2012-05-23 14:26:09

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: dukjet mariane në kohë


Dukjet mariane nuk i përkasin vetëm kohëve të vona. Shumë autorë të lashtësisë së krishterë, ndërmjet të cilëve edhe etërit e Kishës, flasin për dukje të jashtëzakonshme të Virgjërës Mari. Lajmin e parë, të vërtetuar historikisht, e gjejmë tek Gregor Niseni (392 pas K.), i cili pohon se Maria iu duk Gregorit Mrekullibërës, në vitin 231 pas K. Historiani Sozomeno (450 pas K), në ‘Historinë e Kishës” shkruar prej tij, pohon se dukjet e Nënës së Zotit në Kostantinopojë ishin të shpeshta. E grupi, të cilit i dukej më dendur, ishte ai që mblidhej në një shtëpi të vogël e udhëhiqej nga Gregor Nacianceni.
Sulpic Severi (420/ 425 pas K) shkruan se Maria iu duk Shën Martinit të Tur; ndërsa Gregori i Tur (594) flet për vegimin e arkitektit Gjon Mosko, që po ndërtonte një tempull për nder të Marisë.
Për dukjet e Zojës shkruajnë edhe Pseudo Teofili i Aleksandrisë, në homelinë kushtuar ikjes në Egjipt; Beda i Nderuar, Gjoni i Salernos, në veprën e tij “Jeta e Shenjtit Odonis” dhe Pseudo Bazili i Çezaresë (shek VII), që tregon se e pa Virgjërën Mari, në sa po i kushtonte një Kishë në Filipi.
Edhe zanafilla e lashtë e shumë shenjtëroreve ose tempujve të famshëm shpjegohet pikërisht me dukjet e Virgjërës Mari. Shenjtërorja e Pilarit, në Saragozë, për shembull, nisi të ndërtohej pasi Zoja iu duk Shën Jakut të Madh, ungjillëzues i Spanjës, në vitin 41 pas Krishtit.
Bazilika e Madhe Le Pyi, u ndërtua për të kujtuar dukjet e Nënës së Zotit një gruaje me emrin Vila, e cila u shërua papritmas nga një sëmundje e rëndë. Katedralja e famshme e Shartrë, pastaj, ndërtimi i së cilës nisi në vitin 1028, nën drejtimin e Shën Fulbertit, pikërisht pas një dukjeje të Zojës. E edhe bazilika më e lashtë kushtuar Marisë në Evropë, ajo e Shën Marisë së Madhe u ndërtua në Romë, pikërisht pas dukjes së Zojës, që njihet me titullin “Zoja e borës”.
Në mijëvjeçarin e dytë, sidomos duke u nisur nga shekulli XIX, dukjet e Zojës janë më të dokumentuara. Sipas kërkimeve shkencore, që nga fillimi i shekullit XX e deri në vitin 1990, janë vërtetuar 527 mrekulli e dukje të Zojës së bekuar, në 70 kombe të ndryshme, pa llogaritur mrekulli të heshtura, që njerëzve u pëlqen t’i ruajnë në fshehtësinë e zemrave të veta, siç bënte vetë Maria, para mrekullive që kreu Zoti në të. Dy autorë gjermanë radhisin kronologjikisht, në një vëllim vigan, më se njëmijë ndërmjetësime të jashtëzakonshme e dukje mariane, që nga shekulli VII e deri në ditët tona, duke shënuar vitin, vendin e kombin ku Zoja u duk ose bëri mrekulli e duke i shoqëruar edhe me një përshkrim të shkurtër ngjarjet e mrekullueshme. Nuk do të mbaronim kurrë, kështu, po t’i kujtonim të gjitha mrekullitë dhe dukjet e Zojës. Do të ndalohemi vetëm tek një nga dukjet më të largëta në kohë, ajo në Karavagjos, e tek më e afërmja, dukja në Megjugorje, që vijon të shkaktojë shumë diskutime.







All the contents on this site are copyrighted ©.