkimi i Rrëshajëve të fitojë mbi Babelin e përçarjeve e të armiqësive.


“Rrëshajët janë festa e bashkimit, e mirëkuptimit, e unitetit ndërmjet njerëzve. I kundërvihen Babelit, ku njeriu dëshiron të jetojë pa Zot, duke u bërë gjithnjë më pak i aftë për të dashur e, prej këndej, gjithnjë më pak njeri: ky, thënë me dy fjalë, ishte thelbi i homelisë së Papës, gjatë Meshës së djeshme, kryesuar në Bazilikën e Vatikanit, në të Dielën e Rrëshajëve.
Ati i Shenjtë përshkroi qartë si Babelin, ashtu edhe Rrëshajët. Duke u nisur nga leximet, që propozonte Liturgjia e Solemnitetit, shpjegoi atë që ka ndodhur e vijon të ndodhë, si dje, edhe sot:
“Vërejmë sot fakte të përditshme, që të krijojnë përshtypjen se njerëzit po bëhen gjithnjë më agresivë, gjithnjë më nopranë, gjithnjë më pak të gatshëm për ta kuptuar njëri-tjetrin. Prej këndej, zgjidhet rruga e mbylljes në vetvete, mendohet se është më mirë të shikohen vetëm interesat vetjake”.
Po rijetojmë sot përvojën e Babelit, pohoi Papa. E posaçërisht atje, ku njerëzit kanë përqendruar në duart e tyre aq shumë pushtet, sa të mendojnë se mund t’i zënë vendin edhe Zotit. Por ja ç’ndodhi në Babel:
Ndërsa njerëzit po punonin së bashku për të ndërtuar një kullë, papritmas kuptuan se ndërtonin njëri kundër tjetrit. Ndërsa përpiqeshin të bëheshin si Zoti, u rrezikuan të mos ishin më as njerëz, sepse humbën elementin themelor njerëzor: aftësinë për t’u marrë vesh, për ta kuptuar njeri-tjetrin e për punuar së bashku”.
Një rrëfim biblik, kujtoi Papa, që vlen edhe për sot: njeriu i sundon forcat e natyrës, i manipulon deri në atë shkallë, sa të priret për të ‘fabrikuar’ deri jetën njerëzore. Në këtë situatë t’i lutesh Zotit duket diçka krejt e vjetëruar, e panevojshme, me që ne vetë mund të ndërtojmë gjithçka me duart tona, e mund t’i realizojmë të gjitha dëshirat tona. Por ja, Babeli shfaqet përsëri në horizontin njerëzor:
Është e vërtetë, kemi shumëfishuar mundësitë për të kumunikuar, për të pasur informacione, për të transmetuar lajme, por, a mund të themi edhe se është rritur aftësia për t’u kuptuar, apo ndoshta, krejt përkundra, kuptohemi gjithnjë më pak? Thua nuk ndjehet fort ndërmjet njerëzve gjarpërimi i mosbesimit, i dyshimit, i frikës nga njëri-tjetri, deri në atë shkallë, sa të bëhemi të rrezikshëm për njëri-tjetrin?”.
Bashkimi, vijoi Papa, mund të jetë vetëm dhuratë e Shpirtit të Zotit, që i jep njeriut një zemër të re, një gjuhë të re, një aftësi të re për të komunikuar. Është flakë dashurie, që të shndërron. E pikërisht kjo ndodhi me dishepujt për Rrëshajë:
“Frika u zhduk, zemra ndjeu një forcë të re, gjuhët u zgjidhën e nisën të flasin qartë, që të gjithë ta kuptonin kumtimin e Jezu Krishtit të vdekur e të ngjallur. Për Rrëshajë, atje ku kishte përçarje e keqkuptim, lindën bashkimi e mirëkuptimi”.
Kisha, falë Shpirtit Shenjt, bëhet vend uniteti e bashkimi në të Vërtetën: të veprosh si i krishterë, shtoi Papa, nuk do të thotë të mbyllesh në vetvete, por të takohesh me të tjerët, t’i mirëpresësh e të mirëpritesh, të bëhesh i aftë për të dëgjuar e për të ndarë të mirat e të vështirat me tjetrin. Kisha nuk është ‘unë’, është ‘ne’. Pikërisht kjo ‘ne’ e Kishës na bën të aftë të dalim përvujtërisht nga vetvetja. E kështu bëhet më e qartë pse Babeli është Babel e Rrëshajët janë Rrëshajë:
Atje ku njerëzit duan të bëhen Zot, nuk mund të mos i kundërvihen njëri –tjetrit. Ndërsa ku është e vërteta e Zotit, zemrat hapen, Shpirti i Zotit i pushton, i ndihmon, i bashkon”.
Megjithatë, siç na e kujton edhe Shën Pali, shpirti i njeriut karakterizohet nga konflikti, nga ndeshja e vazhdueshme ndërmjet shtysave, që vijnë nga mishi e gjaku e atyre, që vijnë nga Shpirti. E ne, vërejti Papa, duhet të zgjedhim ndërmjet dy rrugëve. Zgjedhje pa asnjë kompromis.
Shën Pali na i kujton qartë ‘veprat e mishit e të gjakut’: janë mëkati i egoizmit e i dhunës, i kurvërisë, i flligështisë, i lirisë pa fre, idhujtarisë, shortive, armiqësive, grindjeve, zilisë, mosmarrëveshjeve, ndasive, tarafeve, sëmirës, dehjes, grykësisë e vese të tjera kësisoji (Gal 5, 19-21): të gjitha vepra që i bien ndesh fesë e dashurisë së krishterë. Është drejtim që të çon në humbjen e jetës:
“Shpirti Shenjt na prin kah lartësitë e Zotit, duke na ndihmuar ta jetojmë që mbi këtë tokë mugullimin e jetës hyjnore, që e kemi në shpirt. Shpirti Shenjt, na kujton Shën Pali, e ushqen jetën e krishterë, duke frymëzuar dashurinë, gëzimin, paqen, duresën, bujarinë, dashamirësinë, mirëbesimin, besnikërinë, ëmbëlsimin, përkurmërinë” (Gal 5, 22); e këto janë frytet e Shpirtit që lulëzojnë në fe”.
Prej këndej, ftesa e Papës, në përfundim të homelisë, për të kaluar nga shkapërderdhja e Babelit, në unitetin e Rrëshajëve:
Të dashur miq, duhet të jetojmë sipas Shpirtit të unitetit e të vërtetësisë, e për këtë, duhet të lutemi që Shpirti i Zotit të na ndriçojë e të na prijë, që të fitojmë mbi joshjet, të cilat na shtyjnë të ndjekim të vërteta e tona, e të pranojmë të Vërtetën e Krishtit, të transmetuar në Kishë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.