2012-05-19 15:51:44

Një relike e të Lumit Gjon Palit II në Kishën e Bilajt të Fushë-Krujës


Gëzim i madh për bashkësinë katolike të Bilajt të Fushë-Krujës në festën e Zojës së Bekuar të Fatimes më 13 maj. Mes duartrokitjeve dhe emocioneve të shumta të besimtarëve, u prit ardhja e Relikes (një pikë gjaku) e të Lumit Papës Gjon Palit të II në Bilaj të Fushë-Krujës, në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit, me 13 maj 2012.
Në këtë gëzim morën pjesë: shkëlqesia e tij, Nunci Apostolik Ramiro Moliner Inglés, shkëlqesia e tij imzot Rrok Mirdita, ambasadori polak së bashku me bashkëshorten, konsulli polak të akredituar në Tiranë, një gjeneral i NATO_s dhe shumë meshtarë, rregulltarë dhe e rregulltare. Të pranishëm ishin edhe shumë besimtarë të famullisë së Shën Gjon Pagëzuesit, por edhe nga famullitë e tjera, që kishin ardhur enkas për këtë festë dhe që i’a shtuan edhe më shumë gëzimin kësaj feste.
Mesha e Shenjtë e kryesoi shkëlqesia e tij imzot Rrok Mirdita. Në homelinë e tij kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit tha se “Shqipëria kishte një vend të veçantë në zemrën e Atit të Shenjtë Gjon Pali II, pasi afërsia gjeografike dhe martirizimi i klerit katolik e lidhnin për së tepërmi me Shqipërinë dhe shqiptarët – Gjaku i Çmuar i derdhur për Fe dhe Atdhe”. Ndër të tjera imzot Mirdita u shpreh: -“Unë ndjej një gëzim të veçantë në lidhje me Papa Gjon Palin e II, meqenëse jam një ndër katër ipeshkvijtë e parë shqiptarë të shuguruar nga Ati i Shenjtë Wojtila me rastin e vizitës së tij historike këtu në Shqipëri më 25 prill 1993, po ashtu edhe në lidhje me këtë Kishë, pasi unë vetë e kam shuguruar një ditë pas ikjes së Atit të Shenjtë Gjon Pali II nga Shqipëria. Sot kemi fatin të kemi një pjesë të trupit të tij, këtu të pranishëm në këtë kishë. Një Pikë Gjaku që ka rrjedhur në damarët e Tij. Ky do të jetë një bekim i veçantë për këtë famulli, por edhe për krejt besimtarët katolikë.
Një tjetër ngjarje e rëndësishme që mban datën e shënuar historike për Shqipërinë dhe shqiptarët -23 Prill 1993, që ndodhën njëherazi, takimi i Atit të Shenjtë dhe i Gruas më të Madhe Shqiptare dhe të krejt botës, Gonxhe Bojaxhiu – E Lumja Nënë Tereza, do të mbetet e pashlyeshme gjithmonë në zemrat e Shqiptarëve. Pikërisht prania e këtyre dy figurave të shquara që sot nderohen nga e gjithë bota. Me largimin e tij humbëm një Udhëheqës, një Bari, por fituam një të Lum, e së shpejti një Shenjt”.
Në këtë ditë kaq festive një vend i veçantë u qe rezervuar edhe katër fëmijëve, që do të takoheshin për herë të parë me Krishtin në zemrat e tyre, që do të merrnin Kungimin e Parë.
Spikaste përgatitja deri në detaje dhe me shumë mjeshtëri e bukuri nga ana e famullitarit Atë Wojtek Porada. Përshëndetja nga ana e famullitarit, këngët liturgjike, muzika e zgjedhur enkas për rast festiv e bënë edhe më të bukur këtë festë të besimtarëve të kësaj bashkësie katolike.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë pjesëmarrësit, e në mënyrë jete të veçantë për Atë Wojtek Porada, i cili bëri të mundur ardhjen e Relikes të të Lumit Papa Gjon Palit të II në këtë Kishë kushtuar Shën Gjon Pagëzuesit, ku tashmë besimtarë nga të gjitha anët do ti drejtohen kësaj Kishe, për t’i kërkuar Zotit hire e bekime me ndërmjetësimin e të Lumit Papa Gjon Palit të II.
I lutemi këtij të Lumi Gjon Palit II, që ka një vend të posaçëm para Fronit të Zotit, të ndërmjetësojë për Shqipërinë dhe shqiptarët, që kurdoherë ta kemi ndihmën dhe bekimin e Zotit!
Të gjithëve juve besimtarë të dashur, qe do ti drejtoheni himne lavdi e lutje Zotit përmes kësaj Kishe, ju uroj shtegtim të mbarë dhe fitofshi sa më shumë hire dhe bekime Hyjnore nëpërmjet ndërmjetësimit të të Lumit Papa Gjon Palit të II
njoftoi Drita Zefi nga Tirana







All the contents on this site are copyrighted ©.