Në audiencën e përgjithshme mbajtur sot paradite në Vatikan, Benedikti XVI u foli
besimtarëve të pranishëm mbi lutjen e Krishtit drejtuar Atit Qiellor, siç na tregohet
e rrëfehet në pjesët e Letrave të shën Palit drejtuar Korintianëve e Romakëve. “Të
mërkurën e kaluar kam treguar se si Shën Pali thotë se Shpirti Shenjt, mësues i madh
i uratës, na mëson ti drejtohemi Zotit me fjalë të përzemërta prej bijve, duke e quajtur
“Abbà, Atë”. Kështu bëri Jezusi; edhe në çastin më dramatik të jetës së vet tokësore,
Ai nuk e ka humbur kurrë besimin në Atin dhe gjithmonë e ka lutur e thirrur me fjalë
intime prej Birit të dashur. Në kopshtin e Gjetsemanit, kur ndjente ankthin e vdekjes,
lutja e tij është “Abbà! O Atë! Gjithçka është e mundur për ty: largoje prej meje
këtë kelk! Por jo çka dua unë, por çka ti do” u bëftë. (Mk 14,36). Qysh në hapa
të parë të saj, Kisha e dëgjuar këtë lutje dhe e ka bërë të veten, sidomos në lutjen
e Atë ynë-s, në të cilën përditë themi: “Atë...u bëftë vullneti yt, si në qiell edhe
në tokë” (Mt 6,9-10). Në Letrat e shën Palit gjejmë dy herë këtë thirrje. Apostulli,
i drejtohet Galatasve me këto fjalë: “E që ju jeni bij të tij, e dëshmon fakti që
Hyji dërgoi në zemra tuaja Shpirtin e Birit të tij, i cili në thërret: “Abbà! O Atë!”
(Gal 4,6)”. E në qendër të asaj kënge të Shpirtit që është kreu i tetë i Letrës drejtuar
Romakëve, shën Pali ripohon: “ E ju nuk keni marrë një shpirt që ju bën skllevër për
të pasur sërish frikë, por keni marrë Shpirtin e Shenjtë, që ju bënë bij të adoptuar
të Hyjit, nëpërmjet të cilit thërrasin: Abbà, o Atë!” (Rm 8,15).