2012-05-18 19:34:24

Papa: Himn për lirinë e vërtetë, në audiencën e së mërkurës


Kur njeriu e lë të veprojë Shpirtin e Krishtit në shpirt, kur mendon, punon e flet nën ndikimin e Tij, kur frymëzohet në çdo hap e në çdo veprim nga Fryma e Shenjtë, arrin ta mposhtë çdo lloj frike e skllavërie e të jetojë plotësisht i lirë, si Bir i vërtetë i Zotit. Nga kush do të frikësohet, kur është nën mbrojtjen e hirit hyjnor? Kur e di se Shpirti Shenjt do ta çlirojë nga dyshimi e frika, që mund t’i zënë pritë në çdo hap të jetës? Duke e detyruar shpesh të bëjë atë, të cilën nuk do ta dëshironte, të bëjë keq, në vend që të bëjë të mirën, aq të dëshiruar, siç na e kujton Shën Pali, në Letrën drejtuar Romakëve? (cfr Rom 7,19)
E pikërisht kjo është shprehje e tjetërsimit të njeriut, e rrënimit të lirisë, për shkak të rrethanave të jetës e, sidomos, të mëkatit të rrjedhshëm, që ngre vazhdimisht krye në thellësitë e panjohura të ndërgjegjes sonë e të gjakut tonë. E duam të mirën, e nuk e bëjmë. Ndërsa bëjmë pikërisht atë, që nuk e duam: bëjmë keq: herë pa, e herë me dashje! Duke e paguar shijen e së keqes, me humbjen e lirisë shpirtërore e duke u ringarkuar pambarimisht me barrën e rëndë të robërisë së mëkatit. Shën Pali na kujton, kështu, se nuk mjafton vullneti ynë, për t’u çliruar nga këto kushte, e nuk mjafton as Ligji. Mund të çlirohemi vetëm për virtyt të Shpirtit Shenjt. Me bindjen se aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria (2 Kor 3,17). Është Fryma e Shenjtë, e jo vullneti ynë, që na qetëson zemrat e na ndriçon mendjet. E pikërisht kjo bindje na siguron se, përmes lutjes, mund ta fitojmë lirinë. Mund ta shijojmë lirinë e dhuruar nga Shpirti: liri e vërtetë, e çliruar nga e keqja e nga mëkati, për të mirën e jetës, për Hyjin. Por liria e Shpirtit, na kujton Shën Pali, nuk njëjtësohet kurrë me shthurjen, e as me mundësinë për të zgjedhur rrugën e së keqes; ajo njëjtësohet me frytin e Shpirtit Shenjt, që është dashuri, është gëzim, paqe, shpirtmadhësi, bujari, mirësi, besnikëri, butësi e vetësundim. Kjo është liria e vërtetë. I lirë është ai, që mund të realizojë vërtetësisht dëshirën për të bërë mirë, ai që mund të provojë gëzimin e vërtetë të bashkimit me Zotin, që nuk shtypet nën peshën e rrethanave, të cilat u prijnë në drejtime të tjera.
Në se e lëmë Shpirtin e Krishtit të veprojë në shpirtin tonë, edhe vetë lidhja me Zotin bëhet tejet e thellë. Atë nuk mund ta këpusë më asnjë realitet e asnjë situatë. Kuptojmë, atëherë, se përmes lutjes u çliruam nga provat e vuajtjet, ndërsa mund të jetojmë në bashkim me Krishtin, me vuajtjen e tij, të bindur se në të ardhmen do të mund të jetojmë edhe me lumninë e Tij.
Ata që luten, nuk janë më skllevër, as në pranga: Zoti ua copëton zinxhirët e i bën qytetarë të lirë të vendit ku jetojnë, të Kishës e, edhe të Mbretërisë. Ata që më parë ishin pas hekurave të kryqëzuar të mëkatit, për virtyt të lutjes, janë jo vetëm të lirë, por edhe shenjtorë; jo vetëm shenjtorë, por edhe të drejtë; jo vetëm të drejtë, por edhe vëllezër të Krishtit, bashkëtrashëgimtarë të lumnisë së Tij e gjymtyrë të Korpit të Tij; e jo vetëm gjymtyrë, por edhe tempull e mjet i Shpirtit Shenjt, që vijon të kumtojë në shtigjet dredharake të botës, se “Ku është shpirti i Zotit, aty është edhe liria!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.