Më 18 maj kalendari kujton Shën Gjonin I, papë e martir.
“Shumë të rënda, sipas gjykimit të njerëzve, janë fajet e tua si njeri e si mbret:
etje e pangopur për pushtet e për masakra, tolerancë e tepruar ndaj marrëzisë së ndjekësve
të tu, mendjemadhësi e mashtrim…”. Kështu, me gojën e një engjëlli, shkrimtari i njohur
italian, Gjovani Papini i flet Teodorikut në veprën e tij kushtuar gjyqit universal.
E ja edhe përgjigja: “Isha në krye të njërës nga kopetë e endacakëve të uritur dhe
gjithë autoriteti im si kapiten e si mbret nuk mund t’i kthente sa çel e mbyll sytë
në grigjë psalmistash e njerëzish që gjunjëzohen para Zotit….. Romakë të rifuqizuar
e Gotë të rifisnikëruar duhet të shkriheshin në një popull të vetëm e të fortë, të
aftë për t’i ridhënë Italisë vendin e parë në botë. Nuk ishte faji im në se kjo ëndërr
fisnike mbeti vetëm ëndërr”. E kujtuam këtë fragment nga vepra e Papinit, sepse
jeta e Shën Gjonit I, papë, lidhet ngushtë pikërisht me dramën politiko-fetare të
Teodorikut. Toskan nga lindja, Gjoni u ul në fronin e papnisë pas papës Ormisda
më 15 gusht të vitit 523. Ndonjë studiues e identifikon me Gjonin diakon, autor i
“Epistola Senarium”, letër me rëndësi të madhe për historinë dhe liturgjinë e Pagëzimit,
sepse ndoshta është i vetmi dokument që vërteton traditën e Kishës së Romës për të
ngritur e për të shuguruar të Shtunën e Madhe shtatë elterë si dhe për të shtënë në
Kelk një përzierje qumështi e mjalti. Përveç tjerash, Gjoni diakon njihet si autor
i traktatit “De fide catholica”, që erdhi deri në kohët tona përmes veprave të Severino
Boecio-s. Kur i biri i Kostancit u bë papë, Ormisda dhe perandori Justin, ungji
i Justinianit, e kishin kapërcyer që prej pesë vjetësh skizmën që pati ndarë Romën
nga Kostantinopoja në vitin e largët 484 për shkak të perandorit Zenon, i cili ishte
përpjekur të realizonte një kompromis të pamundur ndërmjet katolikëve e monofizitëve.
Duke qenë se përpjekja solli edhe kthesa politike e se gotët ishin arianë, rreth vitit
524 Justiniani publikoi një edikt, me të cilin urdhëronte mbylljen e kishave ariane
të Kostandinopojës dhe dëbimin e heretikëve nga çdo detyrë civile e ushtarake. Atëherë
Teodoriku e detyroi Papën Gjoni I të shkonte në Kostandinopojë për të kërkuar nga
perandori shfuqizimin e dekretit: manifestimet që u organizuan për ta pritur Papën,
qenë të jashtëzakonshme: rreth 15 mijë vetë i dolën para me qirinj ndezur e me kryqa,
duke i krijuar Gjonit I edhe mundësitë të kryesonte kremtimet solemne të Krishtlindjes
e të Pashkëve. Justini pranoi kërkesën për t’ia kthyer arianëve kishat e shtetëzuara,
por nguli këmbë të mos ua njihte arianëve të kthyer në katolicizëm të drejtën të bëheshin
përsëri arianë. Kaq mjaftoi që Teodoriku, njeri tepër dyshimtar, që tashmë i kishte
mbytur Boecion e Simakun, të mendonte për një krim të ri. Sapo u kthye nga Kostantinopoja,
Gjoni I papë u flak në burgun e Ravenës, ku edhe vdiq ndër tortura më 18 maj të vitit
526. Trupi i Papës shenjt u mbart në Romë, në Bazilikën e Vatikanit, ku nderohet si
martir. Simboli i tij është palma.Emri Gjon, fort i përdorur në të gjitha kohërat
e në të gjitha vendet, vjen nga gjuha hebraike e do të thotë dhuratë e Zotit.