2012-05-18 18:56:53

Ndërroi jetë, atë Gaetano Brambilaska, S. J., ish drejtor i shkollës “Atë Pjetër Meshkalla”, në Shkodër.


Ati qiellor e thirri më 15 maj 2012, në orën 2.30 në Mbretërinë e Tij Qiellore Atë Gaetano Brambilaskën, mikun e madh të Shqipërisë e Atin shpirtëror të shumë katolikëve shqiptarë; atë, që mbi gërmadhat e Kishës së martirizuar shqiptare, përgatiti meshtarët e parë të rinj e mbi ato të Kolegjës së lumnueshme Saveriane në Shkodër, ngriti Shkollën e re, kushtuar një martiri të fesë, pas viteve të errëta të diktaturës, Atë Pjetër Meshkallës. Ishte 77 vjeç, 57 të kaluara në gjirin e Shoqërisë së Jezusit, 18, në Shqipëri.
Në sa, më 16 maj, në orën 11.00, pranë Kishës Aloisianum të Galarates, ku Jezuiti kaloi ditët e fundme të jetës, kremtohej Mesha e Tij e dritës, në Shqipëri përhapej lajmi i zi e shumë njerëz merrnin pjesë shpirtërisht në atë ceremoni të largët, të përmortshme. E nuk mund të mos përloteshin, ndonëse përplot me shpresën e amshimit, duke e kujtuar këtë Njeri, që shkriu më se një çerek shekulli nga jeta, për t’u rihapur shqiptarëve horizontet e pafundme të kulturës së vërtetë, të mbyllura për më se një gjysëm shekulli.
Atë Gaetano Brambilaska lindi në Milano, më 17. 04. 1936. Hyri ndër Jezuitë në Lonigo, më 06. 10. 1955. Pas noviciatit, studioi filozofi në Galarate, deri në vitin 1960. Më pas ndoqi përgatitjen për mësues, një herë në Ronkovero, si pedagog, e më pas, në Milano, në shkollën Leoni XIII, si prefekt i të rinjve. Në këto vite mori edhe laurën në letërsi klasike.
Nga viti 1964, deri më 1968, studioi teologji në Pulje. U shugurua meshtar më 30. 06. 1967.
Më pas kaloi dy vjet në Oksford, ku studioi gjuhën angleze, histori e filozofi greke. Në vitin 1970 kaloi Vitin e tretë të përgatitjes me Atë Beck, në Rrugën Pasteur, në Milano. Këtu nisi përvojën e leximeve biblike (Një bashkësi lexon Ungjillin e Markut), shoqëruar me mësimdhënien në Liceun Manzoni e Parini. Shërbeu, më pas, si mësues i shkencave humane në Çernusko, duke bashkëpunuar me “Kursin e pjekurisë teologjike” në Selva Valgardena.
Në vitin 1978 u transferua, me bashkësinë e Vilapixones, ku u emërua epror e drejtor i Veprës së Selvës. Dha edhe mësimin e filozofisë e të teologjisë në PIME, duke vijuar leximet biblike.
Më 25. 03. 1988 bëri kushtet e fundit.
Nga viti 1988, deri në vitin 1994, ishte Epror i studimeve filozofike në Padovë; jepte edhe mësimin e greqishtes e vijonte veprimtaritë apostolike të operarius(Vepra në shërbim të thirrjeve).
Në vitin 1994 u dërgua në Shqipëri, në Shkodër, si zëvendës-Rektor i Seminarit, prefekt i studimeve e profesor i historisë dhe i filozofisë.
Nga viti 1997 ishte Rektor i Seminarit, drejtor i institutit filozofiko-teologjik (deri në vitin 2000) dhe i liceut “Atë Pjetër Meshkalla”.
Nga viti 2001, deri në vitin 2010, ishte drejtor i liceut.
Në vitin 2010 u rikthye në Itali e u dërgua në Institutin Shoqëror të Torinos, si ndihmës edukator, asistent i LMS (Lidhja Misionare e Studentëve) i MEG (Lëvizja Eukaristike Rinore) si dhe i Operarios. Një vit më pas shkoi në Galarate, sepse forma e leucemisë, nga e cila vuante prej disa vitesh, vijoi t’i rëndohej.
Ati qiellor e thirri më 15 maj 2012, në orën 2.30.
Ishte njeri i përvuajtur, jezuit i mirë, gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar e për të ngushëlluar, transparent, i palodhshëm në shërbim apostolik, me shpirt e kulturë të lirë, i përkushtuar plotësisht ndaj misionit (e shpesh, njëkohësisht, disa misioneve), duke u nisur nga një përvojë jo e zakonshme e lidhjes me Zotin.
Jetëshkrimi i tij flet vetë e tregon sa humbje e rëndë është vdekja e tij për Jezuitët. Por jo më pak edhe për Shqipërinë, ku njerëz si Atë Gaetano Brambilaska nuk takohen shpesh.
La pas, si dëshmi e përkushtimit, fesë e kulturës së tij, dhjetra meshtarë të rinj e qindra nxënës, në zemrat e të cilëve kujtimi i Atë Gaetanos do të jetë i pavdekshëm. E i përjetshëm do të jetë ky kujtim kudo la gjurmën e tij përtëritëse, në emër të Krishtit!Mbi figurën madhore e kontributin e Jezuitit të madh në seminar e në shkollë , të dëgjojmë intervistën e drejtorit të sotëm, atë Rafaelo Lanzilo, SJ:....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.