2012-05-23 15:39:55

Aksidenti në Himarë: gjendja e 12 vajzave e qëndrueshme, 2 tjerë janë rëndë


Gjendja shëndetësore e studenteve të plagosura, që ndodhen në Spitalin Ushtarak në Tiranë, është relativisht e qëndrueshme për 12 rastet, ndërsa 2 janë më rëndë, tha drejtori i këtij spitali, Bedri Mihja.
Mihja tha se "12 rastet janë mirë, vazhdojnë të bëjnë eksploracionin e plotë me ekzaminime definitive për diagnozën dhe nuk kanë probleme të rëndësishme për jetën". Problem, sipas tij, mbeten dy vajza, Florije Peci dhe Eriselda Gubere, që kanë nevojë për ndjekje të vazhdueshme, sepse janë nën kontrollin e respiratorit. Mihja tha se "ato kanë dëmtime serioze, por nuk janë pa shpresë dhe ne kemi shpresë se do ia dalin".
Sa i takon transportimit të këtyre rasteve për të marrë ndihmën e specializuar jashtë vendit, Mihja tha se "ne jemi duke punuar në të gjitha drejtimet, por do të bazohemi tek vendimet logjike mjekësore, që do të thotë se nuk do nxitohemi, do të jemi të matur, do t'u japim çdo lloj ndihme sido që të jetë. Ato janë në gjendje kome dhe vendimi për transport merret me vendim mjekësor të rregullt, kjo do të konfirmohet hap pas hapi. Për momentin janë në terapi intensive dhe nën kontrollin e mjekëve". Mihja tha se stafi mjekësor do të mblidhet sërish në orën 14.30 lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurave.
Pesë nga studentet që mbetën të plagosura në aksidentin e ndodhur dy ditë më parë, në afërsi të qytetit të Himarës, të cilat po trajtoheshin në spitalin e Vlorës, dolën sot në mesditë nga ky spital, pas përmirësimit të dukshëm të parametrave të tyre shëndetësorë.
Drejtori i këtij institucioni, Shkëlqim Selami, tha për ATSH-në se "Ergita Opingari, Ticiana Hysaj, Anisa Hysa, Enkela Daja, Adisa Çela, dolën sot nga ky spital, ku trajtoheshin prej mbrëmjes së ditës së hënë, kur ato mbërritën pak orë pas aksidentit".
Sipas Selamit, gjendja shëndetësore e tyre ishte normale dhe mjekët vlerësuan se ato mund të qëndrojnë në kushtet e shtëpisë.Pesë vajzat u shoqëruan nga autoambulancat e Spitalit Rajonal të Vlorës për në shtëpitë e tyre, në Berat dhe Elbasan.
Aktualisht, në spitalin e qytetit të Vlorës po mbahen nën kujdesin e mjekëve studentet e plagosura Elidona Gjinaj, Adiola Mustaku, Juliana Kuqi, Besjana Xheneti, Liri Hasaj, parametrat shëndetësorë të të cilave janë ende të pastabilizuar plotësisht.
Në aksidentin e pasdites së të hënës, në afërsi të qytetit të Himarës, në vendin e quajtur "Qafa e Vishës", autobus me të cilin udhëtonin disa studente të Universitetit "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit, ra nga një lartësi prej disa dhjetëra metrash dhe humbën jetën 13 persona, mes të cilëve 11 studente.
Po ashtu, u plagosën 26 të tjera, nga të cilat 10 u trajtuan në Spitalin Rajonal të qytetit të Vlorës.
Studentet e vitit të tretë në degën Gjuhë Letërsi, ishin nisur për në qytetin e Sarandës, ku do të qëndronin të paktën 2 ditë, në kuadrin e një ekskursioni si pjesë e programit mësimor.







All the contents on this site are copyrighted ©.