2012-05-24 13:13:50

Çelësi i fjalëve të Kishës: dy "Rrëshajë"?


Të dielën e ardhshme, pas tri ditësh, Kisha Katolike kremton festën e Rrëshajve. Është një nga festat më të rëndësishme të fesë së krishterë, e cila përkujton ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt. Kjo ngjarje përshkruhet më së miri në kapitullin e dytë të Veprave të Apostujve, ku shën Luka ungjilltar na bën ta përjetojmë skenën, me ushtimën e erës së fuqishme e me gjuhët e zjarrit. Këto Rrëshajë kanë datë të njëjtë me rrëshajët e kremtuara nga hebrenjtë, 50 ditë pas Pashkëve. Por, siç lexohet në Ungjillin sipas Gjonit, edhe në ditën e Ngjalljes, Krishti u duket dishepujve të vet e duke hukatur mbi ta, u thotë: “Merrni Shpirtin Shenjt” (20,19-23). A mos është kjo një “Rrëshajë” tjetër? Për këtë argument do të flasim në emisionin e sotëm.
Dy skenat e dikimit të Shpirtit Shenjt janë pa dyshim, paralele. Vërtet, ato kanë në qendër Shpirtin e Zotit, që përfaqësohet nga simboli i erës së fortë. Sipas shën Gjonit ungjilltar, është Krishti ai që “hukat” mbi apostujt, me një gjest, që të kujton profetët. Ndërsa në tregimin e shën Lukës në Veprat e Apostujve, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë… Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt” (Vap 2,2.4). Pra, në të dyja skenat, është i pranishëm Shpirti Shenjt, që vepron mbi apostujt, por pavarësisht nga ngjashmëria, duhet thënë se ndërmjet tyre ka edhe ndryshime.
Nga njëra anë, në Ungjillin e shën Gjonit evokohet akti krijues hyjnor, i shprehur përmes frymës, hukatjes së Shpirtit të Zotit në krijesën njerëzore (Zan 2,7). Në takimin e Tij me apostujt, Jezusi përvijon krijimin e njerëzimit të ri përmes dhuratës së Shpirtit Shenjt, që e shlyen mëkatin. Vërtet, Krishti u beson apostujve e pra, Kishës së ardhshme, misionin e dhënë nga Shpirti Shenjt: “Atyre që jua falni mëkatet, u falen” (Gjn 20,23). Këtë mision gjykimi e faljeje, Jezusi ua paralajmëroi që gjatë jetës së Tij tokësore, shën Pjetrit (Mt 16,19) e apostujve (Mt 18,18).
Nga ana tjetër, në Veprat e Apostujve dëshmohet vazhdimësia ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e asaj të Re. Ato i referohen aleancës ndërmjet njeriut – në atë rast, Moisiu – dhe Zotit në malin Sinai, me stuhinë e vetëtimat, që e shoqëruan. Profetët Jeremia dhe Ezekieli e interpretojnë më tej këtë ngjarje, duke e konceptuar si krijimin e një zemre të re e të një shpirti hyjnor në besimtarin: “Shpirtin tim do ta fus në ju…”, shkruhet në Librin e Ezekielit (36,27). Nga kjo “besëlidhje e re” lind një popull i ri, i përtërirë, i karakterizuar nga përmasa universale, siç tregon shumëllojshmëria e gjuhëve, që janë në gjendje të flasin apostujt, pasi dikohet mbi ta Shpirti Shenjt, sipas përshkrimit në Veprat e Apostujve. Këto gjuhë simbolizojnë shumëllojshmërinë në të njëjtin besim e fe në Krishtin.
Atëherë, këto ndryshime ndërmjet dy pjesëve të Besëlidhjes së Re, që po shqyrtojmë, konvergjojnë në një koncept të vetëm: Kisha lind nga Shpirti Shenjt si përsa i përket misionit të pajtimit të shpirtave e të faljes së mëkateve, ashtu edhe përsa i përket misionit të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ungjillit. Mbetet vetëm ndryshimi kronologjik: për shën Gjonin, Shpirtit Shenjt dikohet mbi apostujt “në mbrëmjen e po asaj dite” të Pashkëve, kur Jezusi ringjallet (Gjn 20,19); ndërsa për shën Lukën kjo ngjarje ndodh “kur erdhi Dita e Rrëshajve” (Vap 2,1), pra 50 ditë më vonë.
Shumë studiues mendojnë se kjo ngjarje historike është e vetme, por e vendosur në dy korniza të ndryshme nga ungjilltarët, për arsye teologjike. Vërtet, dhurata e Shpirtit Shenjt mund të paraqitet sipas perspektivave të ndryshme, por që përkojnë me njëra-tjetrën. Të tjerë pohojnë se, meqenëse Shpirti Shenjt dikohet në disa momente të historisë, kështu ka ndodhur edhe në zanafillën e krishterimit. Në rastin e përshkruar nga Shën Gjoni, privilegjohet bashkësia apostolike; në atë të shën Lukës, karizma, edhe pse fillon nga të Dymbëdhjetët, përqafon krejt turmën dhe bashkësinë e besimtarëve të rinj. Për të dy ungjilltarët, dikimet e shumta të Shpirtit Shenjt kanë gjithnjë si qëllim ta vazhdojnë veprën e Krishtit në Kishë e përmes saj. E në jetë të jetëve, kjo është vepër shëlbimi, çlirimi nga e keqja dhe misioni universal.







All the contents on this site are copyrighted ©.