2012-05-21 14:32:00

Lëvizja italiane për Jetën, mbledhur në Sallën e Palit VI, shpall nismën “Një nga ne”.


E kujtoi Papa në lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore: dje në sallën e Palit VI, në Vatikan, u mbajt një takim, organizuar nga Lëvizja për Jetën në Itali, me temë: “Një nga ne”. Pjesëmarrësit kërkuan me forcë njohjen e të drejtave njerëzore për fëmijën, që pret të dalë në dritë; kërkuan të jetojë, e jo të mbytet.
Kjo kërkesë, pra, ishte në qendër të vëmendjes në “Lifeday 2012”, Ditë kushtuar jetës, e edhe në takimin për mbrojtjen e jetës, që nga zënia, mbajtur në Vatikan. Në përfundim, kryetari i Lëvizjes, Karlo Kazini, njoftoi se nisma do të organizohet përsëri në maj 2013. Ndërsa të gjithë pjesëmarrësit u shprehën për respektimin dhe mbrojtjen e jetës. T’i dëgjojmë disa prej tyre, në mikrofonin tonë:

“Kam menduar gjithnjë se jeta është vlerë parësore e se, po të mos e respektojmë jetën, nuk mund të respektojmë as të drejtat e tjera. E në se e respektojmë, duhet të nisemi nga fillimi i saj , deri në fund të fundit”.

“Jeta është dhuratë e madhe: ne e kemi ndjerë fuqimisht, sepse pritëm nëntë vjet për ta pasur vogëlushen tonë. E dimë se kur vjen një fëmijë, është vërtet dhuratë e madhe”.

“Unë pata një fëmijë që në moshën 17 vjeçare; prej këndej, erdha këtu për t’i thënë ‘po’ jetës, në çdo rrethanë. Zgjodha rrugën më të vështirë, por edhe më të bukur: lindjen, jo abortin. Shumëkush u mundua të më bindte se do ta kisha tepër vështirë ta lindja e ta rrisja këtë fëmijë. Po unë jam e bindur se ta shuash jetën, është krim”.

I pyetur ‘si e mbroni jetën”, kryetari i një qendre “Ndihmë për jetën” u përgjigj:
“Në dy mënyra: si qendër “Ndihmë për jetën” e si familje, duke dhënë shembullin vetjak për familjet, që tremben nga fëmijët. Besoj se duke na parë ne, që kemi tre fëmijë e jemi gjithnjë plot gëzim, gjithnjë të kënaqur, edhe të tjerët mund ta ndjekin rrugën tonë. Besoj se dëshmia për jetën ka shumë më tepër rëndësi se mijëra fjalë”.

Ndërsa kryetari i Lëvizjes së Përtëritjes në Shpirtin Shenjt për Italinë, Salvatore Martinez, u shpreh kështu:

Përgjigje: - Ne besojmë se jetën e jep Shpirti Shenjt e kush udhëhiqet nga Shpirti i Zotit, nuk mund të mos e mbrojë jetën. Kultura e vdekjes duhet mundur me kulturën e jetës, së cilës i këndojnë besimtarët, i këndojnë fëmijët, i këndojnë të varfërit. Në se Krishti fitoi mbi vdekjen, edhe ne mund të fitojmë mbi të, në emër të jetës. Në emër të jetës ne mund të ngadhënjejmë mbi kulturën e vdekjes.

Kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen, në përfundim të nismës, i ftoi të pranishmit ta respektojnë gjithnjë dinjitetin e jetës njerëzore. Ta dëgjojmë komentin e tij:
“Është takim, që e vë në qendër të vëmendjes këtë dramë, sepse njeriu nuk respektohet gjithnjë, në çdo kohë e në çdo rrethanë, por vetëm kur ndokujt i leverdis: ndërsa kur i kundërvihet përfitimit të menjëhershëm, jeta shkatërrohet pa kurrfarë ngurrimi, si jeta, që pret të dalë në dritë, ashtu edhe ajo, që perëndon. Prej këndej, ka shumë rëndësi ta kujtojmë gjithnjë vlerën absolute të njeriut e të jetës njerëzore; ta respektojmë pa asnjë kusht, edhe kur kërkon flijime të mëdha, impenjim e lodhje nga ana e të tjerëve e edhe nga ana e mbarë shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.