2012-05-25 17:32:59

Ipeshkvijtë evropianë: etikë, përshpirtëri e politikë, për të dalë nga çorientimi.


“Kontributi i etikës dhe i përshpirtërisë, për një rend ekonomikisht të qëndrueshëm” ishte tema e takimit, që u mbajt në Bruksel, në Selinë e përmes nismës së Komisionit të episkopateve të Bashkësisë evropiane (Comece), në bashkëpunim me Komisionin “Kisha e shoqëria”, të Konferencës së Kishave evropiane (Cec).
Gjatë takimit, drejtuar nga sekretari i Komisionit të episkopateve të Bashkësisë evropiane (Comece), imzot Piotr Mazurkieviç, folën mbi këtë temë tejet aktuale, imzot André–Jozef Leonard, kryeipeshkëv i dioqezës Bruksel-Malines dhe Edi Kortals Altes, ambasador nderi i Vendeve të Ulëta.
Çështja kryesore, rreth së cilës u ballafaquan pjesëmarrësit, ishte kërkimi i shkaqeve të krizës së sotme evropiane e botërore. U theksua se një nga shkaqet kryesore të kësaj krize ekonomike, shoqërore, politike, demografike, mund të jetë pikërisht mungesa e përshpirtërisë. Njerëzimi i sotëm nuk mund të mos shikojë, në këtë pështjellim, falimentimin e sistemit të ri liberalist, siç nënvizoi ambasadori Edi Kortals Altes. Por kriza, shumë më e thellë sesa duket, i ka rrënjët në një shoqëri të çorientuar, në të cilën marrëdhëniet ndërmjet njeriut, natyrës e pasurisë janë shpërfytyruar. Njeriu ecën në rrugë të shtrembëra, për shkak të mosbesimit në transhendencën. Pasojat janë të dukshme. Në radhë të parë, vërehet mungesa e frikshme e moralitetit dhe e ndershmërisë, posaçërisht në elitën politike dhe ekonomike, pikërisht në ato njerëz, që kanë në dorë frenat e punëve të mëdha e të vogla. Por nuk mungojnë edhe vlera shpirtërore, që duhen rishikuar, për të rigjetur lidhjen krijuese me zanafillën e jetës sonë. Për ta rifituar ndjenjën e transhendencës, nga njëra anë, është e nevojshme që Kishat e krishtera të bëjnë autokritikë, të kuptojnë nëse ajo që thonë, pasqyron shqetësimet e tyre e në se gjuha, që përdorin, është e kuptueshme për të gjithë; nga ana tjetër, duhet të thellojnë bashkëpunimin me njerëzit, që deklarohen jo besimtarë, për ta përballuar së bashku krizën e për të gjetur rrugët, që sigurojnë një ardhmëri të qëndrueshme, vijoi të shpjegonte Altes. Kur etja për të fituar me çdo kusht dhe ligjet e tregut bëhen zot i njeriut, tha imzot André–Jozef Leonard, atëherë jemi para një problemi, që nuk mund të zgjidhet aq lehtë, me pasoja të rënda, që po i shikojmë çdo ditë. Nësa e mira e përbashkët është njëlloj larg si nga kolektivizmi, ashtu edhe nga individualizmi, gjë që e vërteton vetë historia e djeshme dhe e sotme e njerëzimit. E mira e përbashkët kërkon shumë flijime nga ana e individit, por pa e harruar kurrë vlerësimin e këtyre flijimeve, pa harruar t’i jepet secilit vendi, që meriton, fituar me djersë e mundime. Individi nuk mund as nuk duhet të zhduket, duke u shkrirë plotësisht me masën, me kolektivin, ashtu si nuk mund të mbivlerësohet, duke arritur deri në individualizëm, deri në kultin e individit, shumë pranë tiranisë. Bota nuk mund t’i pranojë më tiranët.
Deklarata universale e të drejtave të njeriut ishte gur themeli, edhe pse njohu të drejtat paraekzistuese. Po kështu, kemi edhe rendin ideal, që duhet njohur e duhet t’i paraprijë rendit politik, ekonomik e shoqëror, pohoi kryeipeshkvi André–Jozef Leonard. Në se e kërkojmë një rend të tillë, do të vërejmë se në themel të tij është përshpirtëria, është hapja e zemrave kah transhendenza, gjë që luan një rol themelor.
Imzot Leonard nënvizoi edhe se ekzistojnë tipe të ndryshme përshpirtërie, por përshpirtëria e krishterë ka një tipar krejt të veçantë: beson në një Krijues të mishëruar, shumë pranë njeriut, përmasa e mbinatyrshme e të cilit përkon plotësisht me atë të krijesës.
Gjatë diskutimeve, kryeipeshkvi ripohoi me forcë se feja duhet t’i drejtohet njëkohësisht Zotit e njeriut, secilit me zërin e vet, i cili pastaj shkrihet në një zë të vetëm, në atë të Zotit që hyn në zemër të njeriut. Po të jemi në gjendje ta ruajmë sferën vertikale, do të mund të hapim horizonte të reja, të zbulojmë vlera të tjera, përveç sferës materiale. “E kjo do të çonte në krijimin e një modeli ekonomik zhvillimi shumë më të pjekur”, i bëri jehonë ambasadori Altes, këtij mendimi, shprehur nga kryeipeshkvi i dioqezës Bruksel-Malines.







All the contents on this site are copyrighted ©.