Dita e lutjes për Kishën në Kinë, botohet në gjuhën kineze, letra apostolike “Porta
Fidei” për Vitin e Fesë
Sot kremtohet Dita e lutjes për Kishën në Kinë, themeluar nga Benedikti XVI me rastin
e përkujtimit të së Lumes Mari Virgjër Ndihmë e të Krishterëve, posaçërisht e nderuar
në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar të Sheshanit, në afërsi të Shangait, ku këtyre ditëve
shtegtuar shumë besimtarë kinezë. E pikërisht me rastin e Ditës së sotme Botërore
të Lutjes për Kishën Katolike në Kinë, e cila u kremtua sot, në festën liturgjike
të Zojës Ndihmëtare, Konferenca Ipeshkvnore e Tajvanit publikoi në gjuhën kineze tekstin
e plotë të Letrës Apostolike “Porta Fidei”, shkruar nga Papa Benedikti XVI për Vitin
e Fesë, që do të fillojë në tetor. Një meshtar kinez deklaron për agjencinë katolike
të lajmeve “Asianews” se “rizbulimi i fesë dhe dëshmia publike e lidhjes me Papën
janë themelore për përtëritjen e bashkësisë në Kinë. Viti i Fesë nuk është vetëm për
botën perëndimore të shekullarizuar – përfundon meshtari – por edhe për ne, që nganjëherë
e reduktojmë fenë vetëm në ndjenja të përshpirtshme, pa ndikim mbi arsyen e mbi jetën”. Kujtojmë
se Kisha Katolike në Kinë, pavarësisht se nuk persekutohet më si më parë, vuan nga
shumë kufizime të veprimtarisë së saj, sidomos kur është fjala për marrëdhëniet me
Vatikanin e me Atin e Shenjtë. Dita e Lutjes për katolikët kinezë është caktuar nga
Papa Ratcinger në festën liturgjike të Zojës Ndihmëtare për shkak të devocionit të
jashtëzakonshëm të kinezëve për të. Nëna e Krishtit, Ndihma e të Krishterëve, nderohet
sidomos në shenjtëroren e Sheshanit, pranë Shangait.