2012-05-22 13:06:58

Zi kombëtare në Shqipëri, pas aksidentit tragjik të Himarës. Imzot Mirdita lutet për viktimat e familjet e tyre.


Tragjedi e rëndë godet Shqipërinë. Sot, ditë zie kombëtare për 13 viktimat e aksidentit të djeshëm, pranë Himarës. Flamujt gjysëm shtize, një minut heshtjeje në orën 12.00 e muzika funebre në të gjitha radiot e televizionet, karakterizuan ditën e sotme, kur vendi vajtoi studentët e letërsisë së Universitetit të Elbasanit, që humbën jetën në lule të moshës, për shkak të rënies se autobuzit me të cilin po shkonin nga Elbasani në Sarandë. Shoferi 55 vjeçar, ndër viktimat. Akoma nuk dihet shkaku i rënies së autobuzit, pavarësisht nga hipotezat e dëshmitë e të mbijetuarve. Mëse 25 të plagosur po kurohen në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe në atë të Vlorës.
Që nga dita e djeshme, qindra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për të dhuruar gjak, sidomos në Tiranë, ku janë shtruar të plagosurit rëndë. Në rresht edhe politikanët, duke filluar nga gruaja e presidentit të Republikës, Teuta Topi. Të tjerë vazhdojnë vizitat në spitale për t’u shprehur afërsinë e tyre të mbijetuarve e për të ngushëlluar familjet e viktimave. Kryeministri Sali Berisha la takimin e NATO-s në Çikago dhe u kthye në Shqipëri. Me urdhër të tij, të gjitha shpenzimet për kurimin e të plagosurve, duke përfshirë edhe dërgimin jashtë shtetit, do të merren përsipër nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa funerali i viktimave do të mbulohet nga Ministria e Brendshme, e cila do të mendojë edhe për nevojat e familjeve.
Edhe bashkësitë fetare marrin pjesë në zinë e familjeve. Krerët e bashkësisë katolike e të asaj myslimane i kanë bërë publike mesazhet e tyre të ngushëllimit dhe mbështetjen shpirtërore për të mbijetuarit. Ja mesazhi i kryeipeshkvit të dioqezës së Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirdita:
“Të dashur prindër dhe të afërm të viktimave të aksidentit të Himarës. Nëpërmjet mediave u njoftuam për tragjedinë e rëndë të Himarës, ku humbën jetën 13 studentë dhe u plagosën mëse 20 të tjerë. Kemi provuar një tronditje të thellë në shpirt dhe lutjet tona u bashkohen atyre të prindërve dhe të afërmve të viktimave. I lutemi Zotit për një shërim sa më të shpejtë të të plagosurve. Më lejoni t’ju shpreh afërsinë shpirtërore timen dhe të Dioqezës, juve, të plagosurve, punonjësve të shëndetësisë dhe forcave të rendit, që të gjithë së bashku ta kalojmë këtë provë të jashtëzakonshme, duke ju lutur Zotit të na forcojë. Le t’ia besojmë Zotit kujdesin për shpirtrat e viktimave dhe të mbështesim me lutjet tona një shërim sa më të shpejtë të të plagosurve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.