2012-05-18 17:34:16

Benedikti XVI ipeshkvijve të SHBA: besnikëria jonë ndaj Ungjillit mund të na kushtojë shtrenjt.


“Mbështetje ndaj emigracionit, besnikëri ndaj Ungjillit, pavarësisht nga çmimi që duhet paguar, e afërsi ndaj njerëzve”: këto, thënë përmbledhtas, ishin problemet, mbi të cilat u përqendrua Papa sot paradite, duke pritur 15 prelatë të ritit lindor të Konferencës Ipeshkvnore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vizitë “ad Limina”. Me këtë takim përfunduan vizitat e ipeshvijve amerikanë në Vatikan, që vijuan për gjashtë muaj me radhë. Kujtojmë se të gjithë ipeshkvijtë katolikë të botës vijnë çdo pesë vjet në Vatikan për vizitë ‘ad Limina”.
I sotmi, ishte një takim me ipeshkvijtë e Kishave të ndryshme lindore, të pranishme në SHBA, që mishërojnë në mënyrë të pashembullt pasurinë etnike, kulturore e shpirtërore të bashkësisë katolike amerikane, të së tashmes e të së ardhmes. Audienca e sotme shënonte përfundimin e vizitës “Ad Limina”, në atmosferën e sfidave të ngutshme, që duhet të përballojë sot Kisha amerikane. Historikisht, kujtoi Benedikti XVI, Kisha në Amerikë ka luftuar vazhdimisht për intregrimin, me të gjitha larmitë e veta e, ndonëse me shumë vështirësi, ia doli mbanesh të farkëtojë bashkimin në Krishtin e në fenë katolike, tipike për mbarë Kishën. Në gjashtë muaj bisedimesh me përfaqësuesit e Konferencës Ipeshkvnore të SHBA, dy ishin pikat, që Papa i quajti kryesore për misionin e ipeshkvijve, në krye të grigjës së Krishtit, duke vënë në dukje vështirësitë, por edhe mundësitë e mëdha, që krijon koha e sotme.

Papa shprehu kënaqësinë e tij lidhur me përpjekjet e vazhdueshme të ipeshkvijve për zgjidhjen e problemeve të emigracionit, që vijon në vend. Bashkësia katolike në SHBA, shpjegoi Ati i Shenjtë, vijon të mikpresë me bujari të madhe valët e emigrantëve të rinj, që dynden vazhdimisht drejt vendit, duke u siguruar ndihmë baritore, strehim, mbështetje për kapërcimin e pengesave, që ndeshin gjithnjë njerëzit, në shtegtim drejt vendeve të tjera, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, posaçërisht kur është fjala për lëvizjen e familjeve e të fëmijëve.

Një shenjë e posaçme është impenjimi i vazhdueshëm i ipeshkvijve amerikanë për reformën e emigracionit. Bëhet fjalë, sqaroi Papa, për një problem të vështirë e të ndërlikuar në këndvështrimin civil e politik, shoqëror e ekonomik, por mbi të gjitha, në atë human. E pikërisht këtë këndvështrim e ka shumë për zemër Kisha, sepse bëhet fjalë për trajtimin e drejtë e për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, në kushtet e emigrantit.
Edhe në ditët tona, shtoi Benedikti XVI, Kisha në Amerikë është e thirrur të mikpresë, të integrojë, të kultivojë trashëgiminë e pasur të fesë e të kulturës së bashkësisë së emigrantëve, e jo vetëm të riteve tuaja, u kujtoi Papa ipeshkvijve lindorë, por edhe të grupeve të mëdha të katolikëve hispanikë, aziatikë e afrikanë. Detyra impenjative baritore për të krijuar bashkimin e kulturave në gjirin e Kishave vendase, nënvizoi Ati i Shenjtë, duhet parë si detyrë e dorës së parë në ushtrimin e shërbimit tuaj për krijimin e unitetit. Ky bashkim, vijoi Benedikti XVI, nuk kërkon thjesht respektin për larmitë gjuhësore, për zhvillimin e traditave të shëndosha, sigurimin e programeve shoqërore të shërbimeve, aq të rëndësishme. Kërkon një impenjim të vazhdueshëm në predikim, në katekizëm e në baritori, me synimin që të gjithë besimtarët ta ndjejnë më thellë bashkimin në fenë apostolike e t’i kuptojnë më mirë përgjegjësitë e tyre ndaj misionit të Kishës në SHBA. Kuptimi i kësaj sfide nuk mund të nënvleftësohet: trashëgimia e pamasë dhe energjitë emocionuese të breznisë së re të katolikëve presin të shfrytëzohen për risimin e jetës së Kishës dhe rindërtimin e indit shoqëror amerikan.

Impenjimi në shërbim të këtij uniteti është i nevojshëm, shtoi Papa, jo vetëm për të përballuar sfidat pozitive të ungjillëzimit të ri, por edhe për t’iu kundërvënë forcave përçarëse brenda Kishës, që krijojnë jo pak pengesa për misionin e saj në vend.
Duke kujtuar thirrjen e tij gjatë vizitës në SHBA, më 2008, Papa theksoi se i vlerëson përpjekjet për inkurajimin e besimtarëve në nivel individual e kishtar, për të ecur përpara së bashku e për t’i përballuar urgjencat e sotme, duke folur me një zë të vetëm.
Në vijim Ati i Shenjtë porositi që në gjirin e Kishës të krijohet gjithnjë fryma e miqësisë, e bashkëpunimit dhe e besimit ndërmjet ipeshkvijve e meshtarëve, për të qenë sa më pranë njerëzve e për ta ndjekur sa me besnikërisht Krishtin, duke i mishëruar në jetë, këshillat ungjillore.
Benedikti XVI u shprehu mirënjohjen e tij të thellë shumë grave të përkushtuara, për shembullin e tyre të besnikërisë e të vetëmohimit në gji të Kishës, duke u kërkuar të vijojnë ta mbështesin me lutjen e tyre, që impenjimi i saj të sjellë fryte të begata shpirtërore për gjallërimin e të gjitha bashkësive, me frymën e besnikërisë ndaj Krishtit e Kishës së Tij
Koha jonë ka nevojë urgjente për njerëz, që e dëshmojnë me jetën e tyre pushtetin e Ungjillit, dinjitetin dhe bukurinë e jetës së kushtuar, shtoi Papa, e në vijim i ftoi ipeshkvijtë t’i nxisin thirrjet rregulltare, ta fuqizojnë komunikimin e bashkëpunimin, posaçërisht përmes delegatëve të çdo dioqezi.
Urimi i fundit i Papës ishte që “Viti i Fesë”, i cili do të hapet tetorin e ardhshëm, me rastin e 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit, të rizgjojë dëshirën e gjithë bashkësisë katolike amerikane, për të ripërvetësuar me gëzim e mirënjohje, thesarin e paçmuar të fesë sonë katolike.

Me ligështimin progresiv të vlerave tradicionale të krishtera dhe kërcënimin e një stine, në të cilën besnikëria jonë ndaj Ungjillit mund të na kushtojë shtrenjt, e vërteta e Krishtit, nënvizoi me forcë Papa, jo vetëm duhet kuptuar, duhet thelluar e duhet mbrojtur, por edhe duhet propozuar me gëzim e besim si çelës i realizimit të vërtetë të njeriut e i mirëqenies së shoqërisë, në tërësinë e saj.
Së fundi, një falënderim Zotit për shenjat e gjallërisë e të shpresës së re në Kishën amerikane, që kryen misionin delikat të udhëheqjes së Kishës Katolike në unitet, vërtetësi e bamirësi, përballë sfidave të së ardhmes.







All the contents on this site are copyrighted ©.