2012-05-17 15:11:05

Papa pa filmin “Maria e Nazaretit”, ku ndërthuret historia e tri grave, që iu përgjigjën Zotit në mënyra të ndryshme


Film, në të cilin vihet në dukje gatishmëria e Zojës për të ndjekur planin e Zotit për të. Kështu e komentoi Papa filmin “Maria e Nazaretit”, të cilin e pa dje në Sallën Klementina të Pallatit Apostolik. Filmi, me aktorë ndërkombëtarë, është prodhim italian, spanjoll e gjerman. Regjizor, italiani Xhakomo Kampioti.
Filmi përvijon me analogji e kontraste tri figura femërore, atë të Herodiades, të Marisë Madalenë dhe të Marisë së Nazaretit. Benedikti XVI i përshkroi, duke analizuar sjelljet e jetën e tyre. Herodiade nuk arrin t’i drejtojë sytë kah qielli, sepse është tepër e zënë me kompromiset tokësore. Kujtojmë se u martua dy herë e sipas traditës, qe ajo që i tha së bijës, Salomesë, të kërkonte kokën e Shën Gjon Pagëzuesit, pasi kishte kërcyer para Herodit. Maria Madalenë pati guximin të ndryshonte rrugë e të ndiqte me bindje Krishtin, ndërsa Maria e Nazaretit është qendra e gjithçkaje, me gatishmërinë e saj të përhershme për t’i thënë “po” Zotit:
“Tri përvoja, një paradigmë për mënyrën si mund ta ndërtojmë jetën: mbi egoizmin, mbi mbylljen në vetvete e në gjërat materiale, duke e lënë të keqen të na udhëheqë; ose mbi praninë e Zotit, i cili vjen e qëndron mesh nesh, na pret me mirësi nëse gabojmë, e na kërkon ta ndjekim, t’i besojmë”.
Maria e Nazaretit, vazhdoi Ati i Shenjtë, është gruaja, që i thotë “po” vullnetit hyjnor, me bindje të plotë, që nuk lëkundet edhe para dhimbjes për humbjen e të Birit:
“Në Të gjendet pasuria e një jete, që ka qenë gjithnjë një “Ja ku jam” për Zotin: është nënë, që do të dëshironte ta kishte gjithnjë me vete të Birin, por e di se Ai është i Zotit; ka një fe e një dashuri kaq të madhe, sa të pranojë që Ai të niset e të kryejë misionin e vet; “Ja ku jam” përsëritet që nga Lajmërimi i Zojës e deri në Kryq”.







All the contents on this site are copyrighted ©.