Deklaratë e kardinalit Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, mbi trapiantin
e zemrës në Spitalin Pediatrik romak të Krishtit Fëmijë.
“Një ngjarje e jashtëzakonshme, që flet vetë për pasionin me të cilin u shërbehet
fëmijëve dhe aftësinë për ta vënë teknologjinë në shërbim të mjekësisë”. Këtë nënvizon
kardinali Bertone, në një deklaratë lidhur me arritjen në shërbim të fëmijëve të sëmurë
nga zemra, duke shprehur edhe qëndrimin për këtë ngjarje të madhe. Me kënaqësi
të thellë, shkruan kardinali Bertone në deklaratë, përgëzoj ekipin kirurgjik dhe të
gjithë personelin e Spitalit Pediatrik romak të Krishtit Fëmijë, që mundi, për herë
të parë në botë, të realizojë transplantimin e zemrës, në një fëmijë që sapo i kishte
mbushur 16 muaj, pasi u sigurua se do të mund të jetonte me ndihmën e një zemre artificiale. Një
zemër e vogël, që çon gjak e jetë, duke garantuar një ardhmëri e një dhuratë për të
gjithë ne, për shumë fëmijë e për shumë familje, që e shikojnë me besim përparimin
e shkencës mjekësore, ashtu si dhe aftësitë organizative e kërkimore shkencore, drejt
rrugëve të reja të mjekimit e të shërimit. Me këtë operacion Spitali Pediatrik
i Krishtit Fëmijë, konfirmon rolin e tij të pararojës ndërkombëtare në gjetjen e rrugëzgjidhjeve
klinike më të reja, siç është edhe përgjigjja që dha në fushën e robotikës, në shërbim
të rehabilitimit pediatrik.Ky realizim, përfundon Sekretari i Shtetit të Vatikanit,
ka edhe një vlerë të fuqishme simbolike: jep zemër e shpirt, në një çast kaq të vështirë
për të gjithë ata, që janë të prekur thellë prej dhimbjes, shkaktuar nga njerëzit
e nga fatkeqësitë e natyrës. Akt simbolik shprese e humanizmi, që ngjall besim në
të ardhmen, përmes mjekimit të fëmijës, mishërim i vetë kuptimit të ardhmërisë e të
jetës, që shpëton e vijon të rritet.