Solemniteti i Rrëshajëve: Shpirti Shenjt e dëbon frikën e na bën ta ndjejmë veten
në dorën e Gjithëpushtetit të dashurisë.
Atmosferë solemniteti në Kishë: mbarë bota e krishterë jetoi përsëri atmosferën e
Rrëshajëve. E Papa Benedikti XVI sot paradite kryesoi Meshën Shenjte në Bazilikën
e Vatikanit për të kremtuar ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi Marinë dhe Apostujt, mbledhur
në Çenakull. Pesëdhjetë ditë pas Pashkëve, realizohet premtimi, që Jezusi u pati bërë
dishepujve të vet: pagëzimi në Shpirtin Shenjt dhe ndikimi nga lart i pushtetit, për
t’ia kumtuar me bindje e forcë Ungjillin mbarë popujve. Me ngjarjen e Rrëshajëve,
pra, përmbushet plani i Hyjit për krijimin e një populli të ri dhe lind Kisha. Në
homelinë e Meshës, Papa u ndalua kryesisht tek figurat, me të cilat paraqitet Shpirti
Shenjt. Duke kujtuar rrëfimin mbi Rrëshajët sipas Veprave e Apostujve, Benedikti
XVI shpjegoi se Shpirti Shenjt paraqitet me figurën e stuhisë e të zjarrit. Stuhia
përshkruhet si erë e fortë. Kjo metaforë – vërejti Ati i Shenjtë – na bën të mendojmë
për ajrin, që e dallon planetin tonë nga të tjerët e falë të cilit jetojmë. Ajri e
Shpirti Shenjt – shtoi Papa - janë të dy të domosdoshëm, pa ta s’mund të ketë jetë: Atë
çka ajri është për jetën biologjike, Shpirti Shenjt është për jetën shpirtërore të
njeriut; e ashtu siç ekziston ndotja atmosferike, që helmon mjedisin dhe qeniet e
gjalla, ekziston edhe ndotja e zemrës dhe e shpirtit, që e helmon dhe e nxin jetën
shpirtërore. Kjo na bënë kuptojmë sa i rëndësishëm është Shpirti Shenjtë në Kishë
e në jetën e besimtarit. Ai pra, Shpirti Shenjtë është protagonisti i vërtetë i Kishës
dhe është Ai që ia mundëson Kishës e besimtarit të përshkojë historinë e të pasurohet
me mirësi, drejtësi, paqe. Kisha, por para së gjithash është pranim i dhuratës së
Shpirtit të Zotit, Shpirtit të dashurisë. Festa e Rrëshajëve na ndihmon të kuptojmë
edhe përmasën universale të popullit të Zotit, që “nuk njeh më kurrfarë kufiri as
të racës, as të kulturës, as të hapësirës, as të kohës”. Rrëshajët, simbol i besëlidhjes
së re pas asaj të Sinajit, i dhurojnë njerëzimit ‘aftësinë’ e mirëkuptimit reciprok,
aftësinë të flas të njëjtën gjuhë e t’i kapërcejë përçarjet e Kullës së Babelit, simbol
i shkatërrimit, i grindjeje mes njerëzve. Në këtë solemnitet, Kisha i fton të
gjithë besimtarët të kthehen tek zanafilla e Kishës, e të imenjohen në misionin ungjillëzues,
secili sipas dhantive që ka fituar pikërisht nga Shpirti Shenjtë, i cili porsi lum
e përshkon historinë për ta ushqyer Kishën e çdo njeri me hirin e Zotit, duke bërë
të frytshme jetën, me mirësi, bukuri, drejtësi e paqe. Ky pra, është misioni që Kisha
në festën e Rrëshajëve, ia beson sot besimtarëve kudo në botë.