2012-05-21 16:37:29

G8: më tepër zhvillim ekonomik e jo vetëm rigorozitet


Shtimi i përpjekjeve për zhvillimin ekonomik, nuk do të thotë se duhet lënë udha e rreptë e rigorozitetit. Me këtë frazë mund të përmblidhet thelbi i diskutimeve të të mëdhenjve të botës, në mbledhjen e G8-ës, që përfundoi vetëm disa orë më parë, në Camp David të SHBA-ve. Presidenti amerikan, Barak Obama u mundua ta ngushëllojë me këto fjalë kancelaren gjermane, Angela Merkel, të cilën, krerët e tjerë të shteteve e vunë me shpatulla për mur. Në rezolutën përfundimtare, shkruhet qartë se objektivi kryesor është të merren masa për të forcuar ekonominë dhe për të luftuar papunësinë.
Në Camp David u miratua linja Obama-Hollande-Monti, e cila u pëlqeu edhe bursave, në pritje të mbledhjes së krerëve evropianë të shteteve dhe të qeverive, të mërkurën. Në Bruksel do të kuptohet nëse receta e G8-ës për daljen nga kriza do të mund të funksionojë më mirë se linja e mëparshme Merkel-Sarkozy, bazuar vetëm mbi masat rigoroze për të zvogëluar borxhin publik.
Gjithsesi, në plan të parë mbetet drama e Greqisë dhe shqetësimi për bankat, sidomos për ato spanjolle. E ndërsa kryeministri i Madridit deklaroi se Spanja nuk ka nevojë për ndihmat evropiane, si amerikanët, ashtu edhe evropianët janë mëse të vetëdijshëm për efektin domino, që do të kishte dalja e Athinës nga euro. Zgjedhjet e reja të 17 qershorit në Greqi janë një takim i rëndësishëm jo vetëm për grekët, por për të gjithë evropianët, të cilët duhet të jenë gati për të përballuar çdo situatë.







All the contents on this site are copyrighted ©.