2012-05-25 17:36:00

Papa u jep ndjesën e plotë pjesëmarrësve në takimin e familjeve në Milano.


Benedikti XVI u jep ndjesën e plotë besimtarëve, të cilët do të marrin pjesë në ndonjë nga kremtimet, gjatë Takimit Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Milano më 30 maj deri më 3 qershor. E pohon një deklaratë e Pendestarisë Apostolike, botuar sot. Ndjesa, që mund ta fitojnë edhe ata, të cilët nuk kanë mundësi të shkojnë në Milano, por bashkohen shpirtërisht me këtë ngjarje të madhe, kërkon përvojën e faljes në gjirin e familjes: përmasë themelore e jetës familjare. Të dëgjojmë, për këtë, dëshminë e Pietro Savareze-s, që së bashku me gruan dhe dy vajzat, 1 e 3 vjeçe, do të niset nga Roma, për të marrë pjesë në takimin e Milanos:

Përgjigje: - Në një farë mënyre mund të them se ne vijojmë të jemi të martuar, vijojmë të jetojmë të lum bashkë, pikërisht sepse dimë ta falim njëri-tjetrin, dimë të pajtohemi, edhe kur jeta na bën të largohemi, të ftohemi. Ky është sekreti i vogël i martesës, i familjes, por në një farë mënyre, edhe i asaj familjeje të madhe, që quhet shoqëri. Tjetri duhet dashur, ashtu si është, jo ashtu si e do ti. Problemi është se kjo dashuri ndërmjet njerëzve, nuk është plotësisht në dorë të njeriut. Është dashuri, që zbret nga Lart. Edhe unë e gruaja ime, si gjithë bota, nganjëherë e kemi të vështirë ta pranojmë njëri-tjetrin, ashtu siç jemi. Prej këndej, e shikoj si dhuratë të Zotit ndjesën e plotë të Papës, sepse unë mund ta fal gruan time, vetëm në se edhe mua më fal plotësisht Zoti e më pranon, kështu siç jam. Lajm i mirë vërtet. E falënderoj Atin e Shenjtë.

Pyetje: - Ju e gruaja juaj keni një moshë: 31 vjeç e, prej kohe, drejtoni një grup besimtarësh pas Krezmimit. Përvojë e rëndësishme për ju si çift, apo jo?

Përgjigje: - Po, është përvojë shumë e bukur e edhe shprehje e mirënjohjes për gjithë ç’kemi marrë nga Kisha. Një herë në javë i ndihmojmë të sapokrezmuarit për zgjidhjen e problemeve të tyre, lutemi bashkë me ta, lexojmë Shkrimet Shenjte. Ndihmojmë njëkohësisht edhe familjet e tyre...

Pyetje: - Ç’fjalë prisni nga Benedikti XVI me rastin e këtij takimi kushtuar familjeve, në një çast historik si ky, kur familja sulmohet nga të katër anët?

Përgjigje: - Shkojmë atje, natyrisht, për të qenë pranë Atit të Shenjtë, për t’i treguar gjithë botës se familjet e krishtera janë me të. Më shumë se gjithçka tjetër, prania jonë është dëshmi për shoqërinë, së cilës i tregon konkretisht se familja e krishterë nuk është model që i ka kaluar koha, bashkim që nuk vlen, e as realitet, që nuk ekziston më. Bota do të shikojë mijëra e mijëra familje, mijëra burra e gra, të rinj e pleq, akoma të dashuruar, dorë për dorë në këtë festë, shtrënguar fort rreth Atit të Shenjtë. Prandaj po shkojmë: që bota ta shikojë me sytë e vet, edhe një herë, bukurinë e familjes së krishterë. Në se shikojmë shoqërinë, në të cilën jetojmë, do të vërejmë se divorcet e ndarjet vijojnë të shtohen gjithnjë më shumë. Pse? Pikërisht sepse mungon dëshira për të falur. Jo pse njerëzit janë të këqinj e, prej këndej, duan edhe të divorcohen a të ndahen, por pse nuk e kanë marrë hirin e faljes nga Lart, e prej këndej, nuk duan e nuk dinë të falin. Pasojat: sherre e ndarje! Atëherë ne shkojmë atje për t’u treguar të gjithëve se duhet ta duam njëri-tjetrin, për aq sa vlejmë. Kështu si jemi. Natyrisht presim nga Ati i Shenjtë një fjalë, një ndihmë, sepse ai është koka e Kishës. Presim të na ngushëllojë, të na mësojë t’i zgjidhim problemet tona, t’i kapërcejmë vështirësitë e përditshme, të na japë shpresë. Edhe pse sot nuk është e lehtë të jetosh si familje e krishterë në gji të një shoqërie të çkristianizuar. Prandaj presim me dëshirë të zjarrtë, një fjalë të fortë nga ana e Atit të Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.