2012-05-19 15:52:13

Atë Lombardi: Liria e ndërgjegjes dhe e fesë


Statistikat tregojnë se gjendja e të krishterëve në botë keqësohet. Në disa rajone, ata persekutohen edhe sot, si në kohët e para të krishterimit; në disa të tjera, u mohohen të drejtat e gjetiu, përjashtohen nga sfera publike. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë, në qendër të editorialit të sotëm të zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili merr shkas nga një letër baritore e ipeshkvijve kanadezë. Ta dëgjojmë:
“Ipeshkvijtë kanadezë kanë publikuar një letër të rëndësishme baritore “mbi lirinë e ndërgjegjes e të fesë”. Është me vlerë jo vetëm lokale, pasi trajton temat e rëndësishme të dëshmisë dhe të impenjimit të besimtarëve e të bashkësisë së Kishës bashkohore. E dimë mirë sa shumë i ka përmendur dhe është thelluar Papa në to, gjatë ndërhyrjeve të ndryshme të tij, si për shembull, në mesazhet për Ditën e Paqes dhe në fjalimet para Trupit Diplomatik.
Aspektet kryesore të çështjes janë dy. Para së gjithash, ai i dhunimit të hapur të të drejtave. Një nga studimet e fundit ka nxjerrë në dritë se “mëse 70% e vendeve të botës imponojnë kufizime juridike ose administrative, të cilat, praktikisht, anullojnë të drejtat e besimtarëve individualë, ose të disa grupeve fetare” (The Pew Forum on Religion and Public Life). Një raport tjetër pohon se “sot, mëse 75% e persekutimeve fetare në botë ka të bëjë me të krishterët” (Ndihmë për Kishën që vuan). Por, kemi edhe aspektin e persekutimeve më të holla, bazuar në atë realitivizëm, i cili bëhet kaq agresiv sa të drejtohet – siç vëren Papa – “kundër njerëzve, që thonë se e dinë ku gjendet e vërteta, ose kuptimi i jetës”. Ky aspekt i dytë është gjithnjë e më i ndjerë në shoqërinë perëndimore e nuk është e rastit që, përveç debatit intensiv në SHBA-të, sidomos në fushën e shëndetësisë, të shtohet tani edhe dokumenti kanadez, që e trajton temën me ekuilibër, thellësi e horizont të gjerë. Ka për qëllim të ripohojë të drejtën e fesë për të ndërhyrë në sferën publike, për të ruajtur marrëdhëniet e drejta ndërmjet Kishës dhe shtetit, për të formuar vetëdijet, duke u bazuar mbi të vërtetën objektive, për të mbrojtur të drejtën e kundërshtimit për hir të ndërgjegjes.
Besimtarët dhe Kisha nuk kërkojnë tjetër, veçse të mirën e përbashkët, e duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë pa pësuar dhunë kundër ndërgjegjes e fesë së tyre. Kjo vihet në lojë, ky është problemi, për zgjidhjen e të cilit duhen marrë parasysh situata kulturore e shoqërore të ndryshme e të reja. Papa na ndihmon të punojmë thellësisht, në dialog të hapur e konstruktiv me kohën tonë. Fjalimet e tij të mëdha në Uestminster Holl të Londrës dhe në Parlamentin e Berlinit janë shembuj të ndritshëm për këtë. Le të vazhdojmë në këtë rrugë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.