2012-05-23 10:55:52

Shqipëri: Prokuroria nis hetimet mbi aksidentin e Himarës


Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit të dy ditëve më parë, në Himarë, ku humbën jetën 13 studentet e universitetit "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit, ndërsa mbetën të plagosura shumë të tjera. Hetimet lidhur me mjetin që udhëtonin studentet, për autobusin e agjencinë e udhëtimit, do të përqendrohen nëse aksidenti ka ndodhur si pasojë e ndonjë defekti teknik, apo për faj të shoferit.
Burime nga Prokuroria e rrethit bënë të ditur të mërkurën për ATSH-në se "ekspertë të Prokurorisë kanë nisur hetimet, të cilat si fillim janë përqendruar në agjencinë e udhëtimit "Llixha 2001" ,duke marrë nga kjo e fundit të gjitha dokumentet teknike, ku edhe do të vërtetohet nëse agjencia ka plotësuar të gjitha rregullat e duhura të mjetit, sikurse është kolaudimi dhe kontrolli teknik i tij.
Gjithashtu, në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor në Elbasan është tërhequr dosja, ku edhe ndodhet patenta e shoferit Pëllumb Çela, si edhe dokumentet teknike të automjetit.
Ndërkohë që edhe nga universiteti "Aleksandër Xhuvani" janë tërhequr të gjitha dokumentet, ku do të vërtetohet nëse ky institucion kishte lidhur më parë një kontratë me agjencinë "Llixha 2001", lidhur me transportin e studentëve në ekspedita, si edhe ekskursione të ndryshme.
Nga burimet e institucionit të drejtësisë në Elbasan mësohet se është tërhequr edhe lista e studenteve të nisura për ekspeditë mëngjesin e së hënës dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen e aksidentit tragjik.
Ndërkaq, rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi, është shprehur se "kontrata mes kësaj agjencie dhe universitetit është e rregullt dhe ka më shumë se tre vjet që studentët udhëtojnë me mjetet e kësaj agjencie".







All the contents on this site are copyrighted ©.