2012-05-24 13:24:47

Haxhinasto: Kosova sa më shpejt në Këshillin e Evropës


"Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë është që Kosova të jetë sa më parë anëtare e Këshillit të Europës", tha sot zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, të Shqipërisë Edmond Haxhinasto, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thobjorn Jagland, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Haxhinasto tha se "gjatë presidencës shqiptare të KiE-së do të kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë mes Kosovës dhe KiE-së, me qëllim që shoqëria kosovare të përqafojë në mënyrën më të konsoliduar vlerat e rëndësishme të Këshillit të Europës për bashkëjetesën dhe respektin ndaj minoriteteve".
"Gjithashtu me synojmë që të krijohet edhe një mundësi konkrete që institucionet në Kosovë të forcohen, duke pasur parasysh standardet dhe parimet më të larta demokratike që ka KiE", tha ai.
Zyrtari i lartë i KiE-së, Jagland ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, një ditë pasi Shqipëria mori zyrtarisht presidencën e Këshillit të Europës.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thobjorn Jagland deklaroi sot në Tiranë, se "është shumë e rëndësishme që Presidenti i ri i Shqipërisë të zgjidhet në një mënyrë bashkëpunuese dhe të dalë prej një procedure transparente dhe një qasje bashkëpunuese ndërmjet partive politike në Shqipëri".
Zyrtari i lartë i KiE-së, Jagland ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, një ditë pasi Shqipëria mori zyrtarisht presidencën e Këshillit të Europës.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, Jagland u ndal edhe te procesi i zgjedhjes së presidentit në Shqipëri. Sipas tij "është në duar të partive politike për të zgjedhur se kush do të jetë presidenti i vendit, por procesi duhet të jetë transparent dhe bashkëpunues.
Përsa i përket presidencës shqiptare të KiE-së, Jagland tha se "përgatitja e Shqipërisë për këtë presidencë të radhës është shumë serioze". Ai vlerësoi gjithë punën e bërë lidhur me axhendën e përgatitur nga Shqipëria, veçanërisht vëmendjen shumë të madhe që i është kushtuar çështjes së diversitetit, duke e konsideruar çështjen e minoriteteve dhe të grupeve etnike si një vlerë të shtuar dhe një parim themelor të punës gjatë kësaj presidence.
"Këto kanë qenë temat kryesore gjatë kohës që unë kam marrë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së. Çështja e të jetuarit në diversitet është një nga sfidat më të mëdha të gjithë Evropës. E dimë të gjithë se Evropa po kalon kohë të vështira për sa i takon krizës dhe problemeve ekonomike, gjë e cila qëndron në krye të axhendës europiane, por do të vijë një kohë kur këto probleme kryesore do të zgjidhen dhe çështja kryesore do të jetë çështja e të jetuarit në diversitet", tha ai.
Jagland vlerësoi edhe mbështetjen e presidencës së Shqipërisë për sa i përket proceseve reformuese të KiE-së, realizimeve dhe plotësimit të detyrimeve që rrjedhin nga dokumentet kryesore të KiE-së, që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave dhe lirive kryesore të njeriut".







All the contents on this site are copyrighted ©.