2012-05-27 13:34:49

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: Maria e letërsia


Virgjëra Mari ka frymëzuar, në shekuj, autorë kishtarë e shekullarë, që përcollën profeci, shkruan lutje, krijuan poema, këngë dashurie, admirimi e shkrime nga më të ndryshmet, në të gjitha kohët, në të tëra breznitë e nën qiejt e të gjitha stinëve të jetës. Këto tekste bëjnë pjesë në fondin e artë të traditës letrare të mbarë njerëzimit.
Gjithë ky frymëzim nis nga Libri i parë i Biblës, ai i Zanafillës, që kumton se njerëzimi do të shpëtojë përmes një gruaje. Zoti e mallkon gjarpërin mashtrues mbi të gjithë frymorët e tjerë e mbi të gjitha kafshët e egra, duke e paralajmëruar:
“Unë do të vë armiqësí ndërmjet teje e gruas, ndërmjet sojit tënd, e sojit të saj;
kjo do të ta ndrydhë kokën!”(Zan 3, 15). Kumtimi hyjnor vijon deri te Zbulesa, ku shkruhet: “Një shenjë madhështore u duk në qiell, një grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë të veta e në kokë me një kezë dymbëdhjetë yjesh (Zb. 12,1).
Në shekujt e parë kangëtarët e Marisë ishin Etër të Kishës, Dijetarë e teologë. Mbeten aktuale veprat e tyre, ndërmjet të cilave, traktati i Origjenit; Poemat kushtuar Marisë nga shën Efremi; Himni Akatist, që këndohet në të gjithë Lindjen e krishterë, duke nisur nga shekulli VI.
E kështu deri në prag të Mesjetës, kur dijetarët, teologët, gojtarët e mëdhenj, predikatarët e Kishës, vijuan të krijojnë vepra të reja me frymëzim marian. Ndërmjet tyre, shën Agostini, Venanc Fortunati, Shën Andreu i Kretës, Shën Gjon Damasheni etj etj...
Ndërmjet Mesjetës e Reformës, dallohen disa teologë të mëdhenj marianë, si Shën Toma i Akuinit, Shën Bernardi i Kiaravalles, i Lumi Duns Skot e Dante Alighieri, për të cilët folëm në emisionet e kaluara. Pa harruar Shën Françeskun e Këngën e tij mahnitëse të Krijesave. Në këtë epokë fillon historia e teatrit kishtar, me ‘Mrekullitë’ e drama të tjera liturgjike, që njihen edhe me emrin “Misteret”. Ky lloj i ri dramatik, nis të shfaqet në tremet e kishave. Vendin kryesor e zë shfaqja e “Misterit të Lindjes së Krishtit”. Misteret ndikuan fuqimisht edhe mbi zhvillimin e dramës shqiptare. Një nga dramat e para, ajo e De Martinos, është një lloj “Misteri” e pikërisht, Misteri i lindjes së Krishtit.
Njëkohësisht me misteret, në të gjithë krishterimin perëndimor nis një krijimtari jashtëzakonisht e pasur poetike kushtuar Zojës së Bekuar, ndërsa në Lindjen e krishterë letërsia mariane mbetet kryesisht me karakter liturgjik.
Në kohët moderne, shkrimtarët nisin të frymëzohem më shumë nga burimet shekullare, sesa nga ato kishtare. Megjithatë, Virgjëra Mari mbetet gjithnjë burim frymëzimi për shkrimtarët më të mëdhenj, duke nisur nga Erazmi i Roterdamit, burri më i kulturuar i Mesjetës, tek Martin Luteri, themelues i gjuhës letrare gjermane.
Në shekullin XVII, shekulli i madh i letërsisë klasike në Perëndim, Marisë vijojnë t’i këndojnë njerëz të Kishës (Shën Françesku i Sales, Berulë, Bosye në predikimet e tij) por edhe burrat më të shquar të teatrit (Kornej) e poetët më të mëdhenj anglikanë (Xhon Milton).
Vijnë, pastaj, mistikët spanjollë, Shën Tereza e Avilës e Shën Gjoni i Kryqit. Në këtë epokë u krijuan kryeveprat e Alfons de Liguorit, dijetar marian, titulluar “Lumnitë e Marisë”.
Edhe rryma romantike e shekullit XIX vijon t’i kushtojë faqe të shquara Virgjërës Mari, duke nisur nga poetët Goethe, Shatobrian, Hëlderlin, Lamartin, Hainrih Haine . Në Francë kujtojmë edhe krijimet mariane të Viktor Hygosë, Verlenit, Rembosë, Heredias, që shkruajnë plot frymëzim e nderim për Marinë. Në Itali i këndon Manxoni, ndërsa në Angli, anglikani Xhon Henri Njumën, që kthehet në fenë katolike e boton faqe të ndritura, kushtuar Nënës së Krishtit, ndërsa në rrymën e poetëve pararafaelitë, poezia mariane lulëzon përmes pendave të Uiljam Vordsuorth, Koleridxh, Elizabet Baret etj etj.
Në shekullin XX e në fillimet e të XXI, kujtojmë krijimet e Bernanos, Rainer Maria Rilkes e Tatjana Goriçevës, për të kaluar tek Mari-Noelë Ureh, Gertrud Fon Le Fort, Sergj Bulgakov e te Gjon Pali II.
Koha rrjedh pa u ndalë, e s’ndalet as frymëzimi, që i shtyn njerëzit e mëdhenj të të pendës, t’i këndojnë Marisë së Nazaretit.
Marisë vijojnë t’i këndojnë poetë, shenjtorë, rregulltarë e shekullarë, në të gjitha kontinentet e botës. Nuk ka gjini, lloj a formë letrare, që të mos ketë prodhuar të paktën një kryevepër për nder të Virgjërës Mari. Letërsi një herë tepër e njohur edhe në Shqipëri, përmes përkthimeve mjeshtrore, e edhe krijimeve origjinale të meshtarëve e laikëve, sot e lënë mbas dore, e zhytur në harresë, në një vend, i cili ka aq shumë nevojë për vepra, që e pastrojnë shpirtin nga njollat shekullore. Dikush i quan këngë që bien erë temjan, të vjetëruara edhe për kohën kur u krijuan. Por ka edhe të tjerë, që vijojnë të krijojnë kryevepra kushtuar Marisë, së cilës do t’i kushtohen në shekuj këngë me aromën e temjanit, a me aromën e zemrave, që i këndojnë.

Që të bindemi për vertetësinë e këtij pohimi, po sjellim sot një antologji tejet të shkurtër, me krijimet e pendave më të njohura meshtarake shqiptare, kushtuar Marisë, duke uruar që nga frymëzimi i tyre, të lindë një frymëzim i ri:

Antologji:

Vajza Mrí, e bukur ma fort se zanë
(Sibila Libica)

Me diell veshun’, e mbathunë me hanë,
me yj kryetë rreth’ ngjeshunë Kunorë,
Vajza Mrí, e bukura ma fort se zanë,
Djalinë Jesu kerthí mba ngrykë ndorë.

Pjetër Bogdani, nga ‘Cuneus Prophetarum”

Êmni i Zojës

1 Nuk dij se cillës termale ‘i ditë tue shkue
E nji landtari njitej vasha e lume,
Njitej pa kênë kundrue ke trolli i gzue
I njaj shtatxânmje s’motnueme.
2 E, mbasi u fal me atê, e cila e priti
Me shum njerzí, tue dhanun lavde Zotit:
Mue kanë me m’quejtun t’lume, brohoriti
Fiset e dheut gjatë motit.
3 Deh! se n’ç’ qetsí kto fjalë koha madhshtore
T’i ndiejte atë herë i kishte vû prej serit!
kshill i ynë i ngathët! Oh e rrejshme p’rore
Mende shqyrtuese e nierit.
4 Na dishmitarë qi mbasandej mbi dhé
Krejt ndodhi puna mbas fjalës s’ate s’lume;
Na ruejtë shelbimit, n’shkollë t’hyjnueshme lé
T’ t’vertetavet t’amshueme,
5 Na e dijm, o Zojë, se veç e Hyj’i lumnueshem
E mbajti atë besë qi e dhae ti n’brohorí,
Njai qi t’a msoi: per ne fort i madhnueshem
Âsht êmni i yt, Marí.
6 Per né Nana e Zotit don me thânë njaj êmen
T’falemi, o e lume: ‘ i êmen qi t’i gjajë
I cilli burrë e pat ja e cilla fêmen,
Ja qi per ngjet t’i a mbajë?
7 T’falemi, o e lume: t’cillat mote t’ngrata
S’e ndien atê êmen tue e permendun valle?
Kur kjé qi at’êmen djalit s’i a msoi tata?
T’cilla termale e zalle
8 Tue e thirrë s’e ndien? Jo veç se bota e vjeter
Bán kishat t’ua me madhní ndertue,
Por e Kolombit, edhe, bota tjeter
Ushqen t’devoçemt t’ue.
9 Pertej sa dete, e m’t’ cillat djerre kputet
Nji lule e eger e aq e irnueme bojet
T’lterit t’and, me uzdajë gjithkush kû lutet,
Qi mos t’i njohe trojet?
10 O Zoj, o Virgjin, o Shêjtneshë unjí,
Se ç’êmna t’bukur gjuha e robit t’ruen!
Mâ se ‘i fis n’zâ per armë e per lumní
Pajtore, o Zojë, ty t’quen
11 Ty kúr t’agojë, e n’mbramjet prej prendimit,
E kúr t’jét dita n’gjysët, edhe m’atë herë
Kumbonët t’pershndeten, çetët tue thirrë t’kshtenimit
Me t’dhanun lavd e nderë.
12 Nder friga t’mnershme, t’cillat ia qet nata,
T’ permendë ty fmija; tuj u dridhë detari,
Thellimi kur luron e bjen shtergata,
Kah Ti prirë syt, qyqari.
13 N’atë gjí t’andin, t’lumnueshmin, o Zojë, grueja
Lott e perbuzun i riton, e shkreta,
Edhe i ankon, o e lume, nder kambë t’ueja
T’gjitha fshâmet e veta:
14 Ankohet Ty, qi t’lutnat ndien e ankimet,
Jo porsi i ndien ky sheklli i ynë i zí,
E dhimben e t’pushtedshmit s’dán prej dhimbet
T’t’ligshtit qi fshân n’vobsí.
15 Ti vetë, dikúr, o e lume, pate kjá:
As kurr njai váj nuk ka per t’u harrue:
Ené perflitet sot me sot: e prá
Kaq mot m’tâ ka kalue.
16 Per ditë ene prflitet e lotohet
Gjithkah: per gzime qi ké pasë mbi dhé
Tash edhe bota rrokull me ty gzohet,
Si t’ishte ‘i punë e ré.
17 Kaq duhej t’u levdote Nana e t’Lumit
Edhe m’kto zaje t’ona posë gjith robit;
Kaq Zoti desht me e vû mbi gjith t’naltuemit
Ketë vajzë lé n’fis t’Jakobit.
18 O ju Evrej, o t’namun posë gjithkuej,
t’shtypnit ju njaj mnije s’gjatë mizore,
A nuk ka dalë ajo prej fisit t’uej
Qi na e nderojm n’therore?
19 A s’âsht dere s’Davidit? Ke ajo menden
Profetët e patne n’letra, kúr t’amshueme
T’artat shêje t’njaj Virgjine permenden
T’ngrehna m’mbretní t’shemtueme.
20 Deh! herë ka’ Ajo seicilli jush le t’siellet,
Qi Ajo t’u pshtojë, qi t’vett s’i djerrë n’ketë dhé
E fis e kómb mos t’jét kah vrân e kthiellet
Qi sot mos t’kndojë me né:
21 T’falemi o e para mbas Tenzot Marija,
Drandofille, o Hyll qi ruen rrezikut.
Si dielli e zgjedhne, e rrebtë porsi ushtrija
Rreshtue per báll t’anmikut.

Atë Gjergj Fishta, ‘Emni i Zojës’, përkthye nga Manzoni, ‘Vallja e Parrizit’, fq 104-107

A ve M a r i a
Falemi, o virgjin Mrí, o Vajzë fatmire!
Hir-plote, si me lule â plot prendvera;
Zoti â me Tý ; ti jé békue e dlíre,
E zgjedhë ndër gjith grá tjera:
Ndër gjith grá tjera prej s’ Tenzot shenjue
Njeri m’u veshë në krahnuer t’and t’kullue.
O Shêjtja Mrí, o Nana e Hyj’t t’ adhruem,
Lutu për né qi për gjith dit’gabojmë;
Lute, sa t’jemi gjáll T’And-Bír t’ Lumzuem.
E kúr ket jetë të mbarojmë, o Shejtja Mrí,
Ket shpirt na merr, të gzojmë gjithmonë me tý.

Atë Leonard de Martino ‘Harpa e një arbëreshi’, Venedik 1888, fq. 168

Magnificat

Me gjith fuqijen qi ka shpirti i êm,
Po e levdoj Zotin, të madhin Zotin t’êm.
Me fuqí të madhe shpirti i êm â gzue,
Më Zotin të pushtueshem, qi me ka shelbue.
Sherbtore Zoti persè më pá të pervûme,
Kan të gjith shekujt mue me më thanë: E lume!
Njimend mbi mue të mdhaja punë ka bâ,
Zoti i pushtueshem qi êmnin Shêjt e ka.
E tí mishrira brêz mbas brêzit kqyrë,
Ata, qi i luten, e i bekon në gjith mndyrë.
Pûnoj pûnë të mdhaja krahi i djathtë i veti,
Madhshtorët i hupi, mende mdhajt i treti.
Te mdhajt prej së neltit rrotullim i sdrypi,
Prej së poshtit të vogjlit me dorë të vet i hypi.
Me të mira i mbushi të gjith nierzt e ngratë,
I la të pasnit shprazët, e me duer thát.
Zoti Izraelin në sherbim të vet tu’ e pá,
Në pelqim e pati, në mend mishira i rá.
Si u pat premtumun aj te parvet tonë,
Abramit të zgiedhun e fmís tij gjithmonë.
Atit, e Birit, Shpirtit Shêjt nji nderë,
E tash e së parit në mot qi të vînë perherë.

Dom Ndue Bytyci (Marrë nga revista LEKA)

Shtegtimi n’Kevlar
(prej Heinrich Heine)
I.
Nana n’dritsore rrite,
Ne shtrat ish djali shtrue:
“Me pamun proçesjonin,
Wilhelm, a don m’u çue ?”

“Un jam i lig, o nanë,
As ndîi as muej me paa:
Kam n’mênd te dekmen Rite,
E zêmra âsht fort tuj m’kiaa. »

« Rruxaren mêrr, e librin,
Çou, n’Kèvlar do t’shkojm sot:
Me t’shndosh kaa zêmren Zoja
Qi âsht Nana e t’ Madhit Zot. »

Flamorët e Kishës perhidhen,
Muzikës po i ndihet toni :
N’Kolonje, ne breg t’ Rrenit,
Kadalë ecë proçesjoni.

Mas popullit shkon nana
Me djalë të vet per brii ;
E kndojn te dy nji gojet:
“Levdue kjosh ti, Marii!”.
II
Nana e Tenzot ne Kèvlar
Petkun kaa veshë mâa t’riin ;
Asajë me shndoshë i duhet
T’tanë t’ligjt qi sot ktû viin.

E Zojës i biin dhuntiina
Kta t’ligj, e vjerrin n’muer
Gjymtyrë me dyllë trajtuemun
Me dyllë bâa kamë e duer.

Aj qi ‘ i dorë dyllit prûni
Doren e shdoshun kaa:
Aj qi ‘i kamë dyllit falë,
Ne kamë s’ndjin dhima mâa.

Nji zêmer t’vogel dyllit
Prej qirit trajtoj nana:
“Çoja ket Zojës, e dhimat
Kaa per t’i shdnoshun t’tana”

Aj, tuj dnesue, tu Zoja
Me zêmer dyllit shkon,
Prej syvet lot tuj derdhun
Me folun po fillon :

« Tu Ti, nder t’gjith bekue,
Sherbtorja e t’Madhit Zot,
Rregjinesha e Qiellit,
Kam ardhë me derdhun lot.

Me nanen bashkë t’Kolonjes
N’gjytet kem ndêjë me shpii:
Aj me kapelna e kishna
Âsht plot, o virgjin Mrii.

Kojshii kemë pasun Riten
Qi n’tjetren jetë kaa shkue:
Zêmren e dyllit mêrre
E shndoshma zêmren mue.

Te zêmres m’a shndosh varren
Si tesh, âshtû n’pleqnii.
Tuj t’lutun kam me kndue:
“Levdue kjosh ti, Marii.”
III.
N’odë t’vogel i muer gjumi
Nanen e t’ligun djalë:
Kur qe se mrênda Zoja
Hini kadalë kadalë.

Mii t’smûetin djalë perkulun
Letë doren n’zêmer t’tii
E shtini, e me buzë t’qeshun
U zhduk per mrekullii.

N’ ânderr gjithçka pau nana,
E mâa kish pasë shikjue:
Filluene qêjt me lehun,
E kiè prej gjunit çue.

U çue, e mii shtrat djalin
E pau të dekun shtrii :
E bardha dritë e agimit
Letë luejte mii ftyrë t’ii.

Dy duert perpoq et hera
E shuemja nanë n’habii;
E kndoj letë letë me zêmer :
“Levdue kjosh ti, Marii!”.

1Përkthyer nga Dom Lazër Shantoja, Vepra, Botime françeskane, Shkodër , 2005, fq. 21

Shkodra Zojës

1 Atë botë mbi Shkoder kúr mâ i bukur dielli
Ndritte, e larg nâmi ksajë mbi tokë kumote,
Perpara elterit t’And Shkodrani fielli
Vite, e tý lavde me haré t’këndote.

2 E kúr mbi Shkoder xû m’u muzgun qielli
E per tê t’vshtira m’u endun stinë e mote,
Me Tý Shkodrani zêmren prap e kthielli,
Kah gurt e elterit t’And me lot rigote.

3 Por edhe sod qi Shkodra pshtjellë âsht n’zí
E jeten si n’nji vorr ajo âsht tue shkue,
Shkodrani Tý po t’ngrehë nji Tempull t’ ri.

4 A ‘imend, prá, o Zojë, se doret ké me e lshue
Shkodren e mjerë, e se edhe s’ké me ndí’
Dhimbë per Shkodranin, kurr qi s’t’ka harrue ?

Atë Gjergj Fishta OFM; ‘Vallja e Parrizit’, fq. 62

Zoja Shkodrës:

1 Kúr permbrenda atij Tempullit të rí,
Mue per nen dollma t’Rozafatit true,
N’gjûj shoh Shkodranin ulë me pervûjtni,
M’bjen n’mend se Zojë e Shkodres më thonë mue.

2 E kúr per rreth e qark t’eltervet t’mi,
Si stina e bukur t’nise me lulzue,
Fmín e Shkodranit ndiej tue m’kndue n’brohrí,
Vedin Shkodrane m’ kandet me e kujtue.

3 Por edhe atë herë, po, kúr Shkodrani t’kjajë
E t’dnesë nder t’vshtira, neper t’cillat jeta
Atí i pershkohet, sŷt mue m’mbushen m’ vajë,

4 E askurr nuk lâ pingul qi Shkodren zhgjeta
E mnis s’qiellës t’a shinojë, perse e verteta
Âsht kjo: qi Shkodra â’ emja e un e sajë.
Atë Gjergj Fishta OFM; ‘Vallja e Parrizit’, fq. 63







All the contents on this site are copyrighted ©.