2012-05-24 15:52:00

Përjashtimi i Zotit nga shoqëria, thelbi i krizës në Evropë. Kështu Papa, ipeshkvijve italianë


Thelbi i krizës, shpirtërore e morale, që cenon Evropën niset nga përjashtimi i Zotit, “të panjohurit të madh” të kohës sonë: Kështu u shpreh mes tjerash Papa sot gjatë audiencës me ipeshkvijtë italianë të mbledhur këtyre ditëve në Vatikan në Asamblenë e tyre Plenare.
Është pra, përjashtimi i Zotit, shekullarizimi, thelbi i krizës që cenon Evropën. Sidomos në shoqëritë e lashta me traditë të krishterë – konstaton Papa – njeriu sot pretendon të ketë identitet të përkryer thjesht në vetvete, duke përjashtuar Zotin nga horizonti i jetës personale, madje për njeriun bashkëkohor Hyji është indiferent apo përkufizohet në një fushë private, intime, i mënjanuar nga ndërgjegjja publike. Me pak fjalë, thelbi i krizës shpirtërore e morale, thikë në zemër të Evropës, është pikërisht përjashtimi i Zotit, ky “i panjohur i madh” i kohës sonë. Kështu pohoi Papa sot paradite, në takim me ipeshkvijtë italianë, mbledhur në Vatikan për asamblenë e tyre të përgjithshme, në të cilën merr pjesë edhe kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi nga Mali i Zi dhe ipeshkvi i dioqezës së Rrëshenit, imzot Kristofor Palmieri nga Shqipëria, e natyrisht edhe ipeshkvijtë arbëreshë të Lungros, imzot Ercole Lupinacci, imzot donator Oliverio e ai i Horës së Arbëreshëve të Sicilisë, imzot Sotir Ferrari.
Detyra e Kishës, shpjegoi Benedikti XVI, është “t’i udhëzoj dhe çoj burrat e gratë e kohës sonë në takim me Zotin, i vetmi, që garanton lumturinë sonë”.
“Trashëgimia shpirtërore e morale, ku i ka rrënjët Perëndimi, përbën limfën e tij jetësore, por sot nuk përfshihet në vlerat e tij më të thella, deri në atë pikë, sa të mos kuptohet më e vërteta e saj. Edhe toka më pjellore ka rrezik të bëhet kështu një shkretëtirë e pabanueshme, ndërsa fara e mirë të mbytet, të shkelet e të humbet”.
Largimi nga kisha, nga Eukaristia e nga Rrëfimi, mungesa e ndjenjës se të pagëzuarit në Krishtin i përkasin njëri-tjetrit, formojnë një bashkësi, janë vetëm disa shenja të humbjes së orientimit të shoqërisë perëndimore. Megjithatë, theksoi Papa, ajo vazhdon të ketë etje për Zotin:
“Nuk mungon e del në dritë, shpesh në mënyrë konfuze, kërkesa e veçantë, në rritje, për përshpirtëri e për gjërat e mbinatyrshme, shenjë e ankthit, që ka bërë fole në zemrën e njeriut, i cili nuk i hap dritaret për të parë horizontin transhendetal të Zotit”.
Pikërisht për këtë arsye, Benedikti XVI u kërkoi ipeshkvijve italianë t’i ndihmojnë njerëzit të rizbulojnë zemrën e fesë e të jetës së krishterë:
“Në një kohë, në të cilën Zoti është bërë për shumë vetë një i Panjohur i madh e Jezusi është kthyer thjesht në një personazh të rëndësishëm të së kaluarës, nuk mund të marrë hov veprimtaria misionare, pa përtëritjen e cilësisë së fesë e të lutjes; nuk do të jemi në gjendje të japim përgjigjet e duhura, pa pranuar sërish dhuratën e Hirit Hyjnor; nuk do të dimë të fitojmë njerëz për Ungjillin, nëse nuk i kthehemi ne vetë të parët, përvojës së thellë të Zotit”.
Kushti i parë për të folur mbi Zotin, u tha Papa ipeshkvijve, është të flasim me Zotin, të bëhemi gjithnjë e më tepër njerëz të Zotit, të ushqyer me lutje e të plazmuar nga Hiri i Tij. Duhet ta lejojmë Hyjin t’u flasë zemrave, të ndihmojmë çdo njeri t’i afrohet së Vërtetës, shtoi Ati i Shenjtë:
“Nga marrëdhëniet me Të lind bashkimi ynë e krijohet bashkësia kishtare, që përqafon të gjitha kohrat e të gjitha vendet, për të qenë Populli i vetëm i Hyjit”.
Ky është misioni i Kishës, sot e përgjithmonë: ta udhëheqë njeriun drejt takimit me Jezu Krishtin, Udha, e Vërteta e Jeta. Ky është edhe qëllimi i Vitit të Fesë, kujtoi Papa, që do të fillojë më 11 tetor e do të jetë rasti që njerëzit të kuptojnë se të bësh vullnetin e Zotit nuk e kufizon lirinë, por të bën vërtet të lirë:
Zoti është garant për lumturinë tonë, e jo kundër saj. Aty ku hyn Ungjilli – e pra, edhe miqësia me Krishtin – njeriu e kupton se është objekt i një dashurie, që pastron, ngroh dhe përtërin, e na bën të aftë ta duam e t’i shërbejmë të afërmit me dashuri hyjnore”.
Në formimin e njerëzve, ka rëndësi Katekizmi i Kishës Katolike, i cili, sivjet, kremton 20-vjetorin e botimit. Duke kujtuar këtë dhe 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit, Benedikti XVI theksoi nevojën e përçimit të pastër e të plotë të doktrinës, në mënyrë të re, por në vazhdimësi me traditën mijëvjeçare të Kishës:
Me këtë çelës për interpretimin e zbatimin e tij, në këndvështrimin, jo të një hermeneutike të papranueshme të shkëputjes nga e kaluara, por të hermeneutikës së vazhdimësisë e të reformës, ndjekja e Koncilit e pranimi i direktivave me autoritet të tij, është rruga për të gjetur mënyrat, me të cilat Kisha mund t’u japë përgjigje, vërtet me vend, shndërrimeve të mëdha shoqërore e kulturore të kohës sonë, që kanë pasoja të dukshme edhe mbi përmasën fetare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.