2012-05-25 19:36:42

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve. Zoti flet gjuhën tënde!


Dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull, në Jerusalem. Që nga ajo ditë e nga ajo ngjarje madhore, mund të pohojmë se historia e njerëzimi kanë një orientim të ri, një hov të ri, një dritë të re, një horizont të pakufishëm drejt Amshimit.
Pra, kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishtit Zot i pati premtuar dhe dhuruar asaj, pra të gjithë neve: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor, Shpirtin Shenjtërues Zot që na është dhuruar në zemrat tona në sakramentin e Pagëzimit, në mënyrë që të mund të ecim, të mund të veprojmë e të jetojmë në Dritën Hyjnore, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt të cilin jemi të ftuar ta dëgjojmë e pasqyrojmë në jetë e në marrëdhënie tona të përditshme me tjerët.
Festa e Rrëshajëve, ardhja e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt shënon ditëlindjen e Kishës dhe ditëlindjen e gjallërimit tonë si besimtarë e dëshmitarë të Krishtit të Gjallë, Shpëtimtarit të njerëzimit. Pra, nga kjo ngjarje e Rrëshajëve, Shpirti Shenjt Zot banon në shpirtin tonë njerëzor, Zoti është bërë më i afërt me ne, është më intim me ne, se sa ne jemi me veten tonë, thotë shën Agostini. Kështu, festa e Rrëshajëve na siguron se Zoti nuk na braktis kurrë, por Ai është miku e shoku i përjetshëm i udhës sonë në jetën tokësore drejt përjetësisë.
Është Shpirti Shenjt Zot Ai që na jep kuptimin e ri të misterit të Jezusit. Pa Të është e pamundur të depërtojmë në këtë mister të Krishtit. Është Shpirti Shenjt Ai që na bën të aftë t’i lexojmë ngjarjet në dritën e fesë, në fenë e Krishtit që është dhuratë e tij.
Me kremtimin e solemnitetit të festës së Rrëshajëve, Kisha e mbyll ciklin e Pashkëve për të vijuar me kohën e rëndomtë liturgjike gjatë vitit.
Porsi pema që, pas stinës së lulëzimit, më në fund sjell frytet e veta në mënyrë që të gjithë të mund t'i shijojnë, po kështu është edhe për Kohën e Pashkëve që mbyllet duke na dhuruar Shpirtin Shenjt. Duke iu dëftuar nxënësve të vetë të mbyllur në Çenakull, Jezusi u dhuron atyre Shpirtin; në dyzetë ditët që pasojnë Ngjalljen e Krishtit, mësuesi hyjnor flet gjithmonë për Shpirtin të cilin e pati premtuar qysh para mundimeve e kryqëzimit e për të cilin, në shumë raste, flet duke përshkruan detyrat e tij.
Sot Shpirti vjen në plotësi e menjëherë fillon misionin e tij, duke e hapur Kishën ndaj kufijve të botës, e duke bashkuar ngadalë por në mënyrë konstante zemrat e çdo populli e të çdo kombi në familjen e vetme të nxënësve të Jezusit, në përqafimin e vetëm të Zotit që është Ati, Biri e Shpirti Shenjt.
Atë ditë të Rrëshajëve për botën fillon një flakë dashurie, faljeje e hiri ( bekimi) që askush nuk do të mund ta shuajë kurrë.
Sot është festa Rrëshajëve. Me këtë solemnitet mbyllet periudha e kohës së Pashkëve që filluam para 50 ditësh. Kisha i jep rëndësi të jashtëzakonshme kësaj feste e të kremteje, aq sa ta konsiderojë ndër më të rëndësishmet pas Pashkëve. Po pse e gjithë kjo rëndësi? Përgjigjen e gjejmë në leximet biblike të kësaj së diele, duke filluar nga leximi parë nga Vepra e Apostujve, që thotë se nxënësit gjendeshin së bashku në të njëjtin vend, në Jerusalem. Në Ungjillin e Gjonit thuhet se menjëherë pas vdekjes e ngjalljes së Jezusit, nxënësit rrinin me dyer të mbyllura, nga "frika prej Judenjve".
Nga çka kishin frikë? Me çdo gjasë, kishin frikë se do të trajtoheshin porsi Mësuesi i tyre. Jezusi, që pati predikuar dashurinë e faljen, nuk ishte i mirëpritur nga të gjithë për shkak të predikimit të tij të kësaj natyre: për shumë kënd mendimi e predikimi i Jezusit ishte shkandullues, sepse i detyronte të ndryshonin e përmirësonin jetën. Për këtë arsye e vranë. Kush ka studiuar historinë e Romës e di mirë se nxënësit kishin të drejtë të frikoheshin: sepse në të vërtetë të gjithë qenë persekutuar e u bënë martirë të kryqëzuar, me koka të prera apo të copëtuara nga luajt e Koloseut.
Mirëpo kjo ndodhi më vonë. Po ne të bëjmë një hap mbrapa, menjëherë pas ngjalljes së Jezusit. Gjoni, që ishte i pranishëm në skenën e ngjarjes, tregon se "ditën e parë pas të shtunës…vjen Jezusi, ndalet në mesin e tyre e thotë "Paqja me ju"". Këndej bëri një gjest simbolik: "fryni mbi ta e u tha"merreni Shpirtin Shenjt". Në këtë mënyrë Jezusi e mbajti premtimin që u pati dhënë para se të vdiste: ai në të vërtetë u pati thënë nxënësve të vet se do të kishte qenë me ta përgjithmonë e se do t'u kishte dërguar Shpirtin e vet.
Kjo dhuratë e parë e Shpirtit ndodhi në formë private, në një dialog mes Jezusit e nxënësve. Ndërsa ditën e Rrëshajëve Shpirti Shenjtë paraqitet në mënyrë spektakolare: "Vjen papritmas nga qielli një krismë, porsi era që përplaset fuqishëm, dhe e mbushi tërë shtëpinë ku gjendeshin”.
Solemniteti i Rrëshajëve nuk është thjeshtë kremtim apo kujtim. Është realitet, përvojë, që e jetojmë çdo vit. Shën Agostini i dallonte festat e krishtera që përkujtojnë përvjetorë, nga ato që kremtojnë një mister. Ata që përkujtojnë përvjetorë, kremtojnë rikthimin në kujtesë të ditës kur ka ndodhur një ngjarje. Ndërsa festat që kremtojnë ‘misterin’, ndërmjet të cilave Shenjti numëronte në radhë të parë Pashkët, jo vetëm që e kujtojnë ngjarjen, por sidomos, e rijetojnë atë. Prandaj gjëja më e rëndësishme në solemnitetin e Rrëshajëve duhet të jetë që secili prej nesh të hyjë brenda misterit e të presë, me fe të gjallë që, çka ndodhi atë ditë, të ndodhë përsëri në jetën tonë personale e në realitetin tonë konkret e të përditshëm.

Liturgjia e Fjalës së Zotit
Lexim prej Veprave të Apostujve

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin. Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet. Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.”
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 104
Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot

Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.

Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin.
Shën Pali na fton të jetojmë nën ndikimin e Shpirtit. Kjo do të thotë të jemi në bashkim me vdekjen dhe ringjalljen e Zotit, të çlirohemi nga skllavëria e mëkatit dhe e egoizmit, të pranojmë mënyrën e jetesës së Krishtit. Ai do të bëhet kriteri i çdo zgjedhjeje dhe angazhimi.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin, që të mos bëni çka dëshironi. E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar ligjit. Tashti, veprat e mishit e të gjakut janë të njohura. Ato janë: fëlligështia, papastria, shfrenia, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi, gërgasat, dasitë, mospërkimet, zilitë, zdërhalljet, ndejat me pije e qejfe e të tjera si këto. Lidhur me këto po ju vë në dijeni qysh tani, sikurse jua thashë më parë: kush i bën këto, nuk do ta trashëgojë Mbretërinë e Hyjit. Kurse fryti i Shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj. Ata që janë të Krishtit Jezus, e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirje dhe dëshira të prulta. Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëheqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Ndjekësorja

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.

Eja, o Atë, për nevojtarë,
eja, ti n’dhanti bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.
N’mund e djersë ti je pushim,
n’vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë, zemrat ngushllon.

Dritë Hyjnore, plot shejtni,
shndritnai mendjet e n’dashuri
kalle flakë kënd n’ty shpreson.

Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron
që t’jetë shenjte, si ti don.

Njollat hiq, dangat pastro,
n’shpritëra tanë hiret rigo,
varrët e mëkatit na i shero.

Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,
çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,
çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.

Jepna ne që n’ty besojmë,
jepna ne që n’ty shresojmë,
shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.

Mundin tonë ti na e shpërble,
n’mëkat me vdekë ti mos na le,
bën me ty n’amshim t’lumnojm.

Aleluja, Aleluja!
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu, dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja

Ungjilli Gjn 15, 26-27; 16, 12-15
Shpirti Shenjt është dëshmitari i madh që udhëzon Kishën. Ai pa i shtuar asgjë fjalës së Birit të Atit, u shpall Ungjillin eKrishtit të krishterëve të të gjitha kohrave. Ai akoma sot vazhdon të shpjegojë atë që është thënë një herë e përgjithmonë, duke zbuluar edhe realitetet e ardhshme të filluara me ringjalljen e Zotit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit, Ai do të dëshmojë për mua. Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua, sepse jeni me mua që në fillim. Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë Ai, Shpirti i së Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.”
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Tani ti dëgjojmë leximet biblike të këtij solemniteti e pastaj komentin….....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.