2012-05-18 17:33:10

Papa për 40-vjetorin e Opam: të vijojë impenjimi për arsimin në vendet e varfëra.


Që prej 40 vjetësh, Vepra për promovimin e alfabetizimit në botë (Opam) mbështet projekte në shumë zona të varfëra të Planetit e, për të kremtuar dhjetvjeçarin e katërt të fondacionit, Benedikti XVI i drejtoi kryetarit të Opam, don Aldo Martini, një mesazh.
Ju inkurajoj, shkruhet në mesazh, të vijoni me hov të ri impenjimin për të favorizuar arsimin e edukimin në vendet më të varfëra, me një stil pasurimi reciprok ndërmjet kulturave e vëllazërive të ndryshme, në gjirin e bashkësive kishtare.
Papa u jep bekimin pjesëmarrësve në takimin ndërkombëtar, organizuar me këtë rast në Romë, me temë “Humanizmi i brishtësisë; mësime nga Jugu i botës”.
Të dhënat më të freskëta tregojnë se në botën e sotme numërohen 790 milionë të rritur analfabetë. 2/3 e tyre, janë gra. Në disa nga vendet më të varfëra, numri i grave analfabete arrin deri në 85%. E nuk duhet harruar se shumica janë, ose do të bëhen nëna e se prehëri i nënës është shkolla e parë e fëmijës. Ç’ zhvillim shoqëror mund të pritet me shifra të tilla? Të cilave u shtohen edhe 67 milionë fëmijë analfabetë në moshën e shkollës fillore e 72 milionë adoleshentë, në moshën e shkollës tetëvjeçare, pa bërë llogari më tej.
“Plagë e hapur, që Kisha është munduar gjithnjë, e vijon të mundohet për ta shëruar, thekson Papa, në Nxitjen apostolike Africæ Munus, botuar vitin e kaluar. Benedikti XVI pohon se analfabetizmi, një nga forcat më negative, frenon çdo lloj zhvillimi; është vdekje shoqërore, që mbyll të gjitha rrugët e diturisë e të përparimit.
Ta shkollosh njeriun, thekson Papa do të thotë ta bësh anëtar me të drejta të plota të res publica, në ndërtimin e së cilës mund të japë ndihmesën e vet; ndërsa për të krishterin, do të thotë t’i krijosh kushte për të bërë të vetin thesarin e paçmueshëm Shkrimeve të Shenjta, që ushqejnë jetën e tij në fe”.E të mos harrojmë, në përfundim, se njeriun e kulturuar nuk është aspak e lehtë ta mbash nën zgjedhë!







All the contents on this site are copyrighted ©.