2012-05-17 15:08:34

Shtegtimi tradicional i shqiptarëve tek Zoja e Këshillit të Mirë në Gjenacan


Të dielën, më 27 maj 2012, Zoja e Këshillit të Mirë në Gjenacan pret përsëri bijtë e vet shqiptarë nga të katër anët e Italisë e të botës.
Sivjet liturgjinë eukaristike, që do të fillojë në orën 11.00 dhe lutjen drejtuar Zojës së Këshillit të Mirë, do ta kryesojë atë Aldo Skoda Pashkja, Rregulltar Skalabrinian, pedagog pranë Institutit të Shkencave Fetare.
Për hollësira mund t’i drejtoheni dom Pasquale Ferraro: Tel. 06.64491839 – Cell. 340.5246230; p.ferraro5@libero.it

T’i lutemi në heshtje Zotit, me ndërmjetësim të Zojës së Shkodrës, për ditë më të mira, me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret:
“O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.
E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët:
“Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.
Figura e Zojës në Genzzano

Gjatë shekujve kemi disa riprodhime të Figurës së Zojës. Në shekullin XVII në familjen e paraardhësve të Pashko Vasës ka pasur një vepër historike të Zojës së Shkodrës dhe një altar, ku thuhej mesha. Një vepër tjetër artistike për Zojën e Shkodrës ka pasur në Itali dhe piktori shkodran me origjinë nga Dukagjini, Ndoc Martini, ndërsa në shekullin tonë Kolë Idromeno i kushtoi një tablo figurale me titull "Të ikunit e Zojës së Shkodrës në Gjenacan”..Deri në fillim të shekullit XX, Figurja e Zojës së Shkodrës, ikur në Gjenacan, ka pasur riprodhime në pikturë dhe është vendosur në shumë kisha të Evropës. Piktori Luigj Tossi e riprodhoi i pari më 1747 për Kishën e Gjenovës. Më 1765 Zoja e Shkodrës u bë Pajtorja e Kishës në Monte Cassino. Më 1796 ajo u vendos edhe në Kishën e Shën Bendetit në Frosinone. Kjo Figurë e Zojës ndriti Kishën e Augustinianëve në Munih (Gjermani), u vu në Kishën e Zojës së Pushimit (Chiesa della Madona di Riposo) në Frildenberg afër Angsburgut. Fort e përmendur është edhe Figura e Zojës në Kishën e Augustinianëve në Madrid. Kisha e tanishme e Genazzano-s u ndertua ne fillim te shekullit XX dhe shtegtaret e vizitojne duke ecur zbathur, sidomos gjate dites perkujtimore te Zojes se Kshillit te Mire qe eshte 26 prilli. Zoja e Shkodres apo Zoja e Keshillit te Mire eshte si Zonja Lurde ne France, Zonja Fatime ne Portugali, etj .

At Gjergj Fishta i ka kushtuar vargjet e mëposhtme shejtores së qytetit.“Të falemi, o Mri! virgjina e dlir',
O nana e bukur e K'shillit t'Mir;
Ty ndim të kena në kët' shkreti:
të falemi, o Mri, të falemi, o Mri

Të falemi Virgjin' Nana e Tenzot,
Ndihma e kshtënimit me hire plot;
T'bin në mend se Zoja e Shkodrës je:
Lutu për ne, lutu për ne!

Lutu, po, e derdhi hiret e m'dhaja
Si n'kohët e moçme n'kishë te Kalaja,
Ku t'lutej Shkodra plot me dobi;
Të falemi, o Mri, të falemi, Mri!

Lutu, se Shqiptarët, o Zojë, te tanë
Te Ti e çojnë zanin në Gjenacanë:
M'shir' për ne - thona m'shir' për Shqypni!
Të falemi, o Mri, të falemi, o Mri”!







All the contents on this site are copyrighted ©.