2012-05-21 12:12:21

Don Gjergj Meta: Heshtje dhe fjalë: për një ekosistem të komunikimit


Fjalët e titullit të këtij shkrimi janë të marra hua nga mesazhi që Benedikti XVI ka dhënë për Ditën Botërore të mjeteve të komunikimit shoqëror (mediave) që Kisha katolike kremton këtë të diel. Çka bie në sy në këtë mesazh është fakti se autori i tij ka vënë së bashku heshtje dhe fjalë si dy elementë të rëndësishëm, të domosdoshëm dhe të ndërvarur të një komunikimi sa më të mirë, efektiv dhe të shëndetshëm. Të flasësh për heshtje në media duket si paradoks, por pikërisht në një paradoks të tillë qëndron edhe mesazhi i kësaj dite. Heshtja është po aq e rëndësishme sa edhe fjala pasi ajo krijon mundësinë që fjala të marrë peshë e përmbajtje.
“Në heshtje dëgjojmë e njohim më mirë vetveten, lind dhe thellohet mendimi e kuptojmë me më shumë qartësi atë çka dëshirojmë të themi apo çka presim prej tjetrit, zgjedhim se si të shprehemi.” – thotë papa në mesazhin tij dhe ka të drejtë. Zhurma që krijohet nga fjalët, tingujt, kakofonia e jetës së përditshme po kthehen në mbytëse për njeriun modern i cili duket se nuk është më i aftë për kundrim heshtues. Kalimi i vrullshëm i imazheve, fjalët pa mbarim nuk të kenë kohë të ndalesh e të mendosh. Po t’i hedhësh një sy komunikimit sot në mediat shqiptare të bie në sy menjëherë kjo kakofoni zhurmuese, gati gati çoroditëse e shpeshherë e dhunshme e konfliktuale. Në mënyrë të veçantë kjo ndodh në komunikimin politik, që për vetë misionin që ka është i pari institucion që duhet të mendojë për të mirën e përbashkët e pra edhe për imazhin që u jep njerëzve që i shohin.
Më rastis shpesh, si zëdhënës i një institucioni sikurse është Konferenca Ipeshkvnore në Shqipëri, që të dërgoj lajme nëpër media. Në përgjithësi lajmet që tregojnë një arritje apo një pozitivitet rrallë përhapen nga të gjithë. Marrja e informacionit shpesh shoqërohet thjesht me dëshirën për të gjetur në rreshta diçka që do të ngacmojë patjetër dikë për të reaguar, për ta shtyrë që të blejë gazetën apo të marrë pultin e ta mbajë televizorin i ngulitur aty për orë të tëra. A është normale kjo? Sigurisht që jo, pasi kjo gjë është edhe tregues i mosdëshirës për thellim nga ana e punonjësit mediatik, ose të një thellimi që nuk merr parasysh gjithmonë shikuesin apo lexuesin, por efektin që prodhon mbi të për të rritur audience dhe blerjen. Prandaj të heshtësh e të reflektosh përballë një lajmi, një ideje do të thotë të marrësh në vlerësim shumë përmasa ndikuese dhe të ndikueshme të subjektit të trajtuar. Mediat jo më kot janë të cilësuara si një pushtet i cili funksionon në bazë të rregullave të veta. Por një pushtet, cilido qoftë ai e i cilësdo natyrë, në një sistem demokratik, nuk mund të shmangë pyetje thelbësore për ekzistencën e të tretëve dhe të vetë arsyes së ekzistencës së vet. Të tilla pyetje shtrohen, dhe orvatja për një përgjigje është e mundur, vetëm nëpërmjet një ekosistemi, që papa e përkufizon si një ambient të përshtatshëm që di të ekuilibrojë heshtje, fjalë, imazhe dhe tinguj. Pa ndërthurjen e këtyre përbërësve e momenteve të komunikimit ky i fundit humb në cilësi, në thellësi edhe pse mund të fitojë shumë në shtrirje.
Duhet pranuar fatmirësisht që mediat, në mënyrë të veçantë rrjetet sociale virtuale, janë tashmë vendet kur bëhen pyetje dhe formulohen përgjigje të shumta. Shpesh ato janë mundësia e zërit të atyre që nuk kanë zë, duke ngritur probleme dhe çështje që shqetësojnë njeriun e kohës tonë. Megjithëkëtë ka shumë rëndësi që “…të priten mirë personat të cilët bëjnë pyetje, duke u hapur atyre mundësinë e një bashkëbisedimi të thellë, i përbërë prej fjalësh, ballafaqimit, por edhe një grishje për reflektim dhe heshtje, që shpesh mund të jetë më shprehëse se sa një përgjigje e nxituar dhe i lejon atij që pyet të zbresë në thellësinë e vetes së tij e t’i hapet atij rrugëtimi për një përgjigje që Hyji ka gdhendur në zemrën e njeriut”.
Në media sot u jepet zë të abuzuarve, të shtypurve, të mënjanuarve dhe po prej aty nxiten edhe ndërmarrje dhe vendimmarrje të rëndësishme për përmirësimin e jetës së njeriut. Sa rëndësi kanë pasur mediat në Shqipëri në të gjitha proceset? Megjithë abuzimet e evidentuara, kemi qenë dëshmitarë të rolit që ata kanë luajtur në momente kyçe të tranzicionit shqiptar si shprehje edhe e lirisë njerëzore. Misioni i mediave në vendin tonë duhet të çojë patjetër drejt një afrimi të njerëzve e, në procesin e madh të ndërtimit të Shqipërisë demokratike, ato duhet të na shoqërojnë me përçimin edhe të atyre mesazheve që ftojnë për reflektim të gjithë komunitetin. Të vetëdijshëm për rolin e madh që mediat kanë, besimtarët e krishterë ftohen që të luten për ata që punojnë në këto “aeropagë” të kohës moderne sikurse i ka përkufizuar Gjon Pali II.
Komunikim do të thotë communio, bashkim, me tjetrin te i cili gjej vetveten dhe jap vetveten. Communio krijon communitas, bashkësi e bashkëjetesë me tjetrin. E tjetri ka nevojë shpesh të dëgjohet, të kuptohet e të mbrohet. Për të bërë këtë nganjëherë duhet heshtur, pasi kjo tregon edhe respekt ndaj tjetrit, ndaj dhimbjes, vuajtjeve, shqetësimeve të tij. “Kur fjala dhe heshtja përjashtojnë njëra tjetrën, komunikimi pëson dëm, ose sepse shkakton një lloj çoroditje ose sepse në të kundërt, krijon një klimë ftohtësie; por kur ato integrohen ndërsjelltazi, komunikimi merr vlerë dhe domethënie” .
Nga Gjergj Meta botuar në ‘Panorama’







All the contents on this site are copyrighted ©.