2012-05-23 14:25:25

Katolikët amerikanë hedhin në gjyq shtetin për të mbrojtur lirinë e fesë


Katolikët amerikanë denoncojnë reformën shëndetësore të presidentit Barak Obama dhe hedhin në gjyq shtetin, i cili akuzohet se nuk i lë të lirë të shprehen e të veprojnë sipas bindjeve të tyre. Mëse 40 organizata dhe institucione katolike, ndër të cilat edhe kryedioqeza e Nju Jorkut, i janë drejtuar Gjykatës për të kundërshtuar hyrjen në fuqi të një norme, e cila u imponon të paguajnë kontraceptivët dhe abortet e punonjëseve të tyre. Kjo normë bën pjesë në reformën shëndetësore të administratës Obama dhe i detyron punëdhënësit t’u japin punonjësve të tyre një sigurim mjekësor, ku të përfshihet edhe asistenca për ato ndërhyrje mjekësore, që janë kundër vlerave të Kishës. Akuzuesit e konsiderojnë këtë, kufizim të lirisë fetare, siç u pati shkruar edhe vetë kryeipeshkvi i Nju Jorkut, imzot Timoti Dolan, ipeshkvijve të tjerë amerikanë, në një letër, ku theksonte se kjo betejë nuk është vetëm e katolikëve. Duke i detyruar të mos veprojnë sipas ndërgjegjes së tyre, qeveria i shtyn besimtarët të mohojnë parimet, në të cilat besojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.