Një mendim për Virgjërën Mari, në muajin maj: Maria në Islam
Myslimanët e nderojnë shën Marinë e besojnë në virgjërinë e saj, që dëshmohet në Suren
XIX të Kuranit; por nuk e pranojnë si Nënë e Zotit, sepse për ta Jezusi është thjesht
profeti më i madh, i dërguar nga Hyji para Muhametit “Vulë e Profetëve”. Gjithsesi
në Kuran, domethënë, në Islam, Zoja kujtohet më se 34 herë, me emër të përveçëm, rast
krejt i pazakontë në një tekst të shenjtë të myslimanëve. Ndërsa i kushtohet një kapitull
i tërë, i 19-ti. Virgjëra paraqitet si e bija e Imrânit, emër që, në traditën e
krishterë, përkon me atë të Joakinit. Kurani e përshkruan Marinë që në mituri, si
fëmijë, që Zoti e do fort, e mbron e i bën dhurata të veçanta, si ushqimet e freskëta,
që vijnë drejtpërdrejt, nga qielli e që Zakaria, xhaxhai e kujdestari i Vashës, i
gjen pranë saj çdo mëngjes. Maria-Maryam, në Islam shikohet si krijesë e jashtëzakonshme,
sepse Nënë e Jezusit, i cili quhet gjithnjë me këtë emër, ose i Biri i Marisë. Myslimanët
e quajnë edhe Sayyida, që do të thotë Zonjë. Edhe ky emër përkon plotësisht me termin
e krishterë Zonjë. Megjithatë, nuk mungojnë fragmente, në të cilat pohohet se të krishterët
gabojnë, kur i atribuojnë cilësi të mbinatyrshme. Në Islam Allahu nuk shoqërohet
me asnjë figurë tjetër. Feja islame nuk e pranon se Zoja mund të ndërmjetësojë pranë
Hyjit. Madje askush nuk mund ta bëjë këtë, sepse Allahu është një i vetëm e i gjithëpushtetshëm.
Por devocioni popullor, posaçërisht ai, që lidhet me amësinë e Marisë, shkon përtej
diktatit të Kuranit. Shpesh myslimanët, e posaçërisht myslimanet, shkojnë për ta nderuar
Marinë në shenjtëroret që i kushtohen. Ndërmjet tyre, më simbolikja është Kisha e
Zojës së Qumështit, në Betlehem, ku gratë myslimane shkojnë për të kërkuar hirin e
lindjes së një fëmije. Kujtojmë, pastaj, shenjtëroren kombëtare të Mariabad-it,
në Pakistan, ku një mori besimtarësh, edhe myslimanë, nisen nga fshatrat e tyre me
biçikleta ose në këmbë, në një shtegtim masiv gjatë muajit shtator. Pas Jerusalemit,
shenjtërorja më e ndjekur në Lindje, është ajo e Sednaya, pranë Damaskut, ku nderohet
një figure e Marisë, që besohet të jetë pikturuar nga Shën Luka Ungjilltar. Në
Samallut të Egjiptit është një shenjtërore mariane, që lartohet mbi malin Al-Tir.
Besohet se në këtë vend banoi për 12 vjet me radhë Familja Shenjte. Festa, që e përkujton
këtë prani, kremtohet në muajin maj. Gjeografia e viseve mariane përfundon në
Turqi, ku shumë myslimanë shkojnë të luten në një vend malor, mbi Efez, që njihet
me emrin Meryem Ana. Nga të katër anët ngulmohet se dialogu kristiano-islamik mund
të thellohet pikërisht duke u nisur nga prania e Marisë në fenë e në devocionin e
të dyja besimeve.