2012-05-22 16:08:47

Imzot Fizikela: pas krizës ekonomike botërore, qëndron kriza e vlerave dhe e fesë


Evropa po përjeton orë dramatike, për shkak të krizës ekonomike. Themelet e Bashkimit Evropian lëkunden nga mundësia e daljes së Greqisë nga euro, ndërsa bursat vazhdojnë ta mbyllin ditën me humbje e papunësia rritet, sidomos ndër të rinjtë. Nëntë ditë konsultimesh intensive ndërmjet partive të Athinës nuk arritën t’i japin popullit një qeveri të bashkimit kombëtar. E kancelaritë evropiane e shohin me dyshim atdheun e demokracisë e të filozofisë perëndimore, duke i quajtur grekët “të papërgjegjshëm”, sepse të vetëdijshëm për pasojat, do të kthehen në kutitë e votimit nga mesi i qershorit.
Kisha Katolike ka venë gjithnjë në dukje se kriza ekonomike është shkaktuar dhe i ka rrënjët në krizën më të gjerë antropologjike, në krizën e vlerave e të fesë. Intervistuam për këtë kryetarin e Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Rino Fizikela:
Kriza e fesë na shqetëson më shumë. Është krizë dramatike, siç thotë Papa Benedikti XVI. Fatkeqësisht, ajo ka sjellë si pasojë pasigurinë e thellë në vetë njeriun. Prandaj, ajo shndërrohet në format e indiferencës e të individualizmit, që vërehen në shoqërinë bashkohore, prej të cilave nuk mund të përjashtohen as format e cinizmit, që, duke mos ndjekur asnjë kriter etik apo moral, kanë sjellë në këtë krizë të madhe financiare dhe ekonomike, e cila po e shtyp botën.
Në këtë situatë, cila është sfida, që duhet të përballojë Kisha, sidomos duke filluar nga tetori, kur të nisë Viti i Fesë dhe Sinodi i Ipeshkvijve për ungjillëzimin e ri?
Sipas meje, sfida do të jetë të kuptojmë se ekzistojnë rrathë koncentrikë të vëmendjes për ungjillëzimin e ri, nëse mund të shprehemi kështu. Së pari, ne të krishterët duhet të bëhemi të vetëdijshëm e të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë, që kemi si besimtarë. Pra, duhet ta përtërijmë fenë, por edhe të kuptojmë se jemi ne ungjillëzuesit, deri në thellësitë e shpirtit. Pastaj, rrethi më i madh – gjithnjë duke iu referuar figurës së rrathëve koncentrikë – është ai i indiferentëve, që janë bërë të tillë me kohë, janë bërë agnostikë, janë ata, që lehtësisht thonë “jam i krishterë, por jo praktikant”, pa e kuptuar kontradiktën e rëndë, paradoksin e kësaj shprehjeje. I krishteri, për natyrën e vet, është njeri që merr pjesë në jetën e bashkësisë e të Kishës. Rrethi i tretë u takon atyre, që janë edhe më larg Kishës, por ndoshta, dëshirojnë të gjejnë akoma njerëz të aftë për t’u kumtuar dashurinë e Zotit.
Ç’do të thotë, sipas jush, se jemi të krishterë? A është kjo e rastit, vetëm sepse prindërit na kanë pagëzuar, kur ishim të vegjël?
Para së gjithash, është Hiri Hyjnor që vepron në ne. Të mos harrojmë se jemi të krishterë, sepse Kisha na e ka përçuar fenë, na e kanë përçuar prindërit. “Nuk është e rastit” do të thotë që ne duhet t’i jemi mirënjohës Zotit, që na zgjodhi për këtë mision të madh dhe, duhet t’u jemi mirënjohës prindërve, që na transmetuan fenë. Pastaj ajo jetohet në veprimtarinë e përditshme e ne marrim vendime, që ndikojnë jo pak në një sfidë, të cilën mund ta shpreh kështu: a do të arrijë brezi ynë t’ua përçojë fenë fëmijëve, atyre, që do të jetojnë pas nesh?







All the contents on this site are copyrighted ©.