Në Vatikan kremtohet festa e të Shëlbuemit, solemnitet që kujton se çdo njeri është
i thirrur për jetën e pasosur.
Sot në Vatikan kremtohet solemniteti i të Ngjiturit të Krishtit në qiell, që në disa
vende, ndërmjet të cilave edhe në trevat shqiptare, për arsye baritore, do të kremtohet
të dielën e ardhshme. Me festën e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, kujtohet
përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Zotit Jezus ndërmjet njerëzve, që u pasua me
përhapjen e krishterimit në mbarë botën. Ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme ngjitja
e Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati Hyjnor, që përmbushi shëlbimin: “Në se unë nuk
shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” - kështu
u tha Jezusi Apostujve, siç na e rrëfen Shën Gjoni: “Në këtë festë, bashkësia e
krishterë është e thirrur t’i drejtojë sytë nga Ai që , dyzet ditë pas ngjalljes,
në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas
një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm,
që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë
të përditshëm mbi tokë”. Me këto fjalë kujtojmë domethënien e solemnitetit të të
Shëlbuemit. “Dyzet ditë pasi u qe dukur Apostujve me pamjen e tij të zakonshme
njerëzore, që fshihte lumninë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike
– Krishti ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, që tashmë mbretëron
me humanitetin e tij në lumninë e amshuar të Birit të Hyjit e ndërmjetëson pareshtur
në favor tonë pranë Atit. Na dërgon Shpirtin e Tij e na jep shpresë se një ditë do
të arrijmë në vendin që Ai na e ka përgatitur. Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’,
Ai na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek
Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell,
pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë
njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se
çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë,
e dritës, e paqes. Duke kremtuar festën e të Shëlbuemit, ne duhet të jemi të sigurt
se Zoti nuk është larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund
të arrijë askush. Ai e ka ngritur çadrën (tendën) e vet ndërmjet nesh: në Jezusin,
është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet
mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon,
e në se ia vëmë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është
Zoti që na pret!