2012-05-25 13:21:49

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: Zoja e Megjugorjes


Zoja e Megjugorjes, e njohur edhe si Mbretëresha e Paqes ose Gospa, vijon t’i flasë botës nga ky skaj i Ballkanit. Quhet me emrin e zonës, ku nisi t’u dukej gjashtë vegimtarëve: Ivanka Ivankoviç, Mirijana Dragiçeviç, Vicka Ivankoviç, Ivan Dragiçeviç, Jakov Kolo e Marija Pavloviç.
Në dukjen e parë, më 24 qershor 1981, vegimtarët pohuan se në shtegun pranë Podbrdo-s, panë një figurë të ndritshme femërore, me një foshnje në krahë. Të nesërmen e panë përsëri e Ajo u foli e u tha se ishte “e Lumja Virgjëra Mari”. Më vonë u quajt “Mbretëresha e Paqes” (Kraljica Mira)
Që nga vegimi i parë, Megjugorja u bë cak shtegtimesh për mijëra njerëz, nga të katër anët e botës. E nuk duhet harruar se në vitin 1981, Bosnjë-Hercegovina, ku u duk Zoja, i përkiste Republikës Federale të Jugosllavisë, nën diktaturën komuniste. Zoja ishte e para që e çante “perden e hekurt”. Aty nga gjysma e korrikut 1981, dikush botoi një shkrim në një nga gazetat e Zagrebit, kushtuar pikërisht ngjarjeve të Megjugorjes. Artikulli u përhap me shpejtësinë e dritës, duke kapërcyer kufijtë politikë, që e ndanin asokohe botën në dy kampe kundërshtare, e duke marrë dheun. Gazeta të tjera, në të katër anët, e botuan lajmin e, në vendin ku Zoja vijonte të dukej, nuk vonuan të dynden edhe shtegtarët e parë, shumica njerëz të sëmurë. Kjo i acaroi tepër autoritetet komuniste sllave, që vendosën ta mbyllin zonën e Podbrdo-s, ku nuk lejohej më të shkelte asnjë këmbë njeriu. Po dukjet e Marisë vijuan. Një herë në shtëpitë e vegimtarëve, pastaj në shtëpinë famullitare. E aq e madhe ishte jehona, sa atë Jozo, asokohe famullitar i Megjugorjes, u arrestua, i akuzuar për atentat kundër sigurisë së shtetit. Në të vërtetë shteti kriminal kishte shumë arsye të druhej!
Që nga viti 1981 e deri më sot, vegimtarët vijojnë të kenë vegime, edhe pse nuk banojnë më të gjithë në Megjugorje. Sipas përshkrimit të tyre, Zoja është ndërmjet 18 e 20 vjetëve, e hollë, e gjatë rreth 165 centimetra. Fytyra e saj është e hajthme, vezake, e kurorëzuar me flokë të zinj. Sytë e saj janë të kaltër, me qerpikë të gjatë, delikatë. Hunda, e vogël e plot hir. Faqet, rozë. Buzët, mrekullisht të bukura e buzëqeshja, me një ëmbëlsi të papërshkrueshme. E mbështjell një veshje ngjyrëhiri me reflekse të kaltra, që i zbret plot hir deri tek këmbët, të cilat fundosen në një shtëllungë resh të bardha. Kokën ia mbulon një vel i bardhë, që i shpaloset valë-valë mbi shpatulla e deri tek reja e bardhë. Mbi të, një kurorë ari me 12 yje.
Kur u pyetën “Kjo zonjë që ju e shikoni, është me të vërtetë kaq e bukur, sa po na thoni?”, ata u përgjigjën: “Nuk i kemi thënë kurrë këto fjalë, sepse bukuria e Saj nuk mund të pëshkruhet. Nuk është bukuri tokësore. Është diçka eterike, qiellore, që ndoshta mund të vegohet vetëm në Parajsë, e madje edhe atje, vetëm në një farë mase”.
Sipas dëshmisë së vegimtarëve, Zonja u besoi dhjetë sekrete, duke e ngarkuar Mirijana Dragiçeviç t’ia zbulojë botës tri ditë para se të vërtetohen. E kur do të ndodhë kjo? Vegimtarët heshtin. Pohojnë vetëm se sekretet janë shkruar në një letër të posaçme, prodhuar me lëndë të panjohur e me bojë të padukshme. Sipas porosisë, teksti do t’i duket françeskanit, atë Petar Ljubiçiç, zgjedhur si zëdhënës.
Dy sekretet e para, janë qortime; i treti flet për një shenjë të dukshme mbi kodrën e Podbrdo-s, të tjerët, kumtojnë ndëshkime.
Deri më sot Kisha, si vendase, ashtu edhe universale nuk e ka përfunduar ende studimin e këtij fenomeni, që vijon të tërheqë mijëra besimtarë nga mbarë bota. Prelatët e Konferencës Ipeshkvnore të Bosnjë-Hercegovinës kanë deklaruar se këtu nuk mund të flitet për dukje e zbulesa të mbinatyrshme.
Ndërsa Selia e Shenjtë, më 17 mars 2010, krijoi, pranë Kongregatës për Doktrinën e Fesë, një komision të posaçëm ndërkombëtar, që po merret drejtpërdrejt me studimin e dukjeve të Zojës në Megjugorje. Komisioni, me njëzet anëtarë, kryesuar nga kardinali Kamilo Ruini, do t’ia paraqesë përfundimet vetë Kongregatës, kompetente për të marrë vendime.Ndërkaq shtegtimet vijojnë, shoqëruar edhe me shërime të mrekullueshme! Sidomos me kthime në rrugën e Zotit. E njerëzit, që kanë fatin të shkelin në vendin e dukjeve të Zojës, pohojnë se prej asaj treve buron një hir i veçantë, që nuk mund të shpjegohet me fjalë, por vetëm të ndjehet me zemër! Atje mrekullia bëhet e prekshme!







All the contents on this site are copyrighted ©.